Ndërlidhjet

BE: Nga Ukraina vjen shumë pak gaz ose aspak


Komisioni Evropian tha se shumë pak gaz rus ka rrjedhur në Evropë përmes Ukrainës, disa orë pasi Rusia tha se e ka rifilluar dërgesën.

Zëdhënësja e komisionit, Pia Ahrenkilde Hansen u bëri thirrje të dyja palëve t'u përmbahen zotimeve të tyre.

"Informata që kemi nga monitoruesit tanë në Rusi është se po rrjedh shumë pak gaz apo aspak. Në këtë çast, nuk do të shpejtojmë me konkluzat përse ndodh kjo. Por kjo situatë është shumë serioze dhe duhet të përmirësohet shpejt", tha Hansen.

Gazpromi rus sot e akuzoi Ukrainën se po e bllokon tranzitin e gazit, por Ukraina tha se rrjedha e gazit është goditur shkaku i mungesës së koordinimit nga pala ruse.

Javën e kaluar Rusia i ndërpreu dërgesat e gazit përmes Ukrainës për në Evropë, duke e akuzuar Ukrainën për vjedhjen e gazit. Ukraina i ka mohuar akuzat.

Rusia u dakordua të rifillojë dërgimin e gazit pasi të dyja palët përfundimisht u pajtuan që monitoruesit evropianë t'i vëzhgojnë pikat e furnizimit me gaz të Evropës.

Komisioni Evropian tha sot se monitoruesve të BE-së nuk u është lejuar qasje e plotë te qendrat e shpërndarjes së gazit në Rusi dhe Ukrainë.
XS
SM
MD
LG