Ndërlidhjet

“Tadiq heq dorë nga letra protestuese”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Bujar Dugolli më në fund ka folur. Procesin zgjedhor në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë e ka vlerësuar me notë të dobët. “Sipas mendimit tim kritik, mund të them se janë bërë disa përpjekje që të bëhen disa reforma funksionale, por është arritur shumë pak”, është shprehur Dugolli, i cili për herë të parë që nga koha kur me një grup shokësh nga Partia Parlamentare u shkrinë në AAK, nuk është pjesë e kryesisë së saj. Dugolli, për herë të parë për media, ka folur edhe rreth aderimit në AAK të Blerim Shalës. “Fillimisht dua të qartësoj një gjë për opinion. Unë nuk kam asgjë kundër ardhjes së Blerim Shalës, ai është një publicist i mirë, një njëri i ditur në fushën e medieve dhe e çmoj si të tillë, por nuk mendoj se është një politikan i karrierës, të cilin do ta kishin për lakmi ta kishin edhe subjektet e tjera politike”, ka theksuar Dugolli, duke shprehur bindjen se Shala nuk do të mund të sjellë vota për AAK-në...

BOTA SOT
“Promotor dhe promovues i demokracisë, pamje e Shqipërisë moderne, demokratike e evropiane” – kështu e ka cilësuar figurën e presidentit të Shqipërisë, z. Bamir Topit, kryesuesi i seancës solemne, akademik Sabri Hamiti. Presidenti shqiptar, Bamir Topi, po qëndron në Kosovë me ftesë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Kjo është vizita e tij e parë në Kosovën shtet i pavarur. Kosova, nëpërmjet përfaqësuesve të saj legjitimë, falënderon Shqipërinë për ndihmën dhe mbështetjen për lirinë dhe pavarësinë e saj, si dhe ndihmën e saj për integrime shqiptare, rajonale dhe evropiane. Seancën e parë solemne të këtij viti të Parlamentit të Kosovës e nderoi presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili vizitën e tij të parë në shtetin e ri e shfrytëzoi për të sjellë urimet e gjithë shqiptarëve të Shqipërisë për Kosovën shtet të pavarur. Kreu shqiptar premtoi mbështetje të plotë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria është aleatja më e madhe e Kosovës në rrugën e saj drejt Evropës dhe aleancës euroatlantike...

EXPRESS
Ndonëse ishte paralajmëruar me pompozitet të madh, para katër ditësh, presidenti serb, Boris Tadiq, ka hequr dorë nga dërgimi i letrës protestuese në OKB dhe BE. Me këtë letër ai fajësonte shqiptarët për dhunën në Mitrovicë. Kritikonte forcat ndërkombëtare për mosmbrojtje të serbëve. Por, ajo mbeti vetëm tek mediat... Protesta e Tadiqit, as në ditën e katërt pas publikimit në media, nuk ka mbërritur në Presidencën e Bashkimit Evropian, që kryesohet nga Republika Çeke. Këtë e ka konfirmuar ambasadorja çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova. “Ne nuk dimë gjë për ekzistencën e kësaj letre”, ka thënë ajo, të enjten, për Express. Edhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara kanë deklaruar se nuk kanë pranuar kurrfarë letre nga Tadiq. Misteri rreth letrës protestuese të presidentit serb nuk përfundon me kaq. Të martën, në webfaqen zyrtare të tij, është publikuar njoftimi për këtë letër, por më pas është hequr pa asnjë sqarim. Një zyrtar i lartë ndërkombëtar, i cili foli me kusht anonimiteti, ka thënë dje për gazetën se Tadiq ka hequr dorë nga dërgimi i letrës në BE dhe OKB...

LAJM
Banorët shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve, duke parë pavendosmërinë e EULEX-it dhe UNMIK-ut për të vepruar ndaj grupeve serbe dhe strukturave të organizuara nga Serbia në veri të Mitrovicës, iu kanë drejtuar me një peticion për ndihmë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Në peticionin që i është drejtuar edhe presidentit Fatmir Sejdiu, banorët shprehin shqetësimet e tyre për gjendjen e krijuar në veri të Mitrovicës, ku grupe të organizuara serbe ushtrojnë dhunë ndaj banorëve dhe pronës së shqiptarëve. Fevzi Beqiri, banor i Lagjes së Boshnjakëve dhe njëri nga nënshkruesit e këtij peticioni, tha se banorët shqiptarë të kësaj lagjeje janë për bashkëjetesë me serbët e Mitrovicës. Megjithatë, kjo, sipas tij, nuk i ka penguar aspak grupet serbe, të dirigjuara nga Beogradi, për të provokuar shqiptarët...

