Ndërlidhjet

"Legjitimiteti" i strukturave paralele (?)


Strukturat paralele në Kosovë edhe më tutje funksionojnë pa kurrfarë pengese. Serbët në Kosovë nuk i shfrytëzojnë shërbimet e Postës së Kosovës. Sistemi postar serb funksionon në mjediset ku serbët përbëjnë shumicën dhe përfaqëson lidhjen e tyre me Serbinë.

Drejtori i Postës për Kosovën, mekanizëm ky paralel serb, Rangjell Nojkiq, ka deklaruar se Posta e Serbisë është e vetmja postë legjitime për komunitetin serb, për faktin se, siç thotë ai, ajo i ofron të gjitha shërbimet nga pensioni deri tek ndihmat sociale.

"Ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për një postë, por bëhet fjalë për shëndetin, shkollimin, ndihmën sociale, për çdo gjë që është e rëndësishme për serbët dhe banorët tjerë. Ajo duhet të jetë legjitime dhe legale jo vetëm për serbët, por për të gjithë", ka thënë Nojkiq.

Pasi që dy nga ministrat serbë në Qeverinë e Serbisë kanë hapur ndërtesën e rinovuar të Postës në Graçanicë, në dhjetor të vitit të kaluar, ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se një hap i tillë forcon strukturat serbe, e që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, bën të ditur se institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare janë duke u angazhuar që në mënyrë graduale të shpërbehen strukturat e tilla paralele.

"Është një angazhim i plotë, një përkushtim i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe i misioneve ndërkombëtare që janë prezente në Kosovë, që të bëhet një punë e përbashkët që përfaqësuesit legjitimë të serbëve të integrohen në institucionet e vendit, në jetën institucionale të Kosovës, dhe institucionet paralele që kanë funksionuar deri tash, të zhduken”,
thotë Krasniqi.

Ai konsideron se plani i Martti Ahtisaarit ofron mundësi të mjaftueshme për integrimin e serbëve në të gjitha institucionet.

“Ne mendojmë se me implementimin e plotë të këtij plani, qytetarët e komunitetit pakicë, e veçanërisht ata të komunitetit serb dhe përfaqësuesit e tyre politikë, kanë hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar jetën e tyre brenda institucioneve të Kosovës dhe brenda kornizës ligjore në Kosovë. Implementimi i planit të Ahtissarit padyshim që pamundëson edhe funksionimin e strukturave paralele serbe në Kosovë", theksoi Krasniqi.

Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u, dhe Qeveria e Kosovës, para disa vitesh kishin vendosur që institucionet në mjediset serbe, të cilat i përkrah Republika e Serbisë e që nuk janë pjesë e sistemit kosovar, të konsiderohen si "struktura paralele", shuarja e të cilave kërkohet vazhdimisht.

Por, serbët kritikojnë Qeverinë e Kosovës për qëndrimin kundërshtues ndaj punës së institucioneve serbe. Drejtori i Postës serbe në Graçanicë, Rangjell Nojkiq, thotë:

"Kjo tregon qartë se thirrjet e tyre për serbët që të marrin pjesë në institucione, që serbëve t'u ofrohet një jetë normale, nuk janë të sinqerta. Ato janë një mesazh politik – qëndrim i vazhdueshëm i të gjithëve në Qeverinë e Kosovës".

Njohës të zhvillimeve në Kosovë vlerësojnë se aksionet e tilla të ministrave serbë në Kosovë forcojnë strukturat paralele, çka është pjesë e strategjisë së Serbisë për realizimin e planit gjashtëpikësh. Kjo politikë e Beogradit, thonë analistët, çon kah thellimet e ndarjes.
XS
SM
MD
LG