Ndërlidhjet

Jackson: Mitrovica s'është diskutuar gjatë Marrëveshjes së Kumanovës


Michael Jackson
Michael Jackson

"Në kohën e bisedimeve për Marrëveshjen e Kumanovës nuk është përmendur asnjëherë Mitrovica. Jam i sigurt se nuk kemi folur për Mitrovicën në veçanti gjatë atyre negociatave", thotë komandanti i parë i KFOR-it, gjeneral Michael Jackson.




RADIO EVROPA E LIRË

Gjeneral, Marrëveshja e Kumanovës solli fundin e sulmeve të NATO-s kundër caqeve të Millosheviqit në vitin 1999. Serbia ka kërkuar së fundi ndryshimin apo rishikimin e Marrëveshjes. A është kjo kërkesë e pranueshme?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Do të jetë shumë e vështirë për ta ndryshuar Marrëveshjen, e cila u arrit pas negociatave jo të lehta. Pjesa më e madhe e Marrëveshjes kishte të bënte me tërheqjen forcave serbe të sigurisë, ndaj nuk jam i sigurt se çfarë pjesësh të Marrëveshjes duan të rishohin apo ndryshojnë.

Më kujtohet se mes të tjerash Marrëveshja bënte fjalë dhe për zonën prej 5 km brenda territorit të Serbisë, ku nuk mund të vendoseshin forca serbe. Aktualisht nuk e di nëse bëhet fjalë për ndryshimin e kësaj pjese.

Marrëveshja e Kumanovës ishte shumë e rëndësishme, pasi i dha fund veprimeve ushtarake dhe arriti atë që në Rezolutën 1244 cilësohet si vendosje e pranisë ushtarake dhe civile ndërkombëtare. Nuk mendoj se ndryshimi i Marrëveshjes do të ishte gjë e mençur.

Për më tepër, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova, ndryshimi i mundshëm i Marrëveshjes është dhe më i komplikuar. Atëbotë, marrëveshja u arrit me NATO-n dhe jo me ndonjë autoritet apo me përfaqësues të Kosovës.

E përsëris dhe një herë se ndryshimi i Marrëveshjes do të ishte shumë i komplikuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e përmendët dhe ju, tashmë Kosova është e pavarur. A ka ndonjë element në Marrëveshjen e Kumanovës që rrezikon shtetësinë e Kosovës?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Nuk e di. Kjo është më shumë një pyetje politike, diplomatike e ligjore, sesa pyetje për një ushtar si unë.

Marrëveshja e Kumanovës ishte e bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe u legjitimua nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Le të kthehemi pas në kohë. Keni marrë pjesë, madje i keni drejtuar negociatat për Marrëveshjen e Kumanovës. Si i kujtoni ato negociata?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Ishin të vështira, morën një kohë të gjatë dhe e dija se ishte një detyrë e vështirë për delegacion serb. Ishte një proces i vështirë, por, në fund të fundit, u arrit një marrëveshje që u pranua nga të dyja palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë komandanti i parë i KFOR-it. Si i kujtoni veprimet e KFOR-it në veri, veçanërisht të trupave franceze, duke pasur parasysh se qysh atëherë kemi një Mitrovicë të ndarë?

GJEN. MICAHEL JACKSON
Padyshim, gjendja në Mitrovicë ishte shumë e vështirë. Përbërja demografike në të dyja pjesët e qytetit të ndarë nga lumi Ibër ishte e qartë në vitin 1999, ashtu si dhe më vonë.

Forcat franceze kishin një detyrë të vështirë, pasi emocionet mes njerëzve në terren ishin në pikën më të lartë, ashtu siç ishin dhe armiqësitë mes serbëve të Kosovës në veri dhe shqiptarëve të Kosovës në jug të qytetit.

Kjo situatë kërkonte një qasje të kujdesshme dhe bazuar në rrethanat e kohës, forcat franceze bënë një punë shumë të kënaqshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush e mori vendimin për vendosjen e pengesës mbi urën në lumin Ibër?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Më kujtohet se ka qenë vendim i komandës franceze të KFOR-it, pasi kishte të bënte me një problem lokal.

RADIO EVROPA E LIRË
KFOR-i përbëhej nga trupat e shumë shteteve, të cilat ruanin komunikimin dhe marrjen e vendimeve nga kryeqytetet përkatëse. Sa i vështirë ka qenë drejtimi i KFOR-it në fillimet e veta?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Po, është fakt se në çdo forcë shumëkombëshe vendet kontribuuese, sipas të gjitha gjasave, vënë kushte konkrete për kontributin e tyre. Kjo lidhet dhe me kushtet dhe shqetësimet e brendshme politike të çdo vendi.

