Ndërlidhjet

Prishtina në bisedime vetëm si palë e barabartë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Prishtina nuk do të hyjë në bisedime me Beogradin, përderisa Serbia të mos e pranojë pozicionin e barabartë të Kosovës në këtë dialog, thonë zyrtarët kosovarë.




Kosova pranon të hyjë në bisedime teknike me Serbinë vetëm nëse Beogradi e pranon Prishtinën si palë të barabartë, thonë zyrtarët në Prishtinë.

Sipas tyre, gatishmëria e shefit të ICO-së, Pieter Feith, që t’i ndihmojë bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, është për t’u çmuar, por tërhiqet vërejtja se Kosova tash i ka institucionet e veta shtetërore dhe vetëm ato mund të vendosin për formatin e bisedimeve, në të cilat Prishtina eventualisht do të përfshihej.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se përgjegjësinë për dialogun dhe formatin e tij mund ta kenë vetëm institucionet e Republikës së Kosovës.

“Ne e çmojmë punën e deritanishme të Pieter Feithit, mirëpo për çdo temë që ka të bëjë me Kosovën, përgjegjësinë ekskluzive e kanë vetëm institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Beqiri.

Një pozicion edhe më të prerë e mban Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi Memli Krasnqi thotë se me Beogradin mund të bisedohet vetëm nëse Serbia e pranon Kosovën si palë të barabartë dhe në asnjë formë tjetër.

“Çfarëdo lloj bisedimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia e pranon Kosovën si palë të barabartë në këto bisedime. Mendoj se është një kusht shumë i natyrshëm, sepse Kosova është shtet i pavarur e sovran. Këtë fakt duhet ta pranojë edhe Serbia për të biseduar për çfarëdo çështjeje praktike, edhe pse ne jemi të bindur se ka nevojë të bisedohet me Serbinë ashtu siç ka nevojë të bisedohet me secilin shtet fqinj”, thotë Krasniqi.

Për këtë pozicion të prerë të Prishtinës, nënvizon zëdhënësi Memli Krasniqi, Kosova e ka edhe mirëkuptimin e partnerëve nga bashkësia ndërkombëtare.

“Miqtë tanë ndërkombëtarë që e mbështesin Kosovën, e kuptojnë qëndrimin e Kosovës dhe besoj se e kanë të qartë se pa ndryshuar pozicioni i Serbisë, nuk mund të ketë as bisedime”, thekson Krasniqi.

Pas hezitimeve të shprehura nga Prishtina që UNMIK-u dhe Lamberto Zannier të ndërmjetësojnë në këto bisedime, gatishmërinë e tij për t’u përfshirë si lehtësues i dialogut e ka shprehur edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith. Ai ka thënë se komunikimi mes shteteve të rajonit është një nga vlerat që atyre u hap perspektivën e integrimeve evropiane.

Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se Prishtina e Beogradi kanë përse të bisedojnë, por, sipas tij, ky dialog nuk mund të fillohet pa miratimin e Prishtinës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme të bisedojnë me secilin shtet në kuptimin e thellimit të marrëdhënieve diplomatike, ekonomike dhe të bashkëpunimit si shtete sovrane. Edhe me Serbinë mund të bisedohet për çështje të bashkëpunimit ekonomik, për liberalizim të qarkullimit të njerëzve e mallrave, por për asnjë temë tjetër”,
deklaron Beqiri.

Dialogu Prishtinë – Beograd parashihet në një plan 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, dhe kjo përgjegjësi i është mveshur shefit të UNMIK-ut.

Por, pas bisedimeve të fundit, dialogu indirekt Prishtinë – Beograd, i ndërmjetësuar nga shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm, Andrew Ladely, përfundoi me një marrëveshje për 6-pikat ndërmjet OKB-së dhe Beogradit, por të papranuar nga Prishtina. Tani kosovarët hezitojnë të pranojnë vazhdimin e bisedimeve, pa qartësimin paraprak të pozicionit të barabartë të shtetit të Kosovës në këto bisedime.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG