Ndërlidhjet

Mumbai - thjeshtësia teknologjike e sulmeve


Sulmet në Mumbai, 29 nëntor '08.
Sulmet në Mumbai, 29 nëntor '08.

Sulmet vetëvrasëse, armët biologjike, e madje edhe ato që njihen si bomba të ndyta, që mund ta kontaminojnë një qytet të tërë, mund të jenë të harruara. Më pak se dy muaj më parë, 10 persona të armatosur me pushkë, mjete shpërthyese dhe telefona celularë, tërhoqën vëmendjen e botës gjatë sulmeve në Mumbai të Indisë. Gjatë këtyre sulmeve vdiqën 170 persona dhe u lënduan qindra të tjerë. Tre zyrtarë të lartë amerikanë për çështje sigurie kanë dëshmuar para Kongresit se incidentet në Mumbai tregojnë se sulmet e këtilla me armë të vogla mund të jenë pjesë e valëve të terrorit në të ardhmen.


Pavarësisht nga pyetjet që bënin anëtarët e Komitetit për Sigurinë Kombëtare të Senatit amerikan, përgjigjet ishin të njëjta - sulme me armatim të teknologjisë së ulët.

Çelësi i sulmeve në Mumbai ishte armatimi i këtillë, i shoqëruar me vëzhgim të teknologjisë së lartë, që mund të gjendet kudo, një telefon celular.

Charles Allen, nga Departamenti amerikan për Sigurinë Kombëtare, kështu e shpjegon këtë çështje.

"Sulmet me pajisje të teknologjisë së ulët mund të përmbushin synime strategjike. Sulmuesit në Mumbai kanë qenë në gjendje të zmbrapsin forcat, duke shfrytëzuar vetëm pushkë automatike, granata dhe disa mjete shpërthyese, pra një armatim bazik për një luftëtar. Ata gjithashtu kanë shfrytëzuar satelitin dhe telefonat celularë për të maksimalizuar efektivitetin dhe kanë ndjekur mediat nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit",
thotë zoti Allen.

Donald Van Duyn, nga Byroja Federale e Hetimeve, FBI, thotë se kjo taktikë e suksesshme ka dërguar një mesazh të fuqishëm tek njerëzit e gabuar.

Sipas tij, hetuesit kanë marrë disa mësime nga sulmet në Mumbai. Jo vetëm që armët e thjeshta mund të jenë efektive kundër policisë, e cila është në pritje të sulmeve më të sofistikuara, por sulmet e këtilla janë shumë të thjeshta edhe për t'u kopjuar.

"Armët e thjeshta mund të jenë po aq vdekjeprurëse sa edhe ato të shkatërrimit në masë. Nuk duhet të jetë befasi fakti se një ekip i vogël, i stërvitur mirë, mund të shkaktojë tmerrin që pamë në Mumbai. Grupet tjera terroriste padyshim se do t’i marrin mësimet e veta dhe do të synojnë t’i imitojnë këto sulme", thotë zoti Van Duyn.

Kryesuesi i Komitetit, senatori Joseph Lieberman, e ka pyetur dëshmitarin e tretë, shefin e policisë së New Yorkut, Raymond Kelly, nëse sulmet në Mumbai shënojnë një pikë kthese në atë që presidenti amerikan, George Bush, e quan luftë kundër terrorizmit.

Absolutisht, tha zoti Kelly, sipas të cilit, sa më shumë detaje që ka mësuar nga sulmuesit në Mumbai, aq më tepër i ka bërë përshtypje thjeshtësia e metodave të tyre në gjakderdhjen e shkaktuar.

"Janë armë bazike që shkaktuan vdekjen e rreth 500 njerëzve dhe lëndime serioze tek qindra të tjerë. Prandaj, besoj se do të mësojmë shumë gjatë hetimeve mbi këtë rast. Por, mund të jetë thjesht një pikë kthese në kuptimin që thjeshtësia relative e këtij sulmi mund të kopjohet lehtë nga të tjerët", tha zoti Kelly.

Të tre dëshmitarët u pajtuan se bota mbase nuk e ka parë ende fundin e njerëzve të këtillë, siç ishin ata që mbajtën peng Mumbain për 72 orë me radhë.
XS
SM
MD
LG