Ndërlidhjet

Liderët e institucioneve presin që FSK të përmbushë standardet evropiane, përfshirë këtu edhe përbërjen e ndryshme etnike të saj. Por, në mesin e serbëve të Kosovës ka të tillë që nuk e pranojnë këtë forcë duke e quajtur si "një ushtri tjetër shqiptare në Ballkan".


Ngjashëm, si Trupat Mbrojtëse të Kosovës edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila zyrtarisht ngritet më 21 janar, do të përballet me sfidën e përfshirjes së komuniteteve pakicë në të, përkatësisht pjesëtarëve serbë.

Beogradi zyrtar e ka kundërshtuar krijimin e FSK-së. Presidenti serb Boris Tadiq ka thënë se do të bëjë presion që kjo forcë të shpërbëhet, meqë sipas tij ajo nuk i kontribuon sigurisë në Kosovë.

Por, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi thotë se askush nuk duhet t'i frikësohet ngritjes së kësaj force.

"FSK do të jetë një forcë multientike, që do jetë në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Është një forcë me përkrahje të plotë ndërkombëtare, që do të punojë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet e NATO-s", tha Thaçi.

Të paktën 10 për qind e përbërjes së FSK-së duhet të jetë nga komunitetet pakicë, e shumë nga ta duhet të jenë serbë. Këshilltari i ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës Lah Nitaj beson se kjo kuotë është e arritshme.

"Është tashmë e njohur që në kuadër të FSK-së, tentohet, provohet dhe po punohet që të kemi një përfaqësim meritor të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ne shpresojmë se një kuotë prej 10 për qind e komuniteteve pakicë do të jenë pjesë e FSK-së", tha Nitaj.

Për këtë nuk është i bindur kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës Millan Ivanoviq. Ai duke e quajtur FSK-në ushtri të dytë shqiptare në Ballkan, pohon se ata serbë që mund t'i bashkohen kësaj force, nuk do kenë legjitimitet te pjesa tjetër e serbëve, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

"Edhe Millosheviqi ka pasur shqiptarë rreth vetes, por ata nuk kanë pasur legjitimitet te shqiptarët. Është lehtë të gjinden njerëzit, pa marrë parsysh etninë, që për para, për interesa të ngushta personale janë të gatshëm që të bëjnë gjithcka. Ngjashëm kemi pasur nje numer minimal të pjesëtarëve serbë, që në TMK kanë marrë rrogën, ndërsa kanë qëndruar në shtëpi vetëm sa për të krijuar një përshtypje të rreme për multietnicitet. Në këtë formacion nuk do të ketë serbë, nuk do ketë pjesëtarë serbë, por ndoshta do ketë ndonjë kriminel që mund te jetë serb, dhe që për një pagë të mirë pranon t' i japë përshtypjen e multienticiteti këtij formacioni", tha Millan Ivanoviq.

Ndryshe, mendon një pjesë tjetër e serbëve, që janë të përfshirë në institucionet e Kosovës, të cilët mbështesin ngritjen e kësaj force.

Me mbështetjen e tyre, liderët kosovarë besojnë se do të arrijnë, që të integrojnë komunitetin serb edhe në institucionin e ri të sigurisë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi beson se ngjashëm me SHPK-në, edhe FSK do jetë një forcë multietnike.

"Unë kam besim të plotë, se pasi që kemi pasur sukses në SHPK që të ndërtojmë një shërbim multitenik, profesional, do të ndërtojmë edhe FSK-në, një forcë të standardeve plotësisht perëndimore dhe me mbështeje të plotë të NATO-s", tha Thaçi.

Ndryshe, në strukturën organizative të FSK-së parashihet një zëvendëskomandant serb, përderisa nuk dihet ende nëse ka aplikuar deri më tash dikush për këtë post.

Forca e Sigurisë e Kosovës do të ketë 2500 pjesëtarë të armatosur lehtë me 800 rezervistë dhe fillimisht do të jetë përgjegjëse në fusha si reagimi ndaj krizave, mbrojtja civile dhe demontimi i lëndëve shpërthyese.
XS
SM
MD
LG