Ndërlidhjet

Bush: Veprova në të mirë të interesit amerikan

  • Heather Maher

Në fjalimin e lamtumirës, presidenti amerikan, George Bush, tha se kishte vepruar gjithmonë në të mirë të interesit të vendit. Ai bëri bilancin e politikave të tij, duke mos harruar të pranonte edhe gabimet. Më 20 janar, Bush largohet nga detyra dhe Barack Obama hyn në Shtëpinë e Bardhë.


Bushi përdori podiumin presidencial për t'iu treguar amerikanëve se gjatë tetë vjetëve të presidencës së tij kishte dëgjuar zërin e ndërgjegjes dhe kishte bërë atë që e kishte vlerësuar se ishte e drejtë.

Ka pasur ditë të mira dhe ditë të këqija, por çdo ditë ka qenë e frymëzuar nga madhështia e Amerikës dhe popullit të saj, tha Bush në fjalimin e tij të fundit drejtuar kombit si president.

Bushi, në fjalimin 13 minutash, e pranoi se gjatë dy mandateve të tij jo gjithçka ka ecur ashtu si duhet, por së paku amerikanët duhet të vlerësojnë faktin se ai ka qenë i gatshëm për të marrë vendime të vështira.

"Ashtu si gjithë ata që e kanë pasur këtë post para meje, edhe unë kam provuar dështimet. Ka gjëra që do t'i bëja ndryshe po të me jepej mundësia sërish. Gjithmonë kam vepruar duke pasur në mend interesin e vendit. Kam ndjekur zërin e ndërgjegjes dhe kam bërë atë që mendoja se ishte e drejtë. Ju mund të mos pajtoheni me disa nga vendimet e vështira që kam marrë, por shpresoj që së paku të pranoni se kam qenë i gatshëm të marr vendime të vështira", tha mes të tjerash gjatë fjalimit presidenti Bush.

Presidencat e Bushit filluan dhe mbaruan në kohë krizash të mëdha për SHBA-në.

Bushi kishte më pak se një vit që ishte në Shtëpinë e Bardhë kur ndodhën sulmet terroriste të 11 Shtatorit. Gati tetë vjet më pas, ai po largohet në kohën kur vendi është zhytur në një krizë të thellë ekonomike. Bushi gjatë fjalimit të tij të lamtumirës u përqendrua në politikën e jashtme.

"Afganistani ka kaluar nga një vend ku Talibanët kishin strehuar Al Kaidën dhe gjuanin gratë me gurë në rrugë, në një demokraci të re që po lufton terrorizmin dhe po nxit vajzat të shkojnë në shkollë. Iraku është shndërruar nga një diktaturë e egër dhe një armik i betuar i Amerikës në një demokraci arabe në zemër të Lindjes së Mesme dhe në një mik të Shteteve të Bashkuara",
tha Bush.

Një nga anët më kundërthënëse të presidencave të Bushit ka qenë trajtimi i të burgosurve të kapur në Afganistan dhe në Irak. Në fjalimin e tij të fundit si president, Bushi pranoi gabimet, por përsëriti se politikat e tij megjithatë kanë funksionuar.

"Ka një debat të ligjshëm për shumë nga këto vendime. Por, nuk mund të ketë diskutime për rezultatet: Amerika për më shumë se shtatë vjet nuk ka përjetuar sulme terroriste në territorin e vet", theksoi presidenti në largim.

E derisa deklarata e Bushit është e saktë, po ashtu është i vërtetë dhe fakti se gjatë dy mandateve të tij si president, numri i sulmeve terroriste në botë është rritur.

Ashtu siç e kërkon tradita, Bushi nuk harroi t'ia ofrojë disa këshilla dhe pasardhësit të tij. Ai theksoi se ndonëse "Amerika është tani më e sigurt se shtatë vjet më parë", sërish kërcënimet nga sulmet terroriste mbeten rreziku kryesor. Sipas Bushit, armiqtë e Amerikës janë të vendosur të sulmojnë sërish, ndaj kërkoi nga presidenti i ri që të fokusohej në këtë drejtim.

Derisa terrorizmi mbetet kërcënim, është fakt se SHBA-të gjenden në një krizë të thellë ekonomike. Në fjalimin e lamtumirës në vitin 2000, presidenti Clinton tha se vendi ishte në rrugën e duhur që deri në vitin 2009 të mos kishte asnjë deficit. Por, Bushi po e lë Shtëpinë e Bardhë në kohën kur deficiti ka shkuar në 10 trilionë dollarë.

Megjithatë, presidenti në largim i mbrojti dhe politikat ekonomike në fjalimin e tij të fundit në këtë detyrë.

"Kur dalin në pah sfidat ndaj përparimit tonë, ne përballemi me to. Duke u përballur me rrezikun e një kolapsi financiar, ne morëm masa të fuqishme për të mbrojtur ekonominë", tha Bush.

Ai nuk harroi të shtonte se detyra e presidentit kishte qenë privilegji i jetës së tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG