Ndërlidhjet

Obama: Amerika sërish do të prijë


Barack Obama duke dhënë betimin
Barack Obama duke dhënë betimin

"Ka ardhur koha që të riafirmojmë shpirtin tonë të qëndrueshëm, të riafirmojmë madhështinë e kombit tonë, ta ribëjmë Amerikën", ka thënë presidenti i ri i 44-të i SHBA-ve, Barack Obama, pas dhënies së betimit.


Pikërisht në orën 18:05 Barack Obama dha betimin dhe zyrtarisht morri postin e presidentit të 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pak çaste më herët betimin e dha edhe nënpresidenti Joseph Biden.

Më herët në ndërtesën e Capitol Hill kishin arritur presidenti i zgjedhur Barack Obama dhe presidenti George W. Bush, nënpresidenti i zgjedhur Joseph Biden, ish presidentët Carter, Bush e Clinton dhe shumë personalitete tjera të larta amerikane.

Procesit të betimit të Barack Obamës dhe Joseph Bidenit i parapriu fjala e kryesueses së Komitetit për inaugurim senatores Dianne Feinstein.

"Brezat e ardhshëm do ta shënojnë këtë mëngjes si pikë kthese për ndryshime reale dhe të domosdoshme në kombin tonë. Ata do të shikojnë prapa dhe do të mbajnë në mend se ky ishte çasti kur ëndrra që u dëgjua nëpër histori nga hapat e Memorialit të Lincolnit përfundimisht arriti në muret e Shtëpisë së Bardhë", tha senatorja Feinstein.

Në fjalën e tij të rastit Barack Obama apostrofoi sfidat me të cilat aktualisht ballafaqohet Amerika.

"Sot u them se sfidat me të cilat ballafaqohemi janë reale, të shumta dhe serioze. Ato nuk do të përballohen lehtë dhe as në një afat të shkurtër. Por, Amerika duhet ta dijë – ne do t'i përballojmë", tha Obama.


"Në këtë ditë ne jemi tubuar, sepse kemi zgjedhur shpresën në vend të frikës, unitetin në vend të konfliktit. Në këtë ditë ne u japim fund premtimeve falso dhe dogmave", tha Barack Obama.

"Ka ardhur koha që të riafirmojmë shpirtin tonë të qëndrueshëm, të riafirmojmë madhështinë e kombit tonë, ta ribëjmë Amerikën", tha presidenti amerikan.

Ai në vazhdim ka thënë se SHBA-të mbeten kombi më i prosperitetshëm dhe më i fuqishëm në rruzullin tokësor.


Duke iu drejtuar botës së jashtme Barack Obama gjatë fjalës së tij tha:

"U drejtohem gjithë popujve dhe qeverive që sot janë duke shikuar, nga kryeqytete më të mëdha dhe deri te fshatrat e vogla ku babai im ka lindur - duhet ta dini se Amerika është mike e çdo vendi e populli, çdo burri, gruaje dhe fëmije që kërkojnë paqë dhe dinjëtet. Ne jemi të gatshëm që sërish të prijmë".

Obama përmendi edhe luftrat në Irak dhe Afganistan:

"Ne do të fillojmë që me përgjegjësi të largohemi nga Iraku dhe të bëjmë paqen në Afganistan".

"Ne nuk do të kërkojmë ndjesë për mënyrën tonë të jetës dhe as që do të hezitojm në mbrojtjen e saj. Atyre që kërkojn të avancojn synimet e veta përmes terrorit dhe vrasjes së të pafajshmëve, ne u themi - shpirti i jonë është më i fortë dhe nuk mund të thyhet dhe ne do t'ju mposhtim", tha presidenti Obama.

Duke iu drejtuar botës myslimane presidenti i 44-të amerikan pos tjerash tha:

"Botës myslimane i themi se ne kërkojmë rrugë të reja përpara, që për bazë kanë interesin dhe rrespektin e ndërsjellë. Atyre liderëve në globin tokësor që kërkojnë konflikte ne u themi - populli i juaj do t'ju vlerësojë sipas asaj që do të ndërtoni dhe jo sipas asaj që shkatërroni", tha në fjalën e tij presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama.

Presidenti Barack Obama ka lindur më 4 gusht të vitit 1961 në Havaje, nga babai kenias dhe nëna amerikane. Është presidenti i parë afro – amerikan dhe ndër më të rinjët në historinë e SHBA-ve. Ka mbaruar Shkencat Politike në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork dhe ka doktoruar shkencat juridike në Harvard. Karierën e ka filluar në Çikago duke punuar në organizatat që ndihmonin popullatën e varfër zezake dhe që luftonin për të drejtat e njeriut.

Nga viti 1992 dhe deri në vitin 1995 ka shërbyer si avokat dhe ka ligjëruar të drejtën kushtetuese në Universitetin e Çikagos.

Anëtar i Senatit të shtetit Ilinois është bërë në vitin 1996, ndërsa në vitin 2004 është zgjedhur në Senatin e SHBA-ve. Ka qenë kundërshtar i luftës në Irak.

Bashkëshortja e tij Michelle është avokate. Kanë dy vajza – Malia dhe Sasha.

Nënpresidenti i ri i Shteteve të Bashkuara Joseph Biden ka lindur më 20 nëntor të vitit 1942 në Delaver. Ka mbaruar drejtësinë në Universitetin Archmir në Klejmont në vitin 1960. Senator është bërë në vitin 1972 kur kishte vetëm 30 vjeç.

Nënpresidenti amerikan Joe Biden


Është njëri ndër senatorët më me përvojë dhe ka qenë kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme. Ka përvojë të madhe në çështjet e politikës së jashtme. Ka mbështetur fuqishëm çështjen dhe pavarësinë e Kosovës.

Në vitin 2002 ka mbështetur rezolutën për përdorimin e forcës në Irak, por pas një kohe është bërë kundërshtar i luftës në Irak.

Gjatë kohës së studimeve ishte martuar me Nil Hanter me të cilën kishte tre fëmijë - Joseph II, Robertin dhe Naomi Kristin. Në vitin 1972 në një aksident trafiku vdesin bashkëshortja dhe dy vajzat.

Në martesën e dytë me Xhill Trejsi Xhekobs ka vajzën Eshli.

XS
SM
MD
LG