Ndërlidhjet

Politika dhe Gjykata Kushtetuese


Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese tanimë ka publikuar shpalljen për propozimin e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo procesi i përzgjedhjes së gjykatësve sipas kësaj shpalljeje nuk mund të fillojë para datës 10 të muajit të ardhshëm. Ekspertët e drejtësisë thonë se shtyerjet në këtë proces nuk bëhen për arsye teknike, por politike.


Ndonëse tanimë është inauguruar objekti në të cilin ka filluar të funksionojë Gjykata Kushtetuese me kapacitete fillestare akoma nuk mund të thuhet se është themeluar ky institucion në tërësi, marrë parasysh nevojën për komplementimin e stafit në të cilin, përveç 3 gjykatësve tanimë të përzgjedhur ndërkombëtarë është paraparë të veprojnë dhe 6 gjykatës vendas.

Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka publikuar shpalljen përmes së cilës i bën thirrje institucioneve përkatëse, që të propozojnë kandidatë për zgjedhjen e një apo më shumë gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës-nominime këto që duhet të dorëzohen te mekanizmi përgjegjës deri më 10 shkurt.

Andaj duket se nuk ka gjasa që, para kësaj date, të lëvizë diçka në drejtim të përzgjedhjes së gjykatësve për këtë institucion.

Eksperti për çështje ligjore, Ismet Salihu, thotë se komisioni përgjegjës duhet të përshpejtojë procedurën për emërimin e gjykatësve për Gjykatën Kushtetuese.

"Institucionet e Kosovës duhet maksimalisht të angazhohen, që sa më shpejtë të emërohen dhe të fillojë puna e kësaj gjykate për shkak se ka shumë raste të shkeljes së kushtetutshmërisë në Kosovë. Kështu që kjo është më se e domosdoshme dhe një ndër çështjet prioritare që duhet të jetë në funksion të sundimit të ligjit në Kosovë", vlerëson Salihu.

Eksperti për çështje të drejtësisë, Kujtim Kërveshi thotë se shtyrjet në këtë proces nuk janë thjesht të natyrës teknike, por kanë prapavijë politike.

"Mund të thuhet se arsyetimi qëndron në mungesën e vullnetit politik të institucioneve të Kosovës. Në Kosovë aktualisht nuk ka një kontroll të ndërsjellë institucional për faktin se pushtetet janë të koncentruara në individ dhe nuk janë të shpërndara në institucione. Si pasojë dhe Gjykata Kushtetuese nuk është krijuar dhe është mundësuar krijimi i një hendeku institucional vendor", thotë Kërveshi.

Kërveshi mendon se pasojat e shtyrjeve për themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës po ndikojnë negativisht me rendin juridik të shtetit të Kosovës.

"Moskrijimi i Gjykatës Kushtetuese, ndër të tjera, reflekton dhe në mungesën e sigurisë juridike në Kosovë, reflekton gjithashtu në mungesën e kontrollit institucional midis gjyqësorit, që duhet të jetë i pavarur, por mjerisht në një formë të konstatuar nuk mund të besohet se është i tillë për faktin se kupola e tij mungon së themeluari, dhe legjislativit e ekzekutivit", shprehet ai.

Veprimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë autonom jashtë ndikimit të ekzekutivit dhe legjislativit kosovar, vlerëson eksperti Ismet Salihu, i cili thekson se një Gjykatë Kushtetuese e cila nuk gëzon pavarësinë nga këto dy pushtete do të ishte e paefektshme.

"Kjo gjykatë duhet që në aspektin financiar të jetë e mbështetur mirë, gjithashtu me pajisje dhe me autonomi të plotë për shkak se kjo gjykatë duhet të vendos se a janë në pajtim me Kushtetutën aktet më të larta të cilat i nxjerrin organet më të larta-Kryetari i Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe kryeministri, ligjet, aktet nënligjore dhe vendimet tjera", konsideron Salihu.

Pas publikimit të shpalljes kandidatët e përzgjedhur do t'i nënshtrohen vlerësimit të një jurie profesionale. Kjo juri do të dërgojë listën e kandidatëve të përzgjedhur në Kuvendin e Kosovës i cili duhet të bëjë përzgjedhjen e gjyqtarëve me një shumicë prej dy të tretave.

Akti përfundimtar, sipas ligjit, do të jetë te Presidenti i cili do t'i dekretojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG