Ndërlidhjet

logo-print

Ndikimi i Beogradit në decentralizim


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Kundërshtimi i Beogradit, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, paraqet problemin më të madh në decentralizimin e mjediseve serbe, gjë që, sipas tyre, rëndon bashkëpunimin me serbët lokalë dhe rrjedhimisht paraqet sfidë.



Mosbashkëpunimi i serbëve kosovarë me institucionet e vendit, ndikimi i Beogradit te serbët dhe interesat e disa qarqeve të caktuara serbe, po bëjnë që çështja e decentralizimit në Kosovë të mos zhvillohet në mënyrën e paraparë. Kështu ka vlerësuar ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili tha se në fillimin e punës së decentralizimit, për këto shkaqe janë paraqitur disa pengesa.

"Akoma nuk i kemi të gjitha rezultatet e dëshirueshme - në rend të parë një bashkëpunim më të fuqishëm me vetë qytetarët, sidomos me qytetarët e komunitetit serb. Dhe, këtu mendoj se është sfida më e madhe, ngaqë Beogradi dëshiron të ndërhyjë në të gjitha çështjet e Kosovës, duke dashur të lë përshtypje se Kosova nuk funksionon si një shoqëri e tërë", tha ministri Ferati.

Zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal thonë se në të gjitha lokalitetet që parashihen të bëhen komuna, kanë filluar të barten të gjitha kompetencat në bazë të projektit të reformës në pushtetin lokal. Mirëpo, sipas ministrit Ferati, edhe pas kaq kohe që kur është filluar me punë për decentralizim, ekziston dilema se a mund të ketë sukses në këtë drejtim.

"Do të thosha se nuk i kemi rezultatet, të cilat ne i dëshirojmë. Akoma jemi në dilemë se a do t'ia dalim që të kemi një masivizim të kyçjes së qytetarëve serbë dhe liderëve të komunitetit serb, në mënyrë që ta bëjmë përgatitjen sa më të mirë deri në zgjedhje, ku pastaj do të mundet që, sipas principeve demokratike, të gjithë ata qytetarë t’i zgjedhin të preferuarit e tyre dhe mund të instalohen strukturat komunale nëpër komuna të reja",
tha Ferati.

Nga ana tjetër, serbët e Kosovës kanë mendime të ndryshme mbi decentralizimin e pushtetit vendor. Disa nga ta thonë se nuk do të zbatojnë asnjë udhëzim të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje, e disa të tjerë mendojnë se me decentralizimin e pushtetit lokal, gjërat do të përmirësohen.

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Sasha Marinkoviq, nuk është i kënaqur me investimet e deritashme në mjediset serbe dhe pret që kjo të ndryshohet kur Kllokoti të bëhet komunë.

"Unë shpresoj që viti 2009, që sjell pilot-projektin e decentralizimit, do t'u dalë në ndihmë qytetarëve tanë në Komunën e Vitisë dhe do të zvogëlojë numrin e të papunëve. Pilot-projekt komuna na ofron decentralizimin e pushtetit, shumë vende të punës, shumë investime, dhe investitorët e vendeve të tjera do të investojnë tek ne", shprehet Marinkoviq.

Decentralizimi ka për qëllim të zhvillojë administratën lokale, të sigurojë transparencë dhe efikasitet të shërbimeve publike, thuhet në planin e Ahtisaarit. Dhe për këtë, Marinkoviq beson se në Banjën e Kllokotit, e cila është e pasur me resurse natyrore, shumëçka do të ndryshojë për të mirë, sepse, siç thotë ai, do të zhvillohet turizmi dhe do të hapen vende të reja të punës.

"Kllokoti posedon shumë resurse natyrore, ku mund të investojmë në fabrikën e ujit mineral. Momentalisht, ekzistojnë dy banja, ku ka vende të lira pune dhe shpresoj që në 2009-ën shumëçka do të ndryshojë jetën e qytetarëve tanë në territorin e Komunës së Vitisë – në Komunën e ardhshme të Kllokotit", ka thënë Marinkoviq.

Kllokoti është mjedis multietnik. Nga 1,500 serbë që kanë jetuar para luftës, sot në Kllokot jetojnë rreth 1,000. Më herët kishte incidente ndëretnike, por që një vit e gjysmë është qetë. Serbët thonë se problem më të madh paraqet papunësia.

Edhe ministri Ferati thotë se Kllokoti paraqet shembull pozitiv.

"Në Kllokot kemi një komunikim më të kënaqshëm, sesa në lokalitetet tjera dhe kemi një bashkëpunim edhe të liderëve lokalë. Për komunën e Kllokotit kemi paraparë edhe fillimin e investimeve", u shpreh Ferati.

Sipas planit të Martti Ahtisaarit parashihet formimi i pesë komunave të reja serbe, Graçanicë, Ranilluk, Partesh, Kllokot, si dhe zgjerimi territorial i komunës së sotme të Novobërdës. Përfaqësuesit e Qeverisë serbe në Kosovë disa herë kanë theksuar se pa sjelljen e një vendimi të ri të Këshillit të Sigurimit, nuk do të pranojnë kurrfarë plani mbi decentralizimin.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG