Ndërlidhjet

Çfarë pret rajoni dhe bota nga Obama?

  • RFE /RL

Washington, 20 janar 2009

Washington, 20 janar 2009

Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjedhin presidentin e tyre të 44-të, korrespondentët e Radios Evropa e Lirë i kanë pyetur politikanët, ekspertët dhe aktivistët se çfarë presin nga shefi i ri i shtetit në Amerikë dhe çfarë mund të sjellë Obama për shtetin e tyre?


Hajredin Kuçi
, zëvendës kryeministër në Qeverinë e Kosovës.

"Kosova ka një orientim properëndimor, dhe në veçanti proamerikan. Dëshirojmë që t'i forcojmë lidhjet tona edhe më tej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vendin tonë, SHBA-të identifikohen me paqe dhe siguri. Besoj që administrata e presidentit Obama do t'i kontribuojë stabilitetit të vendit tonë, dhe të na ndihmojë në zhvillimin e mëtejmë dhe integrimin në strukturat euroatlantike", tha Kuçi.

Zhivorad Kovaçeviq është ish diplomat jugosllav dhe kryetar i Lëvizjes Evropiane për Serbinë.

"Mendoj se Serbia nuk ka asgjë çfarë të presë nga administrata e re amerikane. Ajo me siguri nuk do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën, dhe ky është prioritet për Serbinë. Nga ana tjetër, Serbia dhe Kosova nuk do të jenë në mesin e 20 çështjeve kryesore të administratës", thotë Kovaçeviq.

Ilija Talev është nga qendra për Kërkime të Politikave në Shkup.

"Mesazhi im për presidentin Obama do të ishte të mos e harxhojë kapitalin politik dhe mbështetjen ndërkombëtare që e fitoi duke vënë etikën para politikës. Sa për Maqedoninë, jam i sigurtë se do të mbizotërojë logjika e arsyes dhe do zgjidhet çështja e emrit në një kohë sa më të shkurtër, me zgjidhje pozitive për Republikën e Maqedonisë", thotë Talev.

Millan Roçen është ministër i Jashtëm i Malit të Zi.

"Meqë Amerika është vendi udhëheqës në botë, është krejt e natyrshme që të gjitha vendet, përfshirë Malin e Zi, të jenë të interesuara për bërjen e politikës dhe administratën e presidentit të ri Barack Obama. Pres që çështjet e Ballkanit Perëndimor sërish të kthehen në listën e prioriteteve politike amerikane. Kjo mund të bëhet, meqë ekipi i Obamas është tepër i informuar për situatën, madje disa kanë qenë të angazhuar në krzën e ish Jugosllavisë", thotë Roçen.

Mufid Memija është gazetar i televizionit të Sarajevës në Bosnje e Hercegovinë.

"Sipas një logjike të gjërave, presidenti amerikan do të duhej të jetë kampion global i lirisë dhe drejtësisë socale. Nëse është kështu, do të duhej të presim që Obama t'ia kthejë shpinën politikës së standardeve të dyfishta dhe të investojë më shumë në forcimin e shoqërisë civile në Bosnje", thotë Mumija.

Vesna Pusiç është nënkryetare e parlamentit të Kroacisë.

"Dëshiroj që Barack Obama, si president i ri i SHBA-ve, të vizitojë Kroacinë. Kjo do të kishte ndikim shumë pozitiv për vendin dhe rajonin. Prania e tij dhe prezantimi i vlerave që i promovon, do të kishin ndikim të rëndësishëm për ne në Kroaci", thotë Pusiç.

Dr. Wadir Safi është profesor i shkencave politike në Universitetin e Kabulit në Afganistan.

"Është më se e qartë se një fuqi si SHBA-të, sidomos administrata Bush dhe aleatët, nuk i arritën qëllimet e tyre të dëshiruara në luftën kundër terrorit. Zoti Obama është i vetëdijshëm për këtë fakt. Populli i Afganistanit pret nga zoti Obama dhe udhëheqja e re amerikane ndryshim në fushat ushtarake, ekonomike dhe politike, si dhe ndryshime në administratën afgane", thotë Safi.

Nasir al-Ani është shef i zyrës së presidentit irakian, Jalal Talabani.

"Gjëja më e rëndësishme është stabilizimi i shtetit të Irakut, rikthimi i pushtetit të humbur. Ajo që ndodhi nuk është vetëm ndryshim i pushtetit, por thjesht u çmontua shteti. Dëshira jonë është që fokusi i administratës së re të jetë në rindërtimin e shtetit të Irakut", thotë al-Ani.

Fatemeh Rakei është ligjvënëse reformatore në Iran.

"Pritet që me ardhjen e Obamës në pushtet, t'u vijë fundi mosmarrëveshjeve të thella që ekzistonin gjatë administratës Bush. Qeveria amerikane flet për demokraci dhe mund të luajë rol në përhapjen e saj në botë. Kërkesa jonë e parë është që Obama ta marrë shumë seriozisht çështjen e Gazës. Sa i përket Iranit, ai duhet të fillojë bisedimet diplomatike me Iranin, bazuar mbi realitetet, e jo mbi imazhin që e krijuan Bushi dhe bashkëmendimtarët e tij", thotë Rakei.

Konstantin Kosaçev është kryetar i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Duman ruse.

"Pres që politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë të ndryshojë. Ajo duhet t'i përfshijë diskutimet jo vetëm për problemet që u interesojnë SHBA-ve, por edhe problemet që i interesojnë Rusisë. Nëse do të diskutonim në nivel të barabartë, jam i bindur se do të fillojmë të punojmë më efektivisht në çështjet, për të cilat administrata Bush nuk ishte e angazhuar", thotë Kosachev.

Oksana Zabushko nga Ukraina, është shkrimtare dhe studjuese e filozofisë.

"Mendoj se do të ishte shumë mirë për Obaman që në këtë kohë të krizës ekonomike të bëjë diçka për vendin e tij. Për momentin, është naive të besohet se për problemet dhe konfliktet gjeopolitike, Amerika do të sillet si superfuqi dhe gjykatës suprem për hartën e botës. Epoka e Jaltës ka mbaruar", thotë Zabushko.
XS
SM
MD
LG