Ndërlidhjet

logo-print

Partitë opozitare mbeten në kërkim të rrugëve ligjore për kthimin prapa të vendimit të presidentit Fatmir Sejdiu, që zgjedhjet parlamentare të mos mbahen sivjet por në vjeshtën e vitit 2011. Duke marrë parasysh numrin jo të mjaftueshëm të deputetëve në Kuvend, opozita shpreson në formimin më të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese si institucion që interpreton kushtetutshmërinë e vendimeve të caktuara.


Udhëheqësit e institucioneve vazhdojnë të besojnë se vendimi për zgjedhjet ishte kushtetues dhe nuk ishte i drejtuar kundër opozitës. Kryeministri Hashim Thaçi rikonfirmoi edhe sot përkrahjen e tij për vendimin e presidentit Sejdiu, që zgjedhjet nacionale në Kosovë të mbahen në fund të vitit 2011.

Duke mos dashur që të shtoj diçka më tepër nga ajo që ka prezantuar presidenti, dhe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, në këtë rast mendoj se nuk ka as humbës e as fitues, por ka respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri e konsideron shkelje të Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisaarit vendimin e presidentit Sejdiu për zgjedhjet. Gaxherri thotë se edhe Kushtetuta e Kosovës është aprovuar në mënyrë jodemokratike dhe si e tillë ka shumë boshllëqe, përfshi edhe nenin 161 në të cilin thirret presidenti.

Atë nen të cilin e kanë futur në Kushtetutë për interesat e tyre dhe ju e dini se në çfarë forme është aprovuar Kushtetuta. Është shkelje edhe e rregullores edhe e Kushtetutës edhe vet aprovimi i Kushtetutës. I vetmi shtet demokratik në botë ka aprovuar Kushtetutë pa debat. Sikur të kish ndodhë debati, jam e sigurt se nuk do të kishte kaluar ai amandament i papranueshëm”, thekson Gaxherri.

Ndërkaq deputeti nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Riza Smaka thotë se vendimi i presidentit mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Nga aspekti kushtetues, Smaka vlerëson se presidenti ka marrë vendim në harmoni më të, por jo edhe në raport me pakon e Ahtisaarit. Kurse në rast të përplasjeve mes Kushtetutës dhe Pakos, Smaka thotë se vlejnë zgjidhjet që ofron plani i Ahtisaarit. Andaj edhe deputeti Smaka thotë se zgjedhjet është dashur të shpallen sivjet për të dyja nivelet.

Ka vend mjaftë për diskurs që do të duhej që të shpalleshin edhe zgjedhjet e përgjithshme, sepse bazamentin Kushtetuta e Kosovës e ka në propozimin e Ahtisaarit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Zgjedhjet lokale do të mbahen, bie fjala, e pse atëherë jo edhe ato qendrore apo pse jo edhe të dyjat përnjëherë”, pohon Smaka.

Pavarësisht numrit të deputetëve dhe mundësive reale që vendimi të kthehet prapa, deputetja Besa Gaxherri paralajmëron aktivitet politik që do të shkoj në favor të anulimit të vendimit të presidentit Sejdiut për zgjedhjet.

Natyrisht ne do të fillojmë t’i ndërmarrim hapat ligjor për të kërkuar anulimin e këtij vendimi. Zgjedhjet duhet të mbahen për arsye se duhet vendosim edhe njëherë, vërtetë a dëshiron Kosova të shkoj këtë rrugë të cilën është për momentin, krejt e papranueshme, apo është për ndryshime”, thotë Gaxherri.

Ndërkohë, deputeti Riza Smaka, po ashtu nga tabori opozitar, nuk sheh ndonjë mundësi që Kuvendi, pavarësisht kompetencave që ka, ta kthej prapa vendimin e presidentit, marrë parasysh numrin e deputetëve opozitar.

Opozita edhe sikundër të argumentonte se 1 plus 1 është barazi me 2, pozita e ka mundësinë që me vota ta kontestoj dhe meqë këto dy parti politike janë pozicionuar mirë dhe proklamuar kundër mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme”, vlerëson Smaka.

Sidoqoftë, numri i deputetëve opozitar nuk premton që votimi në Kuvend ta kthej prapa vendimin e presidentit. Andaj, tashmë ka nisma nga radhët e opozitës që përpjekjet për anulimin e vendimi i presidentit, të orientohen më shumë kah Gjykata Kushtetuese, sapo që ajo të formohet dhe të jetë funksionale. Gjykata Kushtetuese është institucion që jep vlerësimin përfundimtar rreth kushtetutshmërisë së vendimeve të caktuara.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG