Ndërlidhjet

Mospajtim për grevën e policisë


Sindikalistët e Policisë së Kosovës se janë të vendosur që me 31 janar të mbajnë protestë për arsye të moszbatimit të marrëveshjes se nënshkruar kohë me parë me Qeverinë e Kosovës. Nga ana tjetër, Drejtoria e Policisë se Kosovës është kundër kësaj proteste.

Sindikata e Policisë Kosovës ka vendosur që me 31 janar, të gjithë pjesëtarët e policisë të protestojnë për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës. Por, me një vendim të tillë nuk pajtohet udhëheqësia e Policisë së Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë Sheremet Ahmeti, pohon se është kundër një proteste të tillë dhe sipas tij ajo nuk duhet të mbahet.

"Nuk është e pranueshme dhe si e tillë mendoj që është shumë e dëmshme. Është kundër interesave të vetë policisë dhe kundër interesave të qytetarëve të vendit. Policët janë të detyruar që t'ju shërbejnë qytetarëve. I di vështirësitë dhe absolutisht kërkesat e tyre janë të ligjshme. Në të gjitha proceset dhe takimet ka qenë kërkesë, që ato kërkesa të ligjshme të realizohen. Por, nuk e mbështes protestën dhe mendoj, që ajo nuk do të ndodhë", tha Ahmeti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Sindikatës thonë se protesta megjithatë do të mbahet. Sipas tyre vetëm nëse zbatohet marrëveshja e arritur muaj me parë mes Qeverise së Kosovës ajo nuk do të zhvillohet. Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës thotë:

"Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë rritje të pagave, ashtu siç është bërë ky 10 % në kuadër të gjithë shërbyesve civilë të Kosovës. Ajo është një çështje juridike që ka vendosur Qeveria, andaj mundohet te na perfshijë edhe neve aty. Ne vetëm po kërkojmë zbatimin e Ligjit të Policisë, i cili ka hyrë në fuqi me 4 korrik të vitit 2008 dhe po kërkojmë zbatimin e nenit 59-60, ku parashihen beneficione dhe shtesa për policinë dhe ai është qëllimi jonë, që të dalim në protestë", tha zonja Kamberi.

Por, çfarë do të ndodhë me situatën e sigurisë nëse pjesëtarët e policisë vendosin të hyjnë në grevë? Analistë për çështje sigurie thonë se kjo do të dëmtonte rëndë rendin dhe ligjin.

Por, Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës, shpjegon se megjithatë, policët që më 31 janar do të jenë në detyrë, nuk do të përfshihen në protestë.

"Pjesa, e cila është në punë dhe në detyrë, natyrisht që ata do të mbesin përsëri në punë dhe nuk kanë nevojë t'i bashkohen protestës. Ne do të jemi ata të cilët do t'i përfaqësojmë interesat e tyre", tha Kamberi.

Ndryshe, sipas sindikalistëve, e vetmja gjë, që ata kërkojnë është zbatimi i Ligjit të Policisë.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, është aprovuar Ligji për Policinë. Ai parasheh që të gjithë policëve t'u paguhet rrezikshmëria, puna gjatë festave, si dhe puna jashtë orarit të punës zyrtare.

Por, drejtori i përgjithshëm i Policisë Sheremet Ahmeti, thotë se është bërë një lloj rritje e pagës dhe se tash për tash Buxheti i Konsoliduar i Kosovës nuk lejon rritje tjetër për policinë.

"Qeveria e vendit ka bërë atë që ka bërë. Ju e dini, janë rritur pagat për 10%. Për momentin me shumë nuk mund të ndodhin. Ne në të ardhmen do të vazhdojmë me përkujdesje dhe me angazhime tona. Benificionet tjera, që janë më ligj të garantuara do të realizohen, por mundësitë e Buxhetit të Kosovës janë të kufizuara dhe konform asaj duhet të sillemi", tha Ahmeti.

Megjithatë, sindikalistet janë të vendosur ta mbajnë protestën pavarësisht qëndrimit të drejtorisë së Policisë së Kosovës.

"Ne do t'i mbajmë protestat me apo pa dëshirën e ndokujt, sepse është një gjë ligjore. Andaj nuk ka kush që do ta ndalë këtë protestë. Drejtori ka të drejtë të flasë dhe ka opinionin e tij. Ai ka të drejtë të mendojë çfarë të dojë, unë jam e sigurt që ai e përkrahë kërkesën e policisë. Mirëpo, mund të mos përkrahë protestën dhe ky është opinion i tij", tha zonja Kamberi.

Sindikalistët thonë se edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes në ndërmjet Qeverisë dhe Policisë së Kosovës, deri më tani, asnjë nga kërkesat e parashtruara nuk është plotësuar.
XS
SM
MD
LG