Ndërlidhjet

Liderët botërorë përpiqen ta forcojnë armëpushimin


Në samitin e udhëheqësve evropianë dhe të Lindjes së Mesme, është shprehur mbështetje ndërkombëtare për armëpushimin në Rripin e Gazës dhe i është bërë shtypje Izraelit që t'i tërheqë trupat e veta.

Duke folur pas takimit në pushimoren e Egjiptit, Sharm el-Sheikh, presidenti i Francës Nicolas Sarkozy tha se Izraeli "duhet të premtojë se do të largohet nga Gaza nëse pushojnë rakatat".

Samiti, në të cilin nuk morën pjesë përfaqësuesit e Hamasit dhe as të Izraelit, u konvokua pasi grupi militant palestinez ofroi një javë armëpushim, si përgjigje ndaj armëpushimit të njëanshëm që e shpalli Izraeli.

Pjesëmarrësit u zotuan për ndihma dhe mbështetje teknike për të ruajtur armëpushimin. Ata gjithashtu e theksuan rëndësinë e heqjes së bllokadës në Gaza, në mënyrë që të hyjnë ndihmat humanitare, t'i jepet fund trafikimit të armëve dhe të krijohet shteti i përbashkët palestinez.

Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak tha "Shteti palestinez është rruga e vetme për ta arritur këtë paqe".

Kryeministri britanik, Gordon Brown tha se përveç rritjes së mjeteve finansiare humanitare, vendi i tij do t'i transportojë të plagosurit në spitale, t'i rindërtojë ndërtesat e dëmtuara në Gaza dhe t'i pastrojë bombat e pashpërthyera.

Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice tha se Shtetet e Bashkuara presin që të gjitha palët menjëherë t'i ndalin sulmet dhe aksionet armiqësore.

XS
SM
MD
LG