Kjo është e vërteta për çdo forcë shumëkombëshe, ndaj është detyrë e komandantit të kuptojë çdo kufizim të mundshëm ndaj kontingjenteve të caktuara. Duhet punuar me çdo kontingjent në këto kushte, pasi të dalësh kundër tyre është një rrugë pa krye.

Ka ndarje, por ato duhen pranuar. Duke iu rikthyer KFOR-it, më duhet të them se problemi i ndarjes nuk ka qenë diçka evidente. Natyrisht ka pasur elemente të caktuara që kishin të bënin me interesat kombëtare të shteteve të veçanta e që duheshin marrë parasysh, por në tërësi gjithë trupat vepruan mirë së bashku.

RADIO EVROPA E LIRË
A ju kujtohet nëse dikush, përfshirë dhe ju vetë, ka pasur kritika apo rezerva ndaj qasjes franceze, e veçanërisht vendosjes së pengesës në urën mbi Ibër?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Jo, nuk më kujtohet të ketë pasur kundërshtime të tilla. Francezët duhet të vepronin, pasi një numër i madh i të rinjve në të dyja anët e urës po sulmonin njëri-tjetrin. Ata duhet të mbaheshin larg njëri-tjetrit, si rruga e vetme për të shpëtuar jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Me kohën janë dëgjuar dhe spekulime të tilla se për të arritur Marrëveshjen e Kumanovës, serbëve u janë bërë lëshime për veriun e Kosovës. Sipas jush, a ka këtu ndonjë të vërtetë?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Jo... Në kohën e negociatave për Marrëveshjen nuk ka pasur trupa të NATO-s në Kosovë. Kjo është e pakuptimtë.

Jam i bindur se në kohën e bisedimeve për Marrëveshjen e Kumanovës nuk u përmend asnjëherë Mitrovica. Jam i sigurt se nuk kemi folur për Mitrovicën në veçanti gjatë atyre negociatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas Kosovës keni drejtuar ushtrinë britanike, e cila ka marrë pjesë dhe në misione të tjera, si ai në Afganistan e në Irak. Nëse do të krahasonit misionet e mëpasme me Kosovën, si do ta vlerësonit KFOR-in dhe kontributin britanik në të?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Kosova ishte ndërhyrja e dytë e madhe ku merrte pjesë Britania pas Luftës së Ftohtë. Së pari ishte Bosnja, e më pas Kosova.

Në terren kishim të bënim kryesisht me udhëheqjen britanike të misioneve, pasi udhëheqja e misioneve vinte nga qendra e veprimit të shpejtë të NATO-s, në të cilën Britania kishte rolin drejtues.

Në terren Britania ishte vendi që përcaktoi kornizat e misionit paqeruajtës. Në tërësi, pa dashur të jem jomodest, operacionet e KFOR-it ecën mirë.

Së pari ishim në gjendje të arrinim Marrëveshjen e Kumanovës, që përcaktoi kushtet për vendosjen e NATO-s në Kosovë, pamë tërheqjen e trupave serbe dhe u treguam të aftë të rikthenim stabilitetin në Kosovë.

Ne gjithashtu kishim detyrën e çmilitarizimit të UÇK-së, detyrë kjo shumë e rëndësishme jo thjesht ushtarakisht, por edhe politikisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat ishin vështirësitë kryesore në demilitarizimin e UÇK-së?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Sfida kryesore ishte fakti se shumë anëtarë të UÇK-së e shikonin veten si ushtria e Kosovës. Kjo ishte politikisht e papranueshme për Grupin e Kontaktit, OKB-në dhe faktorët e tjerë.

Ishte jo pak e vështirë t'i bëje ata të kuptonin se qe e pamundur të kishte një ushtri të Kosovës, që ishte nën administrimin e Rezolutës 1244.

RADIO EVROPA E LIRË
A ju kujtohen personalitetet kyçe kosovare në procesin e demilitarizimit të UÇK-së?

GJEN. MICHAEL JACKSON
Padyshim, më kujtohen dy në veçanti, Thaçi dhe Çeku. Thaçi e vendosi veten si komandant i përgjithshëm i UÇK-së, që ishte pozicion politik, ndërkohë që Çeku ishte komandanti ushtarak i UÇK-së.

Këto ishin dy figurat kyçe, por do të veçoja rolin e Agim Çekut, i cili u mor drejtpërdrejt me UÇK-në.
XS
SM
MD
LG