ZËRI
Institucionet e Kosovës nuk dëshirojnë t’i shfrytëzojnë ato që në fjalorin e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, quhen shërbime të mira (good offices). Në kohën kur e gjithë prania ndërkombëtare në Kosovës bën fjalë për përgatitjet rreth vazhdimit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit “për çështje teknike”, Presidenca dhe Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk e kanë ndërmend të marrin pjesë në bisedime të tilla, përderisa Kosova vazhdon të mos njihet si shtet nga Serbia. Janari është muaji i paralajmëruar nga vetë UNMIK-u për vazhdimin e bisedimeve rreth implementimit të planit 6-pikësh, të cilin OKB e arriti në muajin nëntor me Beogradin... “Nuk ka ndryshuar asgjë dhe pozicioni i institucioneve të Kosovës është se bisedime mund të ketë sikur me çdo shtet tjetër sovran për raporte të fqinjësisë, liberalizimi të kufijve e qarkullim të mallrave”, ka thënë dje Xhavit Beqiri, zëdhënës i Presidencës së Kosovës. Ai është shprehur se deri në mbrëmjen e së enjtes nuk është kërkuar asnjë takim me presidentin Fatmir Sejdiu nga ana e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier...

KOHA DITORE
Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë pritet ta nënshkruajnë një lloj marrëveshjeje “Mini Shengeni”, që synon qarkullimin e lirë të njerëzve brenda një periudhe dymujore, pasi që grupet e ekspertëve të të dyja vendeve të bëjnë përgatitjet e duhura për këtë. Një marrëveshje e tillë pritet t’u ofrohet edhe shteteve të tjera fqinjë si pjesë e politikave të liberalizimit të kufijve dhe rrugës së integrimit evropian. Kjo është bërë e ditur pas vizitës së parë të presidentit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Bamir Topi, pas shpalljes së pavarësisë në vitin e kaluar. Mesazhi për ruajtjen e paqes, angazhimi për rritjen e bashkëpunimit reciprok ndërshtetëror dhe rajonal, dhe thirrjet për standard të njëjtë të të drejtave të komuniteteve si në Mitrovicë, ashtu edhe në Preshevë, kanë qenë disa nga çështjet e tjera që janë debatuar në vizitën e kreut të shtetit shqiptar në Kosovë...

KOSOVA SOT
Drejtori i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, për “Kosova sot” tha se vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, deri më 30 qershor, antikorrupsioni i ka shpëtuar 3 milionë euro buxhetit të Kosovës nga procedurat e prokurimit publik. “Deri në kompletimin e raportit për gjysmën tjetër të vitit 2008 ka edhe shumë, por nuk dua të spekuloj para kohe, pa u zbardhur ende raporti”, ka thënë ai. “Tre milionë e 100 mijë euro keqmenaxhime të parasë publike janë parandaluar. Sigurisht se kjo shifër do të jetë dyfish më e madhe në raportin final...”. Kreu i antikorrupsionit ka shtuar se stafi i agjencisë është plotësuar me ekspertë që e njohin mirë Ligjin për procedurat e prokurimit, ku tre prej zyrtarëve përcjellin vazhdimisht ueb-faqen e KRPP-së, publikimet e fituesve dhe garuesve në aktivitetet e tenderimit...

INFOPRESS
Përfundimisht, serbët e Kosovës kanë nisur të kuptojnë realitetin e ri dhe ta pranojnë atë. Kohëve të fundit, ata po aplikojnë në masë të madhe për t’u pajisur me dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës. Dëshmia më e mirë për këtë janë Komuna e Lipjanit dhe ajo e Graçanicës, ku vetëm në dy javët e fundit, qindra qytetarë serbë kanë kërkuar dokumentet zyrtare të shtetit të ri... Ndërkaq, sipas Fisnik Rexhepit, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ky është një rezultat i inkurajimit të vazhdueshëm që institucionet u kanë bërë qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës që të kthehen nga Prishtina dhe të pranojnë realitetin e ri të krijuar në vend... “Përkundër presionit që është ushtruar në vazhdimësi nga Beogradi për të mos pranuar këto dokumente, kohëve të fundit, serbët e Republikës së Kosovës kanë treguar një interesim të madh që të pajisen me dokumentet zyrtare”, thotë ai...
XS
SM
MD
LG