Ndërlidhjet

Kosova pa ambient për investime të huaja


Përfaqësues të institucioneve në Kosovë thonë se ende nuk është krijuar një ambient i përshtatshëm për investime të huaja. Mungesa e furnizimit stabil me energji elektrike si dhe mungesa e funksionimit efikas të sundimit të ligjit në Kosovë, sipas tyre, po ndikojnë në mosgatishmërinë për investime nga bizneset e shteteve perëndimore.


Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se pa krijimin e një funksionaliteti institucional, pastaj një legjislacioni të qartë dhe implementim të ligjit, në Kosovë nuk do të mund të ketë investime të huaja.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se investitorët e huaj kërkojnë një ambient stabil për investime dhe si element kyç - një furnizim stabil me energji elektrike. Sipas tij, pa këto elemente, në Kosovë do të mungojnë investimet e huaja.

"Kosova ende nuk ka krijuar kushte për investime të huaja. Në Kosovë ende nuk ekziston një ambient i përshtatshëm për investime", thotë Keqa.

Në mosardhjen e investitorëve në Kosovë, sipas përfaqësuesit të Odës Ekonomike të Kosovës, zotit Keqa, po ndikon edhe dukuria e korrupsionit që në Kosovë është në përmasa mjaft të mëdha.

Ndër të tjera, përveç stabilizimit të situatës me energji elektrike për tërheqjen e investimeve të huaja, Keqa thotë se ndikojnë edhe kreditë që janë jo të favorshme për një funksionim dhe zhvillim të biznesit.

"Nëntë vjet kanë kaluar nga krijimi i sistemit bankar dhe kemi disa banka që funksionojnë në Kosovë, banka të cilat janë zhvilluar mirë, mirëpo ende nuk është shprehur konkurrenca e duhur sa i përket kamatave që u ofrohen qytetarëve të Kosovës", thotë përfaqësuesi i OEK-ut.

Në anën tjetër, kryetarja e Odës Ekonomike Amerikane, Mimoza Kusari-Lila, konsideron se me një sistem joefikas në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, nuk mund të pritet të ketë investime, të cilat do të mund të ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

"Nuk mund t'i japim konfidencë askujt që të vijë në Kosovë të investojë, nëse dihen se vonesat nëpër gjyqet e Kosovës mund të shkojnë për një kontest të thjeshtë deri në disa vite, prandaj kjo ka kaluar në formën e një retorike pa shumë aksione konkrete", thotë Kusari-Lila.

Megjithatë, përfaqësuesi i OEK-ut, zoti Keqa, vlerëson se tani kur tregjet e ndryshme botërore po pësojnë recension, disa investitorë të huaj, duke parë që këto efekte negative të kësaj krize janë më të vogla në Kosovë, do të mund ta shohin Kosovën si një vend të përshtatshëm për investime.

Ndryshe, autoritetet kosovare, në fillim të këtij viti, kanë bërë disa reforma në politikat fiskale, që, sipas tyre, kanë për qëllim nxitjen e investitorëve të huaj.

Lidhur me këtë, përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se Qeveria e Kosovës, në veçanti Agjencia për promovimin e investimeve të huaja, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, duhet të jenë më fleksibile në dhënien e informatave se në Kosovë ka sektorë ekonomikë, ku mund të investohet dhe ku ata do të mund t'i shohin përfitimet e tyre.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, nga viti 2009 deri në vitin 2011 synon të absorbojë investime të huaja mbi 5 miliardë euro.
XS
SM
MD
LG