Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Maqedoni më 22 mars


Partitë politike më relevante në Maqedoni zotohen se do të angazhohen për zgjedhje lokale dhe presidenciale të lira, demokratike dhe korrekte, që do të mbahen më 22 mars.

Kështu u konkludua në takimin midis liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, atij të Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev, liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe atij të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Kryeministri Gruevski njoftoi se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të mundësohet votim elektronik.

“LSDM-ja mbajti qëndrimin se është vonë të mundësohet votim elektronik, sepse zgjedhjet janë shumë afër dhe nuk duhet rrezikuar në këtë aspekt. Duke pasur parasysh se partia më e madhe opozitare nuk është e gatshme për votim elektronik, vendosëm që të mos aplikohet votimi i këtillë”, tha Gruevski.

Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të opozitës, Zoran Zaev, deklaroi se këto zgjedhje janë tepër të rëndësishme për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

“Bashkësia ndërkombëtare është e fokusuar në Maqedoni në prag të zgjedhjeve. Presim sinjale pozitive pas zgjedhjeve. Nëse duam të gjitha partitë politike të kemi zgjedhje demokratike, duhet të angazhohemi dhe t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i bindim qytetarët për zgjedhje të lira”, tha Zaev.

Përfaqësuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Xhevat Ademi, tha se partia e tij ka shprehur gatishmërinë e saj për zgjedhje demokratike.

“Në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe presidenciale, Maqedonia duhet ta përmirësojë imazhin e keq që lanë zgjedhjet e 1 qershorit”,
tha Ademi.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, deklaroi se në këtë takim ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në takimet e ardhshme, vetëm kur do të bisedohet për kërkesat e partisë së tij, meqë Qeveria bën disa gabime të rënda.

“Kjo qeveri tashmë e shkel Ligjin e amnistisë, nuk e zbaton Marrëveshjen e Ohrit dhe në mënyrë të vetëdijshme e ka bllokuar procesin e integrimit të vendit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Toleranca jonë do të jetë shumë e vogël dhe ndoshta do të vijë momenti që ajo të jetë zero”, theksoi Menduh Thaçi.

Në takimin e liderëve është rënë dakord që Qeveria para zgjedhjeve t’i ndërpresë të gjitha fushatat e saj. Po ashtu u vendos që opozita të udhëheqë me komision për lustrim, ndërsa të gjithë kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale dhe presidenciale, duhet të dorëzojnë deklaratë se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG