Ndërlidhjet

Tri vjet pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, njëherësh edhe themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, zyrtarët e kësaj partie thonë se LDK-ja nuk është ajo që e kishte lënë Rugova.



Udhëheqësit më të lartë të institucioneve vendore e ndërkombëtare, ata të LDK-së dhe partive tjera politike, kanë bërë sot homazhe tek varri i presidentit Rugova, ndërkaq nën patronatin e presidentit Fatmir Sejdiu është mbajtur edhe një Akademi Përkujtimore. Sejdiu tha se presidenti Rugova është njeriu e politikani me të cilin identifikohet Kosova moderne.

Ai qe një prijës, një prijës politik, po njëkohësisht edhe një bartës e krijues i një fryme, një njeri që bëri epokë, duke u shndërruar në simbol të saj”, është shprehur Sejdiu, duke shtuar se ishte Rugova dhe politika e tij që i krijuan Kosovës kaq shumë miq ndërkombëtar.

“Rugova synonte ruajtjen e substancës fizike të popullit të tij të kërcënuar, ndaj ndoqi me konsistencë udhën e humanizmit e të lirisë njerëzore universale. Kjo filozofi politike i krijoi Kosovës shumë miq në botë, të cilët, në momentin vendimtar, e kuptuan dhe e mbështetën kauzën së lirisë së Kosovës. Miqtë me të cilët na afroi kaq shumë Presidenti Rugova janë edhe sot këtu me ne. Kjo besëlidhje me ta është jetike për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, ashtu siç ishte më 1999, kur Kosovës iu zgjat dora e shpëtimit në orën më të muzgët të historisë sonë, kur popullit të Kosovës po i kanosej zhbërja”, tha Sejdiu.

Roli i presidentit të ndjerë Rugova në procesin e pavarësimit të Kosovës, u cilësua si një rolet më të rëndësishmit të një politikani në skenën politike të Kosovës në këto dy dekadat e fundit.

Përderisa zyrtarët e lartë të LDK-së, e pranojnë se partia, të cilën Rugova e kishte themeluar, nuk është më ajo e para disa vjetëve, kur prihej nga kryetari i saj i parë. Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu thotë se Rugova ishte figura kryesore që e mbante LDK-në në krye të spektrin politik të Kosovës.

Ai ishte aq i madh sa që ka mund ta formësoj partinë sipas madhështisë së vet, e tash kur ai mungon, natyrisht që nuk është krejt ashtu si ishte", thekson Kryeziu.

Edhe nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se pa Rugovën, partia ka hasur në më shumë sfida, dhe një prej tyre ishte edhe zhvendosja nga partia më e madhe në subjektin numër dy. Tani, thotë Haziri, LDK-së i mbetet që përmes një reformimi të përpiqet të kthehet sërish në vendin që e kishte lënë presidenti dhe kryetari i saj i ndjerë.

Tre vjetori i vdekjes, LDK-në nuk e gjen ashtu siç e ka lënë. Natyrshëm që kjo duhet të pranohet. LDK si partia e dytë për herë të parë në qeverisje për shtet me rivalin dhe partnerin e vet kryesor. Megjithatë është një proces që duhet të ecë ashtu si besojmë të gjithë për tu rikthyer fuqishëm në skenë”, thotë Haziri.

Në tre vjetorin e vdekjes së presidentit Rugova, presidenti Sejdiu tha se politika e Rugovës dhe atyre që ranë për lirinë e Kosovës, janë sakrifica që e sollën Kosovën në këtë ditë, kur ajo tashmë gëzon njohjen e saj ndërkombëtare si shtet nga 54 vende botërore.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG