Ndërlidhjet

logo-print

Opozita në Prishtinë vazhdon ta kundërshtojë vendimin e presidentit Fatmir Sejdiu për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vjeshtën e vitit 2011. Partitë opozitare, kanë kërkuar që vendimi të kthehet prapa dhe të shpallen zgjedhjet në të dyja nivelet për vjeshtën e këtij viti.


Me qëllim të koordinimit të hapave në kundërshtim të vendimit të presidentit Sejdiu, dy liderët e partive opozitare, Nexhat Daci, kryetar i LDD-së dhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së janë takuar dhe kanë dalë me qëndrime që vendimi i Sejdiut ishte shkelje kushtetuese. Kryetari i LDD-së, Daci tha se ky vendim do të ketë edhe efekte negative politike në kohën kur Kosova do të mbroj të drejtën e saj për pavarësi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas Dacit, vendime të tilla të Sejdiut dhe partive në pushtet e kanë cenuar rëndë unitetin politik ndërmjet pozitës e opozitës.

"Në cilin vend demokratik të botës, kushtetutshmërinë e një veprimi e vlerëson kryeministri, ose presidenti ose dikush tjetër. Vetëm gjykatës Kushtetuese i takon një vlerësim i tillë, andaj LDD dhe AAK kanë shumë pika tangjente në këtë dhe jam shumë i bindur, edhe në grupin parlamentar të partisë si atë të AKR-së, dhe do ët mundohemi të përafrojmë edhe skenën politike që nuk është në parlament", tha Daci.

Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se koha e mbajtjes së zgjedhjeve eshtë shumë qartë e përcaktuar në pakon e Ahtisaarit, ku thuhet se zgjedhjet në të dyja nivelet duhet të mbahen më së largu nëntë muaj pas zgjidhjes së statusit. Haradinaj shprehu bindjen e tij se vendimi i Sejdiut do të anulohet nga Gjykata Kushtetuese në momentin kur ajo do të formohet dhe të jetë funksionale.

"Na vjen keq pse e nxjerrim një temë të tillë, pr jemi të forcuar. Ne ndodhemi para një vendi të padrejtë të institucionit më të lartë të vendit, në këtë rast të Presidentit, dhe shfrytëzojmë rrugët e mundshme për të kthyer gjendjen në gjendjen e mëparshme. Natyrisht se ka shumëçka që na preokupon lidhur me këtë rrugë që kemi marrë; e dimë se nuk është një rrugë e lehtë por jemi detyruar të shkojmë kësaj rruge", u shpreh Haradinaj.

Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca Kosova e Re paralajmëron inicimin e çështjes së zgjedhjeve përmes një debati në Kuvend. Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Makolli thotë se zgjedhjet i duhen Kosovës marrë parasysh se mandati i këtyre institucioneve ishte i përkufizuar si i përkohshëm me Kornizën Kushtetuese. Kurse tani në shtetin e Kosovës, institucionet, nënvizon Makolli duhet që mandatin e tyre ta kenë në Kushtetutën e Kosovës, si pjesë e implementimit të statusit dhe realitetit të ri në Kosovë:

"Si subjekt politik insistojmë në mbajtjen e zgjedhjeve në afatin më të shpejtë kohor dhe gjithsesi ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike, duke përfshirë edhe inicimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës që të marr qëndrim dhe të debatojë për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në vend", theksoi Makolli.

Sidoqoftë, partitë në pushtet vazhdojnë ta mbështesin vendimin e Presidentit Fatmir Sejdiu, për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në Kosovë. Kryesia e LDK-së, përmes një komunikate konsideron se Presidenti Sejdiu këtë vendim e ka marrë duke u mbështetur në përgjegjësitë e tij kushtetuese si president, si dhe në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në aktet e tjera juridike të saj. Vendimi i Sejdiut është mbështetur edhe nga partia numerikisht më e madhe në Kuvend, PDK-ja si dhe nga qeveria dhe kryeministri i Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG