Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë të interesuar që sa më parë të fillojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit mbi gjashtëpikëshin e Ban Ki Moonit. Disa nga ta presin që bisedimet të rezultojnë me zgjidhje, e cila do mundësojë stabilitetin e komunitetit serb në vend.


Derisa shqiptarët e Kosovës hezitojnë të nisin bisedimet teknike Prishtinë- Beograd duke kërkuar që ato të zhvillohen vetëm në nivelin e dy shteteve të pavarura, serbët kosovarë shpresojnë se këto bisedime do të sjellin ndryshime në jetët e tyre.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën Rada Trajkoviq, thotë se bisedimet Prishtinë- Beograd duhet sjellin zgjidhje për çështjen serbe në Kosovë.

"Çështja serbe në Kosovë nuk është zgjidhur. Ky është problem i madh edhe për Prishtinën, por problem themelor edhe për Beogradin, sepse populli serb nuk ka gjetur zgjidhje në diçka siç është Kushtetuta e Kosovës dhe në këtë kuptim pres se do ketë bisedime", tha Trajkoviq.

Ajo thekson se në Kosovë nuk janë zgjidhur problemet në dogana, polici, drejtësi, mbrojtje të trashëgimisë kulturore, fusha këto që parashihen edhe me planin gjashtëpikësh.

"Represioni institucional dhe diskriminimi, i cili vazhdon që nga ardhja e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë kërkon zgjidhje, e cila nënkupton stabilitet të serbëve. Që serbët të stabilizohen dhe që në një formë të mbrohen nga institucionet e Prishtinës, ata duhet që të kenë institucione lokale", tha Trajkoviq.

Tash një kohë është paralajmëruar fillimi i bisedimeve mbi temat që parashihen në planin 6 pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, por ende nuk është e qartë se kur do fillojnë, kush do t'i organizojë këto bisedime dhe nëse për to do të ndërmjetësojë OKB si deri më tash, apo misioni i BE-së në Kosovë.

Disa zyrtarë serbë njoftojnë se bisedimet mund të fillojnë në fund të janarit, ose në fillim të shkurtit.

Kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Mitrovicës Nebojsha Joviq pret rezultate konkrete nga këto bisedime.

"Do të dëshiroja që të dëgjoj se si do të jetë zingjiri komandues kur është në pyetje siguria. EULEX ka reaguar dobët ndaj incidenteve të fundit në veri të Mitrovicës. Së dyti, do donim qartësi edhe në drejtësi- ende nuk e dimë nëse do të kemë Gjykatë Komunale dhe të Qarkut apo cila do të jetë Gjykata Supreme. Shumë gjëra janë të paqarta, shumë gjëra kanë filluar dhe s'kanë përfunduar dhe frikësohem se do futemi në një lojë pa rezultate", tha Joviq.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve kosovarë se BE dhe SHBA duhet të kenë rol më madh në këto bisedime, Joviq ka theksuar se vetëm OKB mund të organizojë bisedimet.

"Bisedimet nuk mund t'i organizojë as NATO e vetme, as Rusia, as Bashkimi Evropian i vetëm. Bisedimet duhet të organizohen nga OKB, meqë misioni ndërkombëtar ka ardhur në Kosovë në bazë të rezolutës 12 44", thotë Joviq.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës deri tash disa herë kanë theksuar se bisedimet nuk mund të zhvillohen mbi temat që shkelin Kushtetutën e Kosovës apo çfarëdo që e cenon sovranitetin e shtetit. Institucionet duan që të dy palët si dy fqinje të interesuara për stabilitet, të bisedojnë për problemet, zgjidhja e të cilave është në interes të shqiptarëve dhe serbëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG