Ndërlidhjet

logo-print

Medvedev: Kriza e gazit tejkalon marëdhëniet me Ukrainën


Presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev tha sot se mosmarrëveshja rreth gazit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka shkuar përtej të qenit çështje bilaterale, dhe mund të zgjidhet vetëm me pjesëmarrjen e vendeve evropiane.

Medvedev më herët propozoi një samit mes Rusisë, Ukrainës dhe vendeve të BE-së që importojnë gaz, për të diskutuar çrregullimin e furnizimit me gaz në Evropë përmes territorit ukrainas.

Ukraina nuk e pranoi propozimin, ndërsa Bashkimi Evropian gjithashtu nuk shfaqi interesim.

Rusia dhe Ukraina e fajësojnë njëra tjetrën për ndërprerjen e gazit, i cili ka prekur 18 vende evropiane.

Sot liderët e disa vendeve të Evropës Lindore do të takohen në Kiev për t'i diskutuar mosmarrëveshjet rreth furnizimit me gaz.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin pritet të takojë sot kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila dje tha se Rusia është në rrezik të humbjes së kredibilitetit si furnizuese e gazit.

Takimi realizohet para bisedimeve të nesërme ndërmjet Putinit dhe kryeministres së Ukrainës, Yulia Tymoshenko.
XS
SM
MD
LG