Ndërlidhjet

“Krasniqi: Jo bisedime politike me Serbinë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Prishtina zyrtare tregohet më e përmbajtur në raport me dialogun me Beogradin, pas paralajmërimeve të reja të kreut të UNMIK-ut për një raund të ri bisedimesh teknike, që burojnë nga plani i rikonfigurimit të UNMIK-ut, të definuara edhe si gjashtë pikat e Ban Ki Moonit. Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi thanë dje se Kosova do të bashkëpunojë me Serbinë vetëm në kuadër të raporteve ndërshtetërore dhe çështjeve të caktuara në planin e Ahtisaarit, por nuk do të bisedojë me këtë vend për gjashtëpikëshin apo agjenda të tjera. “Normalizimi përfundimtar i raporteve Kosovë – Serbi do të ndodhte sikur Serbia ta njihte Kosovën si shtet të pavarur e demokratik”, theksoi Thaçi. Kjo, sipas tij, do të ishte zgjidhja më e mirë edhe për Beogradin, edhe për Prishtinën, por edhe për paqen në rajon... Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e përjashtoi mundësinë që legjislativi i vendit të diskutojë më rreth planit gjashtëpikësh të OKB-së. “Kuvendi i Kosovës ka detyra të tjera. Për gjashtëpikëshin institucionet e Kosovës e kanë dhënë fjalën e tyre. Asnjë institucion nuk i ka mohuar bisedimet me Serbinë për çështjet që janë me interes reciprok. Por, natyrisht institucionet e Kosovës dhe askush në Kosovë nuk ka të drejtë të zhvillojë bisedime politike për procesin politik në Kosovë”, tha Krasniqi...

KOHA DITORE
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka përmendur asnjë dështim, por ka folur vetëm për suksese të Qeverisë që drejton, duke prezantuar raportin e punës njëvjeçare, në një konferencë për media, të hënën. Ai është shprehur i kënaqur edhe me sektorët, të cilët kanë dështuar më së shumti, energjetika dhe shëndetësia, dhe nuk ka pohuar të ketë ndërmend të bëjë ndryshime në udhëheqjen e këtyre dy sektorëve. Kryeministri ka bërë të ditur se raportin e punës njëvjeçare ia ka dorëzuar edhe presidentit Fatmir Sejdiu, si dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ndërsa ka thënë se do t’ua dërgojë edhe subjekteve politike të vendit dhe do ta prezantojë edhe para deputetëve të Kuvendit nëse për këtë ka interesim... I pyetur nëse Qeveria gjatë mandatit njëvjeçar ka pasur edhe dështime, meqenëse ai ka folur vetëm për sukseset, kryeministri Thaçi ka folur për sfida, pr prapë nuk ka përmendur dështimet...

INFOPRESS
Një debat i ri që ka zënë fill kohëve të fundit në Kosovë, ka nxjerrë edhe zëra që kërkojnë hapjen e dosjeve, të njëjtën gjë që po kërkohet edhe në Shqipëri. Por, cilat dosje? Dosjet personale nuk janë në Kosovë. Serbia ka thënë zyrtarisht se ato janë djegur bashkë me ndërtesën famëkeqe të MUP-it, por jo të gjithë e besojnë këtë version. Të tjerët thonë se dosjet janë fshehur diku në Serbi... Por, edhe sikur të ishin në Kosovë, si do të hapeshin e çfarë do të bëhej me to? Kush i ka shkruar dhe a do t’u besohej? Njohës të kësaj fushe thonë se dosjet e shkruara nga shërbimi sekret serb mund të jenë komprometuese. “Problemi i dosjeve, mu më duket se është futur në diskutim pa një përgatitje të duhur politike, shoqërore dhe kuptimplote. Kur është fjala për dosjet e shtetit, ne jemi një shteti ri që ende nuk e kemi sigurimin e shtetit. Ndërkaq, dosjet janë në duart e robëruesve tonë, në duart e Sigurimit të shtetit të Serbisë”, thotë Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë...

BOTA SOT

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është në dijeni me problemet aktuale dhe mangësitë në aspektin e sigurisë në vend, por, siç tha ai, këto politika destabilizuese janë skenarë të Serbisë dhe institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me maturi në raste të tilla... Ngritjen e debatit në Kuvend për veriun e Kosovës, ai nuk e sheh si një proces të vonuar, ngase, siç shprehet ai, për këtë çështje deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë as nga shefat e grupeve parlamentare e as nga Komisioni për Siguri... Nga ana tjetër, Rrustem Mustafa, kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri, mendon se Kuvendi i Kosovës duhet të merret me seriozitet dhe të diskutojë për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, edhe pse ky organ më i lartë është i vonuar në këtë proces. Ai ka brë të ditur se Komisioni për Siguri ka dalë me rekomandimet e tij lidhur me qasjen që duhet të kenë institucionet e Kosovës për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës. “Do të kërkojmë raporte nga të gjithë mekanizmat institucionalë dhe të procedojmë në Kuvend kërkesën që të diskutohet për sigurinë në veri të Kosovës”, tha Mustafa, sipas të cilit, Kuvendi i Kosovës është i vonuar në këtë proces...

EPOKA E RE
Adem Salihaj, njeriu që doli në krah të Nexhat Dacit gjatë kohës së ndryshimeve të mëdha në LDK, në një intervistë për “Epokën e re” ka shprehur bindjen e tij se largimi i Fatmir Sejdiut dhe Eqrem Kryeziut nga skena politike od të thotë krijim i një lidhjeje ndërmjet dy partive që për momentin janë kundërshtare të fuqishme ndërmjet vete. Sipas Salihajt, këta dy njerëz janë shkaktarët kryesorë për shumë dëme që i janë shkaktuar Kosovës pas luftës... Nga prizmi i një opozitari, Salihaj vlerëson negativisht punën njëvjeçare të koalicionit PDK-LDK. Sipas tij, këto dy parti kanë manifestuar sukses vetëm në aspektin e qeverisjes stabile. “Por, mënyra se si ka qeverisur më duket krejtësisht e pasuksesshme”, ka thënë ai. Akuzat kryesore ndaj Qeverisë, Salihaj i drejton te problemi i veriut të Kosovës. E keqja më e madhe, ka thënë Salihaj, është s koalicioni qeverisës as që po merret fare me atë problem...

EXPRESS
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka kërkuar takime me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, por zyrtarisht nuk është konfirmuar agjenda. Zannier është kthyer në Prishtinë të dielën, pas më shumë se tri javë pushimesh në Itali. Sipas burimeve të gazetës, Zannier shpreson të takojë liderët kosovarë të martën ose të mërkurën. Diplomati italian nuk është takuar me krerët e institucioneve të Kosovës që nga mesi i nëntorit, kur përfundoi në tavolinë marrëveshja mes OKB-së dhe Beogradit, përkatësisht propozimi gjashtëpikësh. Prishtina ka refuzuar këtë plan dhe për liderët vendorë gjashtëpikëshi është një projekt i vdekur, që nuk mund të zbatohet dhe as të diskutohet më. Mirëpo, çështjet e adresuara në këtë plan, policia, drejtësia, doganat, etj., që kanë të bëjnë me enklavat serbe, ende presin zgjidhje. Sipas burimeve, aktualisht nuk ekziston asnjë plan se si dhe kur mund të adresohen këto çështje dhe nga cilat organizata ndërkombëtare. Një nga rolet që i kanë mbetur UNMIK-ut pas reduktimit të madh të kompetencave, është edhe ofrimi i “shërbimeve të mira” për Prishtinën dhe Beogradin, nëse palët janë të interesuara që të hyjnë në bisedime për zgjidhjen e çështjeve teknike...

KOSOVA SOT
Janina Hrebickova ishte dje mysafire e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në përbërje të gjerë, ku morën pjesë shefat e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve. Para tyre prezantoi prioritetet e Qeverisë së Çekisë për Kosovën gjatë kryesimit të saj në Bashkimin Evropian. Sa i përket çështjes së bisedimeve të reja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, ambasadorja çeke tha se nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve. Ajo deklaroi se paraprakisht sinjalet do të mund të lansohen nga OKB-ja dhe misioni përfaqësues në Kosovë, sinjal që do të përcillet pastaj nga reagimet e Prishtinës dhe të Beogradit. “Varet prej Prishtinës dhe Beogradit, të cilat duhet ta bëjnë hapin e parë. Do të ketë reagime dhe pastaj do të mund të shihen mundësitë se çfarë lloj takimesh teknike do të mund të mbahen. Pastaj varet nga misioni i OKB-së në Kosovë dhe ne do të shohim me Komisionin Evropian dhe me EULEX-in, të sjellim një pako me një lloj skenari se si do të procedohet ky sukses”, tha ambasadorja Hrebickova...

LAJM
Lidershipi i PDK-së ende nuk ka vendosur të ndërpresë bojkotimin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithëkëtë, DPK-ja nuk do t’i bëjë publike për opinion arsyet e këtij hapi. Udhëheqja e partisë në pushtet kishte marrë vendim që dy përfaqësuesit e saj në KQZ, Xhelili Pajaziti dhe Betim Gjoshi, të mos marrin pjesë në dy mbledhjet e fundit të saj. Ndërsa, ende nuk dihet nëse ata do të marrin pjesë në mbledhjen e radhës, që edhe ashtu nuk dihet se kur do të mbahet. Kryesuesi i KQZ-së, Zait Xhemajli, ka konfirmuar për “Lajm” se përfaqësuesit e PDK-së ende nuk e kanë ndërprerë mosardhjen në mbledhje. Ai thotë se i është premtuar nga përfaqësuesit e PDK-së se kjo gjendje do të rregullohej pas vitit të ri, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende... Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, thotë se kjo çështje do të jetë pjesë e konsultave të brendshme në PDK, për të cilën do të merret një vendim politik... Stavileci ka mohuar mundësitë që PDK-ja të jetë duke e sabotuar punën e KQZ-së me qëllim që të ndikojë në shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë...
XS
SM
MD
LG