Ndërlidhjet

logo-print

Rruga drejt FMN-së dhe BB-së


Fondi Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se kanë përgatitur gjithë infrastrukturën ligjore dhe, sipas tyre, ka indikacione pozitive që në pjesën e parë të këtij viti, Kosova do të bëhet pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

Driton Qehaja, këshilltar për çështje ekonomike në Qeverinë e Kosovës, shpjegon:

"Me Fondin Monetar Ndërkombëtar jemi në kontakte të vazhdueshme. Presim prej FMN-së që ata të formojnë komitetin për anëtarësim dhe të vazhdojë puna. Menjëherë pasi që të formohet komiteti për anëtarësim, ne fillojmë të përgatisim të gjithë dokumentacionin e duhur", tha Qehaja.

Sipas rregullave për t'u anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, duhet që menjëherë pas pranimit të kërkesës për anëtarësim, të fillohet me fazat e tjera, si: fillimi i diskutimeve me FMN-në dhe Bankën Botërore për të filluar procesin e anëtarësimit; organizimi i një vizite zyrtare të një delegacioni për të takuar FMN-në dhe Bankën Botërore, në mënyrë që Qeveria të njihet më shumë me këto institucione; fillimi i përgatitjeve për misionin e anëtarësimit, si dhe fillimi i përgatitjeve për legjislacionin e nevojshëm të anëtarësimit. Këtë të fundit, zyrtarë të Qeverise së Kosovës thonë se e kanë përgatitur.

"Deri më tani ne kemi përgatitur ligjin për anëtarësim dhe opinionin ligjor. Që të dyja janë memorandume ligjesh, të cilat duhet të nënshkruhen nga autoritetet më të larta të Kosovës. Kështu që ne besojmë se në pjesën e parë të vitit do të jemi anëtarë të plotë të Fondit Ndërkombëtar", u shpreh Qehaja.

Mirëpo, ekspertët për çështje ekonomike shprehin skepticizmin e tyre sa i përket përgatitjeve të institucioneve të Kosovës për anëtarësim në FMN dhe në Bankën Botërore. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, konsideron se të gjitha deklaratat e deritanishme të zyrtarëve të Qeverisë janë vetëm propagandë dhe, siç thotë ai, nuk ka asgjë konkrete.

"Sinqerisht, e tëra kjo që bisedohet rreth anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore ose në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka më tepër konotacion propagandistik apo një eufori, e cila dëshirohet të prezantohet si e arritur qeveritare", thotë Gërxhaliu.

Për zotin Gërxheliu, deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë se Kosova në pjesën e parë të këtij viti do të bëhet pjesë e dy organizatave më të mëdha ndërkombëtare financiare, nuk janë të besueshme.

"Me siguri që unë do të isha i lumtur sikur të jetë ajo ashtu siç e prezantojnë nga kabineti qeveritar. Mirëpo, këtu duhet të kemi dozë të skepticizmit, sepse gjithmonë na premtojnë se kemi përgatitur diçka, por kur vjen koha që ato dokumente të prezantohen, ato mungojnë. E tërë kjo është më tepër një kampanjë, sesa një realitet. Dhashtë Zoti që të jetë kështu siç thonë ata, e jo ashtu siç mendoj unë. Por, nuk është aq procedurë e lehtë dhe nuk do të jetë hap i shpejtë", theksoi Gërxhaliu.

Sipas ekspertëve për çështje ekonomike, procedurat për aplikimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore nuk kanë qenë të vështira, por disa vështirësi, sipas tyre, do të paraqiten tash.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG