Ndërlidhjet

Ditët e fundit kishte ndërhyrje të hakerëve, që besohet të jenë serbë, në web-faqen e Ministrisë së Energjisë dhe atë të Entit të Statistikave të Kosovës. Sa janë të sigurta web-faqet e institucioneve kosovare dhe ç'metoda përdorin hakerët për të ndërhyrë?


Web-faqja e Ministrisë së Energjisë dhe e Minierave as sot nuk ka qenë funksionale, një ditë pasi që hakerë, të cilët besohet të jenë serbë, kanë thyer atë, duke shkruar parulla serbe, si “Kosova është Serbi”, “Urime Kërshëndellat” e “Përshëndetje nga Akademia Ushtarake”. Po ashtu, në web-faqe qe paraqitur një flamur dhe stemë serbe.

Zëvendësministri Blerim Rexha shpjegon:

“Jam informuar dje se faqja jonë është sulmuar nga të ashtuquajturit hakerë serbë, sepse ende nuk janë identifikuar. Kjo është një lojë e vazhdueshme e grupeve të ndryshme të inxhinierëve të Teknologjisë Informative serbë, shqiptarë dhe të vendeve tjera. Për këtë arsye, faqja jonë sot është jashtë punës. Kjo është përgjegjësi e Departamentit të IT-së në Ministrinë e Shërbimeve Publike dhe ata janë duke punuar që kjo faqe të kthehet në punë apo online”, tha Rexha.

Fatin e njëjtë sikurse faqja e internetit e Ministrisë, e pati dy ditë më parë ajo e Entit të Statistikave të Kosovës, në të cilën u futën mbishkrime të njëjta serbe.

Ardall Celina, njohës i fushës së Teknologjisë Informative, shpjegon se ekzistojnë dy lloje të asaj që në gjuhën informative quhet ‘hakerim’.

“E para është mënyra fizike, që realisht hakerët e sulmojnë serverin dhe marrin qasje fizike në server dhe marrin kontroll të plotë ku është e hostuar web-faqja. Në atë rast mund të bëjnë gjithçka, nga fshirja totale e web-faqes e deri te ndryshimi i të dhënave. Kjo është mënyrë pak më e rrallë, sepse është edhe pak më e vështirë".

"Mënyra e dytë që u përdor edhe te MEM, edhe te ESK, është hakerimi i aplikacionit, hakerimi i sistemit për menaxhim të përmbajtjes së web-faqes. Gjithmonë ekziston një administrator që mirëmban web-faqen, përmes këtij interface, përmes aplikacionit ku duhet passwordi. Por, ka mjete që gjenden edhe të gatshme në internet për t’i thyer passwordat”,
shpjegon Celina.

Blerim Rexha është skeptik se do të gjenden personat përgjegjës për thyerjen e web-faqes së Ministrisë, e më këtë s’do ketë sukses as në ndjekjen ligjore të tyre.

“Kjo është një qasje e paautorizuar në dokumentet zyrtare, por ata që i marrin këto, nuk gjenden në Kosovë. Ligjet ndërkombëtare e ndalojnë qasjen e paautorizuar në dokumente, por a do gjendet adresa? Jam shumë skeptik. Mbetet të shihet. Teknikisht duhet parë se nga kanë ardhur këto shënime”, thotë Rexha.

Sipas Policisë së Kosovës, rastet e fundit nuk janë të parat kur hakerët ndërhyjnë në sistemet kompjuterike. Zëdhënësi Veton Elshani thotë se ka pasur raste kur edhe janë arrestuar persona të caktuar, për shkak të këtyre ndërhyrjeve. Në të shumtën e rasteve hakerët kanë shkaktuar edhe dëme materiale.

“P.sh. në vitin 2006 ka pasur ndërhyrje në sistemin kompjuterik në njërën nga bankat këtu, e që në fakt nuk është dëmtuar banka, por ka pasur të bëjë me Visa Card dhe Master Card. Ne ende jemi duke zhvilluar hetime lidhur me atë rast. I kemi arrestuar 6 persona të dyshimtë lidhur me rastin në fjalë, ndërsa hetimi është shtrirë në 47 shtete të botës me mbi 10 mijë të dyshimtë. Kemi pasur edhe një sërë rastesh tjera në Kosovë”,
thotë Elshani.

Por, sa mund të pengohen ndërhyrjet e tilla? Ardall Celina thotë se edhe pse asnjë faqe interneti nuk mund të jetë qind për qind e sigurt, megjithatë ka mënyra që, sipas tij, rrisin sigurinë në masë të caktuar. Njëra nga to është nëse sistemi i një web-faqeje ndërtohet vetë dhe nuk ndërtohet mbi bazë të aplikacionit, i cili shkarkohet nga interneti.

“Për ndërtimin e sistemit për menaxhim të përmbajtjes, në të shumtën e rasteve përdoren softuerë të gatshëm në internet; edhe te ne përdoren këta aplikacione. Ka rrezik, sepse është një kod që është i hapur dhe secili ka qasje në të. Ekzistojnë hakera që analizojnë aq mirë atë kod dhe i gjejnë ato dobësi të atij kodi dhe duke i shfrytëzuar ato dobësi të softuerit të gatshëm, mund të depërtojnë në web-faqe. Por, nuk do të thotë se edhe web-faqet për të cilat është ndërtuar kod i veçantë, nuk mund të thyhen”, tha Celina.

Institucionet e Kosovës, sipas Celinës, përdorin dy lloje të web-faqeve. Edhe ato, sistemi i të cilave është ndërtuar vetë nga kompani të ndryshme, por edhe ato që janë ndërtuar në bazë të aplikacioneve të marra nga interneti.

Ndryshe, përgjegjësinë për thyerjen e web-faqeve të institucioneve të Kosovës e ka marrë grupi i hakerëve i ashtuquajtur "CoNsT. Por, nuk dihet se kush qëndron pas këtij grupi.
XS
SM
MD
LG