Ndërlidhjet

Zëvendës- ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë, Stuart Jones, dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Ali Babacan, po qëndrojnë në Kosovë. Me zyrtarët kosovarë, ata biseduan për tema të ndryshme, me theks të veçantë te procesi i njohjeve të Kosovës.


Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë, Stuart Jones, po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë. Ai ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë të institucioneve qendrore, përfshirë këtu presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.

Kabineti i këtij të fundit, në një komunikatë për opinion, ka njoftuar se temë bisedimesh me zotin Jones ka qenë shtrirja e misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, dhe procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës.

Për njohjet ka folur edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Ali Babacan, i cili gjithashtu është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë. Ai premtoi angazhimin e shtetit turk në shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën.

"Ne, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kemi filluar angazhimet tona pranë institucioneve ndërkombëtare, në të cilat jemi anëtare, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Turqia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në kuadër të BE-së ne kemi vënë kontaktet tona lidhur me njohjen e pavarësisë. Po ashtu, në kuadër të Konferencës Islamike, Turqia ka bërë angazhimet e veta për njohjen".

"Padyshim se njohja e pavarësisë është vendim që i takon secilit shtet; çdo shtet ka kriteret e veta për njohjen e pavarësisë dhe kjo çështje është individuale për secilin shtet. Por, ne shpresojmë që pas një periudhe shumë të shkurtër kohore të ketë një njohje shumë më masive të pavarësisë së Kosovës",
u shpreh Babacan, pas takimit më kreun e ekzekutivit kosovar, Thaçi.

Liderët e shtetit të Kosovës cilësuan lart rolin e Turqisë në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe angazhimin në zhvillimin ekonomik të vendit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, sqaroi vizionin e Kosovës për integrime në mekanizmat evropianë dhe ndërkombëtarë.

"Dhashë shpjegimin tonë se Kosova do të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve dhe do t’i respektojë standardet evropiane për trajtimin e komuniteteve dhe se ka vizion dhe do të bëjë punë për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s", tha presidenti Sejdiu.

Ministri turk, Babacan, ka arritur në Kosovë me një grup biznesmenësh turq. Gjatë qëndrimit të tij në vend, ai ka nënshkruar dy marrëveshje bilaterale me Republikën - një dokument të strategjisë për bashkëpunimin e ardhshëm Prishtinë-Ankara, si dhe një marrëveshje për heqjen e vizave për qytetarët e të dyja shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin me Turqinë në fusha të ndryshme dhe theksoi se zhvillimi ekonomik i Kosovës do të jetë një ndër prioritetet e shtetit për vitin 2009.

"Shprehëm zotimin tonë se viti 2009 do të jetë viti i vazhdimit të suksesit, por që të ndodhë ky sukses edhe më i madh, duhet të fillojmë edhe me zhvillimin ekonomik të Kosovës", u shpreh Thaçi.

Turqia ishte një ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që zyrtarët turq zotohen të kenë lobuar për njohjen e mëtutjeshme të pavarësisë së Kosovës në shtetet tjera në arenën ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG