Ndërlidhjet

Lëmshi rreth zgjedhjeve


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Debati për zgjedhjet e përgjithshme është duke vazhduar, derisa konsensusi brenda partive politike për mbajtjen e tyre duket të jetë larg. Institucionet e Kosovës këmbëngulin se duhet respektuar Kushtetuta, e cila përcakton mandat katërvjeçar për institucionet. Opozita thotë se ky është një interpretim shumë i thjeshtësuar.


Nuk dihet ende nëse do të mbahen apo jo zgjedhjet e përgjithshme këtë vit. Derisa një pjesë e opozitës është e bindur se këtë vit do të ketë zgjedhje, meqë kjo përcaktohet me planin e Ahtisaarit, partitë në pushtet këmbëngulin se këto zgjedhje duhet të mbahen pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të deputetëve.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se presidenti i shpall zgjedhjet për Kuvend të Kosovës. Zëdhënësi Xhavit Beqiri shpjegon qëndrimin e presidentit:

"Zgjedhjet lokale duhet të mbahen përafërsisht në nëntor të këtij viti. Ndërsa, zgjedhjet nacionale, ashtu si e përcakton Kushtetuta, duhet mbajtur në afat normal, derisa të mbarojë mandati i deputetëve aktualë, që Kushtetuta e përcakton se është mandat katërvjeçar", thotë Beqiri.

Por, shefi i Grupit Parlamentar opozitar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, e sheh këtë qëndrim si një interpretim të thjeshtëzuar të provizioneve kushtetuese.

"Në Kushtetutë është e tërë zgjidhja, ose pakoja e Ahtisaarit, e cila parasheh mbajtjen e zgjedhjeve nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Në anën tjetër, ka qenë konsensus i plotë i partive politike që kjo të ndodhë. Të gjitha këto shpjegime që bëhen sot, realisht janë të çuditshme", tha Gjini.

Në anën tjetër, homologu i Gjinit nga Partia Demokratike e Kosovës, Ramë Buja, thotë se këtë subjekt nuk e frikësojnë zgjedhjet e reja. Por, sipas tij, mbajtja e tyre këtë vit do të paraqiste shkelje të akteve ligjore, por edhe humbje të efikasitetit të qeverisjes për të paktën 6 muaj.

"Si subjekt politik nuk na pengon asgjë që t'i mbajmë, bile konsideroj se jemi të favorizuar, por është çështja se duhet respektuar aktet, që vetë i kemi nxjerrë, vetë i kemi aprovuar dhe vetë duhet t'i respektojmë", tha Buja.

Pro zgjedhjeve është edhe subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Dardanisë. Shefi i Grupit Parlamentar, Lulzim Zeneli, thotë se zgjedhjet duhet mbajtur, sepse, sipas tij, ky është obligim që kanë marrë mbi vete institucionet, por edhe subjektet politike në Kosovë kur kanë miratuar planin e Ahtisaarit.

"Zgjedhjet duhet mbahen në përputhje me obligimet që dalin nga pakoja dhe kjo nënkupton që në vjeshtën e këtij viti, ne duhet t'i kemi zgjedhjet lokale dhe nacionale, dhe në këtë mënyrë t'i forcojmë institucionet kredibile", tha Zeneli.

Meqë aktualisht konsensusi ndërpartiak mungon sa i përket arritjes së një marrëveshjeje politike për mbajtjen e zgjedhjeve, duket se zgjidhja do të kërkohet nga Zyra Civile Ndërkombëtare. Ardian Gjini thotë se kjo zyrë ka kompetencë ta bëjë këtë.

"Në bazë të provizioneve kushtetuese, ICO e interpreton pakon e Ahtisaarit", theksoi Gjini.

Por, Ramë Buja mendon se vendimi për zgjedhjet duhet gjetur në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, edhe pse kjo kushtetutë ka për bazë vetë planin e Ahtisaarit.

"Arbitri më i madh i mundshëm është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila u bë me marrëveshje brendakombëtare e ndërkombëtare. Dhe natyrisht, edhe ai që ka qenë më shumë ndikues në Kushtetutë, ka qenë pakoja e Ahtisaarit, por vetë Atisaari deklaron se zgjedhjet nuk janë domosdo që të mbahen vitin që po vjen", tha Buja.

Në anën tjetër, Lulzim Zeneli konsideron se nëse shkelen parimet e pakos, atëherë i tërë ky plan vihet në pikëpyetje.

"Jemi të bindur se edhe ICO do ta thotë fjalën e vet dhe përfundimisht institucionet kosovare dhe subjektet politike do të demonstrojnë se janë elemente shtet-formuese dhe i kontribuojnë edhe zhvillimit të procesit në vend", u shpreh Zeneli.

Ndryshe, Zyra Civile Ndërkombëtare deri më tani ka qenë e rezervuar ndaj deklarimit nëse duhet ose jo të mbahen zgjedhjet nacionale, duke ua lënë këtë në duar kosovarëve që të vendosin vetë.
XS
SM
MD
LG