Ndërlidhjet

Tërmkolli: Zgjedhjet më 2011 – vendim i gabuar


Melihate Tërmkolli
Melihate Tërmkolli

“Është një vendim i gabuar edhe i presidentit, edhe i përfaqësuesit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, sepse po shkelen dokumentet më të rëdësishme të vendit”, thotë Melihate Tërmkolli, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, presidenti i Kosovës, në konsultim me përfaqësuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare, ka marrë vendim që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në 2011-ën. Por, përfaqësuesit e partive opozitare kanë reaguar, duke thënë se kjo është shkelje e Kushtetutës dhe e pakos së Ahtisaarit. Si e komentoni ju këtë vendim?

MELIHATE TËRMKOLLI
Mendoj se është një vendim i gabuar edhe i presidentit, edhe i Përfaqësuesit të Zyrës Ndërkombëtare. Kujtoj se po shkelen dokumentet më të rëndësishme të vendit – akti më i lartë i vendit, që është Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, unë mendoj se çështjet duhet të lëvizin më tutje përpara. Ju i keni parë deklaratat edhe më herët të presidentit, që nuk ka shumë kohë kur paralajmëroi se zgjedhjet do të mbahen në 2010-ën, ndërsa vetëm pas një jave thotë se do të mbahen në 2011-ën.

Unë mendoj se është një vendim, përveç i dëmshëm, edhe joserioz, sepse është e papranueshme që niveli më i lartë i vendit të lëvizë dhe të lëkundet në çështje që janë serioze, jo thjesht në kuptimin e zgjedhjeve, por në kuptim të respektimit të dokumenteve më të larta të vendit.

Mbi këtë bazë, unë mendoj që duhet të rishikohet atëherë i tërë dokumenti i presidentit Ahtisaari dhe natyrisht do të bëj gjithçka që të paraqes propozimin në Parlamentin e Kosovës që të rishikohet dokumenti i presidentit Ahtisaari.

Nëse ai dokument lejohet që të shkelet në një pikë të caktuar, atëherë unë mendoj se rishikimi duhet të bëhet për çështje të tjera esenciale, që nuk lidhen me karriget e individëve, por të bëhet rishikimi në çështje, të cilat, në njëfarë mënyre, e dëmtojnë zhvillimin e procesit demokratik të institucioneve, por edhe të vendit tonë.

Prandaj, në këtë kuptim, unë mendoj që thjesht duhet të bëhen hapa konkretë dhe hapa në drejtim të vënies në një rrugë të mbarë të zhvillimit të proceseve në Kosovë. Po ashtu, më lejoni të them edhe një fjali - zoti Feith po del se më tepër është në funksion të realizimit të politikave ditore dhe hatreve të individëve të caktuar, sesa në mbikëqyrje të realizimit të pakos së presidentit Ahtisaari.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu Prishtinë – Beograd sërish është një nga temat në agjendën ndërkombëtare për Kosovën. Për çka dhe në çfarë formati konsideroni se ky dialog mund të zhvillohet?

MELIHATE TËRMKOLLI
Janë veprime bukur të rrezikshme, të cilat po i zhvillon Serbia dhe që i ka zhvilluar vazhdimisht; asnjëherë nuk është ndalur që të punojë në planet e saj kundër Kosovës dhe mosshpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mendoj se gabimi më i madh është bërë dhe po bëhet kur ky veprim i Serbisë kundër Kosovës po shihet në mënyrë naive nga udhëheqja jonë politike, po merret tepër naivisht. Do të thotë, me arsyetimin se ne kemi shpallur pavarësinë dhe nuk ka çka të bëjë.

Është e qartë se përpjekjet për destabilizim nga ana e Serbisë janë të vazhdueshme dhe në këtë drejtim kjo po ndikon shumë në zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit. Mund të thuhet që Serbia ka një ofensivë dhe në njëfarë mënyre sikur po i dikton kushtet, në kohën kur nëse dikush duhet të diktojë kushte, do të duhej të jetë Kosova ajo që i dikton kushtet.

Unë mendoj se absolutisht nuk guxon dhe nuk mund të ketë bisedime me Serbinë për çështje që tashmë janë të kryera, ani pse në mënyrë bukur të zbehur, por, megjithatë, janë të kryera.

Dialogu për çëshje teknike është përmendur shumë herë, mirëpo me gjasë ky dialog ka rrëshqitur në gjashtëpikëshin e Ban Ki Moonit, prandaj mendoj se udhëheqja duhet të jetë tepër e kujdesshme në këtë drejtim, sepse çdo hyrje në bisedime rreth këtyre çështjeve, do të çojë deri tek një situatë shumë e rrezikshme për Kosovën dhe do të çojë në një situatë, e cila do të sjellë pasoja jashtëzakonisht të mëdha për vendin.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit, krahas shtrirjes së EULEX-it, janë shënuar edhe disa incidente në Mitrovicë. Si e shihni ju situatën sot atje?

MELIHATE TËRMKOLLI

Pikërisht ajo që thashë edhe më herët, domethënë përpjekja, veprimi i vazhdueshëm i Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe thjesht jo vetëm për destabilizim, sepse planet e tyre janë pak më të gjera, por destabilizimi është një mjet për realizimin e qëllimeve të tyre.

Mendoj se është shtruar gabimisht çështja e shtrirjes, sepse vazhdimisht flasim se a ka apo s’ka shtrirje të EULEX-it. Mendoj se më shumë se për shtrirjen, ne duhet të flasim për ushtrim të pushtetit – sa ushtrohet pushteti në këtë pjesë të Kosovës, qoftë nga institucionet e Kosovës, qoftë nga EULEX-i.

Dhe, me gjasë, me sa po shihet, jo vetëm që nuk ushtrohet ai pushtet nga institucionet e Kosovës, por është vështirë të thuhet se pushteti po ushtrohet edhe nga ana e EULEX-it, ani pse thjesht të gjithë parametrat çojnë kah ajo që ai do të duhej të ushtronte funksionet e veta në këtë drejtim.

Këtu ka një problem mendoj esencial, që Qeveria e Kosovës nuk ka ende një plan të qartë rreth zgjidhjes së problemeve në veri të vendit, nuk ka ende një plan, i cili do të kërkonte punën, angazhimin, kontributin në radhë të parë të Qeverisë, por edhe të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, realizimi i të cilit bashkërisht do të mund të sillte një rezultat.

Ne kemi parë që Qeveria vazhdimisht flet për 5 milionë euro etj., për të cilat askush apo ndoshta pak kush di se çfarë destinacioni kanë ato mjete dhe nuk kemi një ndryshim real të gjendjes. Është e qartë se gjendja nuk mund të ndryshohet shpejt në këtë pjesë të vendit, por problemi është se nuk po shihet ndonjë vullnet serioz për ta ndryshuar atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, kryeministri Thaçi i ka dorëzuar Kuvendit raportin e punës njëvjeçare, ku vlerësohet se viti 2008 ishte një vit i suksesshëm dhe i qeverisjes në koalicion. Çfarë janë pritjet e juaja nëse raporti do të shtrohet për debat në Kuvend - pajtoheni me vlerësimet e Thaçit?

MELIHATE TËRMKOLLI
Mendoj se jo veç Kuvendi i Kosovës, por edhe të gjitha subjektet tjera, madje jo vetëm opozita, por edhe qytetarët e Kosovës e tjerë e kanë të qartë se puna e Qeverisë aktuale në këtë vit të qeverisjes ishte më tepër një punë mediale, thjesht të dilet në televizion, sesa që është bërë një punë reale në këtë drejtim, fatkeqësisht.

Do të duhej të kishim punë dhe angazhim edhe më të madh ndoshta se para pavarësisë së vendit, sepse çdokund në botë ndryshimet nënkuptojnë angazhime më të mëdha, nënkuptojnë realizim të projekteve, realizim të qëllimeve që i vë para vetes një shtet, në veçanti një shtet i ri siç është Kosova.

Ani pse nuk kemi pasur asnjëherë një plan të Qeverisë për punën as njëvjeçare, as për krejt punën që duhet ta bëjë Qeveria, por mendoj se asnjë nga ato prioritetet, që në mënyra të ndryshme i ka shpallur kryeministri, jo që nuk janë realizuar, por nuk janë as prioritete reale të zhvillimeve në këtë drejtim.

Të marrin vetëm arsimin, shëndetësinë, energjinë etj., - domëthënë janë çështje që më së paku është realizuar në to. Nuk mund të themi se kemi një zhvillim pozitiv në arsim nëse ministri i Arsimit është marrë gjithë kohën me përurim të objekteve shkollore, të cilat janë nga Qeveria e kaluar.

Do të duhej që të kishim një ndryshim esencial pozitiv në substancën e punëve që i ka dhe që duhet t’i ketë Ministria e Arsimit. Thjesht, do të duhej të kishim një ndryshim esencial në qeverisjen brenda arsimit. Njësoj është edhe tek çështjet tjera.
XS
SM
MD
LG