Ndërlidhjet

Topi: Kosova dhe Shqipëria në familjen evropiane


Bamir Topi
Bamir Topi

Kosova dhe Shqipëria do të jenë pjesë e familjes evropiane, tha presidenti Bamir Topi, në përmbyllje të vizitës së tij dyditëshe në Prishtinë. Ai tha se populli shqiptar është i orientuar kah demokracia dhe nuk dëshiron që të ndryshojë me asgjë nga pjesa tjetër e civilizimit evropian.



Me përshtypjet se Kosova dhe populli shqiptar kanë shënuar përparime të mëdha këto vitet e fundit, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka përmbyllur vizitën e tij dyditëshe në Kosovë.

Në një konferencë përmbyllëse të vizitës së tij në Kosovë, presidenti Topi tha se orientimi pro-demokratik dhe pro-perëndimor i Kosovës dhe lidershipit të saj, ka bërë që statusi i saj tashmë është zgjidhur sipas vullnetit të popullit të Kosovës.

I gjithë ky proces pozitiv për shqiptarët, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, theksoi Topi, ka rrjedhur mbarë falë ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare, por edhe orientimit të shqiptarëve kah demokracia dhe bota demokratike. Kurse, të gjithë ata popuj e ato vende që do të shmangen nga kjo rrugë, nënvizoi Topi, do të mbeten prapa në këtë proces historik.

“Sot dominon filozofia evropiane dhe euroatlantike dhe të gjithë ata që kanë mbetur peng i mentaliteteve të vjetra, natyrisht që do të jenë të dështuar në këtë mision”.

“Kosova duke qenë pjesë e kësaj filozofie, Shqipëria duke u futur në NATO, duke lidhur marrëdhënie të kësaj natyre dhe duke respektuar të drejtën e çdo shteti për të bërë marrëveshje në kuadrin kushtetues të secilit vend - andaj, nuk ka arsye që në vitin 2009 ne të kemi në psikologji, në psikozën tonë, diferenca me qytetarët evropianë”,
tha Topi.

Presidenti Topi është shpallur sot edhe qytetar nderi i qytetit të Ferizajt. Vitin e kaluar, ai ishte shpallur qytetar nderi edhe i Prishtinës, andaj sot Topi tha se me këtë titull është nderuar i tërë populli i Shqipërisë.

“Sot, unë jam shumë i nderuar, sepse jam qytetar nderi i Prishtinës, i Ferizajt dhe e konsideroj këtë titull si një titull që u takon të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, pasi që unë përfaqësoj në pozicionin e presidentit të gjithë popullin e Shqipërisë”, deklaroi Topi.

Duke iu referuar zhvillimeve aktuale politike që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës, presidenti Topi tha se i kishte parasysh edhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, marrë parasysh se ky vend nuk ka përvojë në diplomaci. Por, ai tha se njohja prej 53 vendeve është një e arritur e madhe dhe u shpreh optimist se njohjet nuk do të ngecin, por do të jenë edhe më masive.

“Kosova sot është njohur nga 53 vende, pra janë vende me shumë peshë, por është një proces që vjen në mënyrë progresive, hap pas hapi. Aktorët janë në terren, të gjithë punojnë dhe zgjidhjet mos mendoni se vijnë brenda orës, por janë zgjidhje, të cilat premtojnë të arrijnë qoftë në vendet e botës islamike, qoftë në vendet e Amerikës Latine. Pra, ka një përpjekje të karakterit global dhe fatmirësisht në gjithë këtë proces ne ndihmohemi edhe nga partnerët tanë”, theksoi presidenti Bamir Topi.

Presidenti shqiptar i ka bërë thirrje Prishtinës që të vazhdojë me përkujdesin ndaj pakicave, duke i ripërsëritur edhe kërkesën Serbisë se kujdesi që Tirana e Prishtina tregojnë për minoritetet, duhet të merret si shembull edhe nga Serbia, që edhe ky vend t’i respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Presidenti shqiptar edhe sot e ka cilësuar si projekt kapital rrugën Durrës – Morinë. Kjo rrugë, theksoi Topi, do të lidhë dhe shtojë bashkëpunimin mes dy popujve, që si aspiratë të përbashkët kanë integrimin në familjen evropiane.

Gjatë vizitës dyditëshe, presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga një delegacion i komunitetit të biznesit nga Shqipëria, ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë vendorë, ka takuar komandantin e KFOR-it dhe ka vizituar institucione të shkencës dhe ekonomisë.
XS
SM
MD
LG