Ndërlidhjet

Ekspertët e ekonomisë thonë se krimi financiar është i pranishëm në Kosovë dhe konsiderojnë se Kosova, për shkak të pozitës së saj në Ballkan, mund të ndikohet edhe nga rrejti i kriminalitetit rajonal dhe ndërkombëtar.


Autoritetet kosovare duhet të kenë një plan të veprimit, që në kuadër të përpjekjeve për zvogëlimin e ekonomisë joformale, disa masa t'i adresojnë edhe për luftimin e praktikave kriminale në tregun financiar formal, thonë ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë.

Ndërsa, statistikat e policisë flasin për një numër të konsiderueshëm të rasteve të tilla, të cilat janë hulumtuar nga Policia e Kosovës, viteve të fundit.

Eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Sadiku, thekson se në Kosovë ka një pjesëmarrje të lartë të ekonomisë joformale, duke përfshirë të gjitha veprimtaritë jolegale të biznesit, pastaj të evazionit fiskal, që veprojnë jashtë kanaleve të qarkullimit institucional.

"Krahas bankave në Kosovë, vazhdon të funksionojë tregu financiar joformal. Kjo paraqet një burim të një çrregullimi të funksionimit të ekonomisë së tregut", thotë profesor Sadiku.

Ai pohon se ndonëse në Kosovë ka supozime se ekziston kriminaliteti financiar, megjithatë, ende nuk ka hulumtime, të cilat e qartësojnë dimensionin e kriminalitetit në segmentin financiar.

Sipas profesor Sadikut, në vendet ku ka krim financiar, nuk ka funksionim të shtetit ligjor, nuk ka funksionim të sistemit gjyqësor. Por, siç thotë ai, nëse dëshirohet të zvogëlohet krimi financiar, kjo do të duhej të bëhet përmes ushtrimit të shtetit ligjor dhe fillimit të proceseve demokratike në përgjithësi.

"Kosova, si pjesë e Ballkanit perëndimor, mund të afektohet edhe nga rrejti i kriminalitetit rajonal dhe ndërkombëtar", thotë Muhamet Sadiku.

Qeveria e Kosovës, sipas profesor Sadikut, duhet t'u qaset më seriozisht këtyre problemeve dhe duhet të bëhet koordinimi i të gjitha mekanizmave që merren me luftimin e këtyre dukurive dhe të bëhet një sistem i mirëfilltë i informatave.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë luftën kundër krimit financiar, dukuri që po e vështirëson zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

"Do ta luftojmë informalitetin, element i cili po e mundon ekonominë dhe buxhetin e Kosovës dhe, në të njëjtën mënyrë, po mundëson pasurimin e një shtrese të biznesmenëve, të cilët nuk po e respektojnë ligjin", thotë ministri Shala.

Qeveria kosovare ka krijuar grupin e përhershëm punues për parandalimin e ekonomisë joformale, që kryesohet nga Zyra e kryeministrit, dhe ka në përbërje përfaqësues të ministrive, policisë, doganave, gjykatës supreme, administratës tatimore etj.

Ministri Shala pohon se do të marrin masa të ashpra ndaj të gjithë personave, të cilët nuk zbatojnë ligjin.

"Si element nxitës pozitiv, Qeveria e Kosovës ka paraparë në disa nga ligjet masa të rrepta ndaj atyre, të cilët nuk përqafojnë zbatimin e ligjit dhe përpiqen të bëjnë shmangie, qoftë në aspektin e evazionit fiskal, apo në forma të tjera më të rënda të mosrespektimit të ligjit", thotë ministri Shala.

Ndërkohë, sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, ekziston një numër i madh i rasteve të krimit financiar të hetuara nga policia, ndërkaq vlera e parave të konfiskuara nga viti 2006 deri në vitin 2008, është mbi 3 milionë euro.

Veton Elshani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, shpjegon:

"Rastet e pavarura që nga viti 2006 deri në vitin 2008 kanë qenë 15 grupe kriminale të arrestuara, prej tyre 48 persona, ndërsa mbi 3 milionë euro të konfiskuara dhe të administruara nga buxheti i Kosovës; ndërsa, tre grupe tjera janë ende në proces të hetimeve", tha ai.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG