Ndërlidhjet

“ICO ofron mbështetje për bisedime me Beogradin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje të caktuara mund të jenë të dobishme, dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) është e gatshme që ta mbështesë pjesëmarrjen e Qeverisë së Kosovës në këtë proces, ka deklaruar të martën përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith. “Është e qartë se janë disa çështje që mund të zgjidhen në mënyrë të dobishme në kontaktet direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. Prandaj, le të shohim se si zhvillohen gjërat. Mund të them se si organizatë, si ICO, ne jemi të gatshëm që të mbështesim Qeverinë në pjesëmarrjen e saj në bisedime ose në kontakte të mëtejme”, është shprehur ai pas një takimi që ka pasur me shefin e diplomacisë turke, Ali Babacan. Numri një i bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë ka theksuar se ekzekutivi i vendit duhet t’i bëjë analizat për beneficionet që mund të sjellë një proces i tillë, ndërkohë që ka nënvizuar se institucioni që ai drejton, është i gatshëm që të ofrojë mbështetje...

KOSOVA SOT
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e vet të parë për këtë vit, ka vendosur që seanca e parë e sesionit të ri parlamentar për vitin 2009 të mbahet më 22 janar. Ndonëse situata në veri të vendit paraqitet mjaft shqetësuese, për shkak të incidenteve të fundit që kanë ndodhur atje, Kuvendi nuk pritet që ta ketë temë debati këtë çështje as në seancën e parë të këtij viti dhe as në ndonjërën nga seancat e afërta të radhës. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha, pas mbledhjes së Kryesisë, se për këtë çështje ende nuk ka material të mjaftueshëm që të vendoset në rend dite për debat. “Për seancën e ardhshme nuk ka mundësi, procedurat janë të tilla dhe nuk kemi material mbi të cilin do ta kishim vendosur në rend të ditës. Kur të vijnë materialet, të respektohen procedurat, natyrisht që atëherë në seancën vijuese mund të jetë në rend të ditës”, ka thënë Krasniqi. Ndonëse Kryesia e Kuvendit kaherë ka marrë një pako të rekomandimeve nga Komisioni për siguri që trajton situatën e sigurisë në vend dhe atë në veri të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi tha se ato nuk janë bazë e mjaftueshme për ta futur çështjen në debat parlamentar...

INFOPRESS
Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, që vepron në veri të Mitrovicës, gjatë periudhës 1999-2004 janë dhënë 1000 diploma të falsifikuara, ka deklaruar Dragi Malikoviq, dekan i Fakultetit Filozofik në Mitrovicë. Sipas tij, pas një pune intensive në bashkëpunim me ekspertë të kësaj lëmie, është konstatuar falsifikimi i këtyre diplomave. “Dokumentacioni është dërguar në Ministrinë e Arsimit në Beograd”, thotë Malikoviq. Sipas tij, falsifikimi i këtyre diplomave është bërë në kohën kur dekani i këtij fakulteti ka qenë Branisllav Millutinoviq. “Janë ngritur 54 akuza penale kundër pesë personave në këtë fakultet, ndërsa Millutinoviqit i është ndaluar hyrja në këtë fakultet, i është ndaluar ligjërimi dhe i është ndërprerë marrëdhënia e punës”, ka thënë ai, duke shtuar se para se t’i dërgonte ato diploma në ministri, paraprakisht e ka informuar rektorin Gojko Saviq, por që ai e ka heshtur këtë fakt...

EXPRESS
Diplomati amerikan, Stuart Jones, dhe liderët kosovarë kanë biseduar të martën rreth zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë dhe rajon, por është hapur edhe çështja e bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit. Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stuart Jones, ka diskutuar në një takim të përbashkët me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Në një takim tjetër, Jones ka biseduar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Sipas burimeve jozyrtare, diplomati amerikan ka inkurajuar krerët e institucioneve të Kosovës që të jenë kooperativë në procesin e bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit. Këtë proces do të përpiqet ta vë në jetë UNMIK-u, me mbështetje nga diplomacia perëndimore. Të martën pasdite, zyrtari i Departamentit të Shtetit ka pasur një takim edhe me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier... As diplomati amerikan, as liderët kosovarë nuk janë prononcuar për media. Vetëm Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka lëshuar një njoftim. “Ministri Hyseni dhe zëvendësndihmëssekretari Jones biseduan gjatë për çështje dhe tema, të cilat kanë lidhje me Kosovën dhe rreth saj. Në takim u bisedua gjerësisht për zhvillimet më të fundit në Kosovë, shtrirjen e EULEX-it, procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe procese të tjera që lidhen me aktualitetin në Kosovë”, thuhet në këtë njoftim...

EPOKA E RE
Aleanca Kosova e Re e ndien veten të pastër që nuk ka qenë pjesë e vendimeve të gabuara të qeverive të mëhershme, ka thënë në një intervistë për Epokën e Re, nënkryetari i këtij subjekti politik, Ibrahim Makolli. Politika e gabuar e AAK-së dhe LDD-së, të cilat kanë qenë pjesë të dy mandateve të qeverisjes së fundit, Makolli ka theksuar se është njëra ndër pengesat që opozita nuk mund të funksionojë e bashkuar. Ai, kritika i ka dhënë edhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi. “Koalicioni qeverisës nuk ka arritur tash e një vit ta shtrijë veprimin e institucioneve të vendit në secilën pjesë të Kosovës. Kjo flet më së miri për mungesë të vizionit të këtij koalicioni për ta qeverisur vendin, për ta garantuar në radhë të parë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Makolli. Ai ka folur edhe për procesin e brendshëm zgjedhor të AKR-së që ka dy muaj që ka filluar...

LAJM
Kryesia e Kuvendit nuk është e interesuar të përshpejtojë dënimin e krimeve të komunizmit dhe të proceseve që duhet ta pasojnë këtë hap. Me gjithë debatet e intensifikuara ditët e fundit për nevojën që Kosova të shkëputet nga e kaluara e hidhur komuniste, Kryesia e Kuvendit vazhdon të mos e konsiderojë ndër prioritetet e veta miratimin aktit të parë në këtë drejtim, dënimin e krimeve të komunizmit. Projektrezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit dhe të regjimeve totalitare të së kaluarës është hartuar para dy muajsh në Komisionin për legjislacion dhe gjyqësi të Kuvendit. Projekti i saj është shqyrtuar për një kohë të mjaftueshme dhe është harmonizuar me rezolutat e ngjashme, të miratuara në vendet e rajonit. Komisioni i ka dërguar projektin Kryesisë së Kuvendit, anëtarët e të cilit, megjithëse janë shprehur në favor të miratimit të rezolutës, kanë kërkuar që fillimisht projekti të dërgohet në Komisionin për buxhet dhe financa, për vlerësim të implikimeve financiare...

BOTA SOT
Qeveria e Kosovës dhe ajo turke nënshkruan të martën marrëveshje për heqjen e vizave, memorandumin e bashkëpunimit me TOBB-in (Asociacioni i Bursave të Turqisë) dhe themelimin e Këshillit Turko-Kosovar, duke i hapur rrugë investitorëve... Marrëveshja është nënshkruar nga udhëheqësit e Odës Ekonomike të Turqisë dhe asaj të Kosovës, ndërsa edhe vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me biznesmenë turq, të cilëve u bëri thirrje për investime, duke i njohur për kushtet e favorshme për biznese... “Qeveria jonë ka identifikuar prioritetet e saj në rrugën drejt përmirësimit ekonomik të vendit, e ato janë: vendosja e sundimit të plotë të ligjit, luftimi korrupsionit kudo që paraqitet, shfrytëzimi i resurseve natyrore për prodhim të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transportit, përmirësimi i cilësisë së arsimit, zvogëlimi i varfërisë...”, u shpreh kryeministri Thaçi...

ZËRI
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Ali Babaxhan, ka thënë dje në Prishtinë se shtetet arabe nuk janë duke hezituar apo duke kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. E konsideruar si shtet çelës për lobim ndër shtetet e botës islamike, Turqia ka paralajmëruar njohje masive të Kosovës në të ardhmen. “Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kemi filluar angazhimet tona në institucionet ndërkombëtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dhe po ashtu në kuadër të Konferencës Islamike, Turqia ka bërë angazhimet e veta për njohjen dhe shpresa apo pritja jonë është që ndoshta ne një periudhë që do të marrë pak kohë, do të bëhen njohjet shumë më masive të Kosovës. Nga kontaktet që kemi, shtetet arabe nuk hezitojnë por është çështje e kohës se kur do të bëhen këto njohje”, ka thënë shefi i diplomacisë turke pas takimit që ka zhvilluar dje me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Vizita e ministrit Babaxhan është e para e një niveli kaq të lartë të shtetit turk që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës...
XS
SM
MD
LG