Ndërlidhjet

logo-print

Feith:BE ndihmon kontaktet mes Prishtinës e Beogradit


Pieter Feith

Pieter Feith

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e përfshirë në nismat rajonale, përfshirë edhe dialogun me Beogradin”, tha Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, në një konferencë të përbashkët me zyrtarët evropianë.


Që Ballkani perëndimor t’ia hapë vetes perspektiven evropiane, është e nevojshme që të ketë bashkëpunim dhe kontakte mes shteteve, tha sot në Prishtinë, Përfaqësuesi Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith.

Gjatë një konference të përbashkët me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Feith tha se është dobiprurëse që Kosova të ketë raporte të mira me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e përfshirë në nismat vijuese, përfshirë edhe në dialogun me Beogradin, për çështjet e hapura, në të cilat Qeveria mund të gjejë zgjidhje në të mirë të qytetarëve të saj”, tha Feith.

Ai tha se BE-ja është e gatshme që t’i ndihmojë këto kontakte, por pa e paragjykuar rezultatin e bisedimeve.

Theksi i konferencës së sotme është përqendruar sidomos në reformat në Kosovë, që ky vend të jetë i gatshëm për t’i filluar një ditë negociatat për integrime evropiane.

“Reformat nënkuptojnë përgatitjen e Kosovës drejt integrimeve dhe perspektivës evropiane dhe drejt Stabilizim Asociimit”, tha Feith.

Kjo, sipas tij, nënkupton edhe forcimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut e pakicave. Për t’u ballafaquar suksesshëm me sfidat, Feith tha se Kosovës i duhet një angazhim në tri drejtime - e para, krijimi i një stabiliteti të qëndrueshëm; e dyta, nisja e reformave ekonomike, joshja e investimeve nga jashtë dhe privatizimi, si dhe e treta, pajtimi mes komuniteteve.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, tha se kriteret që parashihen për Kosovën që një ditë edhe ajo të jetë pjesë e BE-së, janë të njëjtat me ato që aplikohen edhe për vendet tjera. Ai veçoi ndihmën financiare që Brukseli i ndan Kosovës në përpjekje të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe reformave të brendshme.

“Gjatë vitit 2009 do t’i menaxhojmë 130 milionë euro ndihmë, që do të thotë se Kosova është një prej vendeve që merr asistencën më të lartë nga BE-ja”, tha Davidi.

Duke shpalosur edhe një herë prioritetet e BE-së për Kosovën, në cilësinë e kryesues së radhës, ambasadorja çeke, Janina Hrebickova, tha se fokusimi kryesor do të jetë në ekonomi, energji dhe integrimet evropiane. Duam që vendet e Ballkanit t’i ndihmojmë që të përgatiten më shpejt për familjen evropiane, e në mesin e tyre është edhe Kosova, tha ambasadorja çeke.

“Ne, së bashku me partnerët evropianë, do të përpiqemi që të zgjidhim më së miri çështjen e lehtësimit të vizave edhe për Kosovën”, tha ambasadorja Hrebickova.

Kurse, aspektet e sigurisë janë trajtuar nga shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Ai tha se EULEX-i përkundër nisjes së misionit, ende nuk është plotësisht funksional.

Sidoqoftë, Kermabon tha se shtrirja e misionit nënkupton praninë e tij në gjithë territorin e Kosovës dhe në të gjitha pikat doganore. Qysh në këtë fazë, ai tha se policët, prokurorët dhe gjykatësit evropianë kanë filluar të merren me disa raste specifike.

Ndërkaq, lidhur me incidentet e fundit në Mitrovicë, Kermabon tha se ende është herët të jepen vlerësime zyrtare se si ndodhën ato dhe kush qëndroi pas tyre.

“Hetimet po vazhdojnë dhe është shumë herët të themi se kush qëndron prapa këtyre incidenteve”, tha Kermabon.

Por, në çdo rast, ai tha se atje ka shumë njerëz të përfshirë edhe në biznese të ndryshme, që i ngjajnë kontrabandës, dhe ku janë të përfshira disa komunitete dhe jo vetëm një prej tyre.

Zyrtarët evropianë në disa raste kanë përsëritur se janë të gatshëm që ta ndihmojnë Qeverinë e Kosovës në synimet e saj për reforma dhe integrime. Por, njëherësh ata kanë bërë me dije se ky proces mund të jetë edhe i gjatë dhe plot sfida.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG