Ndërlidhjet

Fati i bisedimeve teknike ende i paqartë


Përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë thonë se nuk do të ulen në një tavolinë me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Ndërsa, zyrtarë të kësaj të fundit thonë se mund të bisedojnë me Serbinë vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane.


Preferenca e Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e një dialogu të drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, quhet e parealizueshme nga përfaqësues të Qeverisë së Serbisë.

Sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, hedh poshtë idenë që misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, të mund të jetë ndërmjetësues potencial në bisedime teknike dhe thekson se i vetmi ndërmjetësues i pranueshëm për Beogradin zyrtar në këto bisedime, është administrata e OKB-së, e cila ka moderuar dialogun e deritanishëm teknik.

"UNMIK-u është i vetmi institucion i pranuar nga të dyja palët. EULEX-i nuk ka më tepër përgjegjësi përveç tri çështjeve, që janë gjyqësia, policia dhe doganat, dhe ne kemi shumë më tepër gjëra për të diskutuar. Do të doja të theksoja se është e pamundshme të parashihet që në një të ardhme të afërt të ketë një dialog të drejtpërdrejtë. Pra, kushdo që do t'i ndërmjetësojë këto bisedime, duhet ta ketë të qartë se do të duhet të zhvillojë takime të ndara, ngase Qeveria e Serbisë nuk do të takojë përfaqësuesit e së ashtuquajturës Republikë të pavarur të Kosovës", thotë Ivanoviq.

Qeveria e Kosovës ka thënë se mund të bisedojë me Serbinë rreth çështjeve që nuk kanë të bëjnë me sovranitetin, por integrimet evropiane dhe raportet ndërfqinjësore. Presioni diplomatik drejtuar Prishtinës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, siç thotë Ivanoviq, duhet të zgjidhë këtë çështje, duke shtyrë Kosovën ta zbatojë planin gjashtëpikësh të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë.

"Bashkësia ndërkombëtare duhet t'i bëjë presion Qeverisë së Kosovës që të kuptojë se dokumentet zyrtare siç është ai i Sekretarit Gjeneral të OKB-së, janë obligative. Ato dokumente janë obligative dhe për shqiptarët e Kosovës, sepse ata nuk janë në një ishull të izoluar, por gjenden në mes të Evropës", thekson Ivanoviq.

Analistet për çështje politike në Prishtinë thonë se, marrë parasysh pajtimin e Republikës së Kosovës për rikonfigurimin e UNMIK-ut, Prishtina zyrtare do ta ketë vështirë të kundërshtojë vazhdimin e dialogut teknik me Beogradin si dhe moderimin e këtij dialogu nga UNMIK-u. Analisti Driton Lajçi sqaron qëndrimin e tij:

"Prishtina zyrtare e ka të pamundshme që t'i heqë nga agjenda e misionit të Kombeve të Bashkuara ato bisedime teknike, sepse e ka pranuar rikonfigurimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe e ka të pamundshme që të ndryshojë në këto gjashtë pika dhe në bisedat teknike", thotë Lajçi.

Zyrtarë të administratës së OKB-së në Kosovë, kohë më parë, kanë paralajmëruar vazhdimin e dialogut teknik Prishtinë-Beograd, por deri më tani nuk ekziston ndonjë agjendë konkrete për zhvillimin e këtyre bisedimeve. Analisti Ismail Hasani mendon se UNMIK-u duhet sa më parë të caktojë këtë agjendë, duke i përcaktuar bisedimet si bisedime të natyrës teknike.

"Bisedimet dhe ky proces do të duhej të kornizohej në mënyrë të detajuar dhe ekskluzivisht këto bisedime të përkufizohen si bisedime të natyrës teknike", theksoi Hasani.

Pas dialogut të fundit teknik Prishtinë-Beograd, Sekretari Gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon, kishte nxjerrë dokumentin 6-pikësh të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë - dokument ky i cili parasheh aranzhime të reja për policinë, doganat, gjyqësinë, transportin, trashëgiminë kulturore e fetare serbe, si dhe administrimin e vijës kufitare.
XS
SM
MD
LG