Ndërlidhjet

Topi: Mendjet e robëruara e tjetërsojnë rolin e Skënderbeut


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, deklaroi se përpjekjet për tjetërsimin e rolit të Skënderbeut "janë të mjerueshme".

Në këtë kuadër, ai duke cituar personalitete shqiptare dhe ndërkombëtare, e konkretizoi qëndrimin e tij se Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet shpirti i historisë së mesjetës dhe njeriu që ka realizuar bashkimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve.

"Ndonjë mendje e robëruar, me një guxim regresiv, përpiqet që ta tjetërsoj rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit evropian", tha presidenti Bamir Topi dhe vlerësoi se "kjo është përpjekje e mjerueshme", pasi, siç tha ai, "historia nuk pranon leksione, ajo jep leksione".

Zoti Topi, theksoi se "ndokush mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtar, për famën, për bëmat, për marrëdhënien që ai e ndërtoi me kombin e tij dhe Evropën politike e ushtarake të kohës" dhe përpiqet që "sot ta ridimensionoj personalitetin e Skënderbeut".

Këto komente u bënë në periudhën kur në Shqipëri po zhvillohet një debat lidhur me Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Debati u nxit pas një botimi të një studiuesi gjerman, të mbështetur edhe nga disa analistë shqiptarë, në të cilin studiuesi e kishte vënë në pikëpyetje origjinën e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
XS
SM
MD
LG