Ndërlidhjet

Qëndrueshmëria, llogaridhënia, multietniciteti, mosndërhyrja politike, standardet ndërkombëtare dhe praktikat evropiane- janë fushat ku kosovarët duhet të japin maksimumin e tyre.


Gjyqësia, policia dhe doganat tashmë një muaj janë duke u vëzhguar nga më se 700 pjesëtarë të EULEX-it. Varësisht nga performansa e tyre, do të matet në fund edhe suksesi ose dështimi i institucioneve të sundimit të ligjit, të cilat EULEX ka mandat t'i mbikqyrë.

Qëndrueshmëria, llogaridhënia, multietniciteti, mosndërhyrja politike, standardet e njohura ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane- janë fushat ku kosovarët duhet të japin maksimumin e tyre, në mënyrë që të marrin nota pozitive nga misioni evropian.

"Shembull një institucion, në drejtësi, polici apo dogana vëzhgohet nëse ka rregulloret e duhura, zbaton procedurat dhe politikat e duhura, nëse ka njerëz të trajnuar në mënyrë të duhur dhe të motivuar dhe nëse të gjithë këto mbështeten nga infrastruktura e duhur atëherë ne konsiderojmë se ky institucion është i qëndrueshëm", shpjegon Steve Smith, zëvendës i Zyrës së Programit Strategjik të EULEX-it.

Për të arritur standardet e kërkuara në të gjitha fushat, EULEX do të zbatojë Programin për Monitorim, Udhëzim dhe Këshillim, program ky i bërë publik sot për media.

EULEX do të monitorojë ankesat eventuale që mund të vijnë qoftë brenda, qoftë jashtë insttiucioneve përkatëse. Po ashtu do të vëzhgohet në detaje zbatimi që institucioni përkatës i bën politikave mbi të cilat vepron.

Qindra pjesëtarë të EULEX-it përmes këshillimit dhe udhëzimit do t'i ndihmojnë zyrtarët kosovarë që të bëjnë përparime në fushat ku ata ngecin.

EULEX nuk do të marrë për bazë raportet mbi progresin në Kosovë të përpiluar qoftë nga UNMIK-u, qoftë nga organizatat tjera ndërkombëtare.

Ndërkohë, ende nuk ka krijuar një pasqyrë të qartë se ku qëndrojnë sot institucionet e sundimit të ligjit karshi standardeve të kërkuara.

"Ne kuptojmë se Kosova për nga natyra e saj është shumë dinamike dhe në disa fusha lëviz shumë shpejt, kështu që kemi vendosur që ta bëjmë një vlerësim tonin, që në fillim të shtrirjes sonë. Nuk e injorojmë punën e të tjerëve, por na duhen informata të reja se ku gjendet Kosova tash. Aktualisht po ndërtojmë një pasqyrë me të rejat e fundit të realitetit në terren", tha Steve Smith.

Allesio Zuccarini, drejtor i Programit Strategjik të EULEX-it thotë se i gjithë monitorimi, udhëzimi e këshillimi do të bëhet në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

"Ne e dimë se cka duan të arrijnë institucionet e Kosovës, kështu që po ndërtojmë këtë pasqyrë së bashku. Pra, nuk shkojmë rrotull, por u themi të gjithëve se cka do të vëzhgojmë dhe në të njëjtën kohë përgatisim terrenin për vlerësimin që do ta bëjë bashkë me institucionet kosovare", tha Allesio Zuccarini.

Ajo që EULEX dëshiron të arrijë është që institucionet e sundimit të ligjit t'i lëvizë nga gjendja e tashme në atë të dëshiruar. Zyrtarë evropianë do vlerësojnë përparimin dhe të metat çdo muaj, ndërsa institucioneve do u dërgohet raporti përfundimtar çdo 6 muaj.

Nëse kosovarët pajtohen me vërejtjet eventuale, atëherë EULEX do propozojë reformat e nevojshme për fushat e caktuara.
XS
SM
MD
LG