Ndërlidhjet

Qeveria Kosovës ende nuk ka marrë një vendim të prerë se kur do të ndalojë hyrjen e mallrave nga Serbia dhe Bosnja. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, javën e kaluar, i ka dërguar një letër Komitetit të përbashkët të CEFTA-s, për ta shqyrtuar këtë çështje. Ai thotë se tani janë në pritje të mbajtjes së mbledhjes me të gjithë anëtarët e Komitetit.

"Kemi kërkuar në mënyrë zyrtare takimin e Komitetit të përbashkët të CEFTA-s, i cili përbëhet prej ministrave të vendeve anëtare. Gjatë kësaj jave, ne do të kryejmë konsultime intensive me shumicën e ministrave, me shumicën e anëtarëve të atij Komiteti dhe të shohim thjesht qëndrimin e tyre apo pikëpamjen e tyre për zgjidhjen e kësaj situate. Sipas vendimit të mëhershëm, në këso lloj rastesh, Komiteti duhet të mblidhet në afatin maksimal prej 30 ditësh", tha Zharku.

Ministri Zharku, që është edhe anëtar i Komitetit të CEFTA-s, bën të ditur se Qeveria e Kosovës nuk mund të marrë asnjë vendim të shpejtë para takimit të ministrave të vendeve nënshkruese të Marrëveshje për Tregti të Lirë - CEFTA.

"Unë mund të them se para se të mbahet mbledhja apo para se ne të kemi ndonjë indikacion që mbledhja nuk do të ketë asnjë sukses, atëherë ne mund të marrim ndonjë vendim. Përndryshe, ne do të mundohemi që mbledhjen ta mbajmë në një afat sa më të shkurtër. Unë jam i prirë në atë që ne të jemi të gatshëm, por, megjithatë, duhet të respektohen disa procedura”,
tha ministri Zharku.

Nga ana tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të marrë një vendim për bllokimin e mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Drejtori i Institutit Riinvest, Muhamet Mustafa, thotë se institucionet e Kosovës nuk duhet të presin derisa anëtarët e CEFTA-së të marrin një vendim për këtë problem.

"Unë nuk pres që ajo mbledhje të zgjidhë diçka, për arsye se qëndrimi është politik. Serbia nuk dëshiron të blejë mallra me dokumente ku është emri i Republikës së Kosovës. Kosova duhet të përgjigjet me reciprocitet dhe njëkohësisht të shprehë gatishmërinë që të zhvillojë marrëdhënie tregtare, marrëdhënie të tregtisë së lirë me fqinjët e vet", u shpreh Mustafa.

Mustafa konsideron se Serbia dhe Bosnja më vonë do t'i shohin pasojat nga mungesa e eksportit të mallrave të Kosovës në vendet e tyre.

"Ajo do të ndryshojë vetëm në një fazë tjetër, kur ata t’i shohin dëmet që do t’i kenë nga pengesa e eksportit të Kosovës, qoftë në territorin e Serbisë, qoftë duke kaluar transit nëpër territorin e Serbisë për vendet tjera", tha Mustafa

Ekspertët thonë se duke mos gjetur mundësi tjetër të parandalojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, Serbia ka nisur t’i bllokojë prodhimet kosovare dhe atë në mënyrë të heshtur, madje për këtë e ka bërë aleat Bosnjë e Hercegovinën.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë vlerësuar se kjo bllokadë e mallrave të Kosovës nga ana e Serbisë, bizneseve kosovare vetëm gjatë muajit të kaluar u ka shkaktuar humbje në vlerë prej 800 mijë eurosh.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG