Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Me Beogradin vetëm për çështje praktike


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Qeveria e Kosovës është e gatshme që me ndërmjetësimin e BE-së dhe të SHBA-ve të bisedojë me Serbinë për çështje praktike. Zyrtarë të Qeverisë serbe thonë se bisedimet teknike Prishtinë-Beograd duhet të mos dalin jashtë konkluzave të 6-pikëshit.



Prishtina zyrtare parapëlqen variantin që bisedimet me Qeverinë e Serbisë të ndërmjetësohen nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se Qeveria kosovare do të jetë e gatshme që të zhvillojë dialogun me Serbinë për çështje, siç i quajti ai, praktike dhe në cilësinë e shteteve të pavarura.

"Është e mirëpritur për institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës në këtë drejtim ndihmesa e faktorit ndërkombëtar. Pra, edhe e Shtetetve të Bashkuara të Amerikës, edhe e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s", tha kryeministri kosovar, Thaçi.

Bisedimet teknike Prishtinë-Beograd ishin udhëhequr nga shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zannier, duke përfunduar me nxjerrjen e dokumentit 6-pikësh të Sekretarit Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon - plan ky i cili parasheh aranzhime të reja për policinë, doganat, drejtësinë, administrimin e vijës kufitare, transportin dhe trashëgiminë kulturore e fetare serbe.

UNMIK-u, ndonëse ka parapëlqyer zhvillimin e dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet palëve për këto çështje, ka ofruar dhe angazhimin e vet në këtë drejtim. Mirëpo, kreu i ekzekutivit kosovar, Thaçi, e quan të panevojshme pjesëmarrjen e UNMIK-ut në këto bisedime, në të cilat, sipas tij, Kosova, në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-të, do t’i marrë vendimet e veta.

"Roli i UNMIK-ut tanimë është i tejkaluar; Kosova ka institucionet e veta legjitime, ka institucione të zgjedhura nga vota e qytetarëve, ka institucione që marrin përgjegjësinë dhe marrin vendime që e kanë mandatin. Prandaj, në këtë drejtim, vetëm institucionet e Kosovës janë ato që do të zhvillojnë këtë proces të bashkëpunimit me vendet fqinje - nuk flas këtu vetëm për Serbinë, por natyrisht se çdo mbështetje ndërkombëtare është e mirëpritur dhe do ta respektojmë", theksoi ai.

Ndërkohë, Qeveria e Serbisë përkrah pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UNMIK-ut në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën dhe kryetari i Qendrës koordinuese për Kosovën në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Zvonimir Steviq, konsideron se temë qendrore e dialogut të ndërmjetësuar nga UNMIK-u, duhet të jetë plani 6-pikësh i Kombeve të Bashkuara.

"Mendoj se është në interesin e të gjithë qytetarëve që, për shkak të problemeve të grumbulluara në territorin e Kosovës, sa më parë të arrihet deri te bisedimet Beograd -Prishtinë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara. Qëndrimi zyrtar i Beogradit është i pandryshuar, që do të thotë që bisedimet të zhvillohen në kuadër të konkludimeve të dokumentit 6-pikësh të OKB-së. Sa i përket Beogradit, shteti zyrtar është i gatshëm për fillimin e bisedimeve", tha Steviq.

Steviq thotë se nuk ka rëndësi se kush do të ndërmjetësojë dialogun Prishtinë-Beograd, i cili, sipas tij, duhet të mos dalë jashtë konkluzave të dokumentit 6-pikësh të Sekretarit Gjeneral të OKB-së.

"Është krejtësisht e njëjtë se a do të jetë UNMIK-u apo EULEX-i. Por, angazhimi ynë dhe politika zyrtare është e pandryshuar në kuadër të Rezolutës 1244. Për çfarëdo rasti, do të duhej që të arrihet deri te bisedimet, por çështja kryesore problematike për të cilën ka pasur polemika gjatë këtyre ditëve, është lidhur me vijën komanduese në polici, lidhur me gjyqësinë, gjegjësisht lidhur me atë se me cilat ligje do të bëhen gjykimet në hapsirën e Kosovës", shtoi ai.

Ditë më parë, edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, i cili njëherësh është Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ka mbështetur dialogun teknik Prishtinë-Beograd, i cili, siç ka thënë Feith, do të ishte më i dobishëm po qe se palët do të uleshin ballë për ballë për të biseduar për çështje të caktuara.

Sipas skenarit të paraparë nga autoritetet e OKB-së, Kosova dhe Serbia do të duhej të uleshin dhe të bisedonin për çështje, të cilat janë përshkruar në planin 6-pikësh të pajtuar ndërmjet OKB-së dhe Beogradit, në nëntor të vitit të kaluar, por të refuzuar në tërësi nga autoritetet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG