Ndërlidhjet

Furnizimi i rregullt me energji elektrike për kosovarët nuk do të mund të bëhet edhe për një kohë të gjatë. Kështu thonë autoritetet kosovare, të cilët problemin e furnizimit me rrymë nuk e shohin të zgjidhshëm në një afat të shkurtër, përderisa ekspertët thonë se kjo mund të zgjidhet me një menaxhim më të mirë dhe prodhim të energjisë elektrike nga burimet alternative.


Ministrja e Energjetikës dhe Minierave, Justina Pula –Shiroka, thotë se edhe përkundër mjaft përpjekjeve të vazhdueshme për një furnizim stabil me energji elektrike, Kosova ende përballet me reduktime të energjisë. Sipas saj, situata energjetike në Kosovë, vazhdon të jetë siç ka qenë- e vështirë.

"Ne vazhdimisht jemi duke bashkëpunuar me KEK-un dhe KOST-in dhe jemi duke zbatuar politikat dhe strategjitë të cilat jemi duke përpiluar në minstri, që kjo situatë të zbutet apo të eliminohen kërkesat për furnizim me energji elektrike", thotë ministrja Pula- Shiroka.

Zonja Pula- Shiroka, thekson se në vitin 2008 kanë pasur 35 për qind më shumë energji, krahasuar me vitet e kaluara, por që edhe përkundër kësaj rritje nuk janë përmubushur kërkesat e qytetarëve.

Eksperti për çështje ekonomike, Mehdi Bektashi, thotë se kriza energjetike e ka kapluar gjithë rajonin, por kjo krizë është shprehur më së shumti në Kosovë. Megjithatë, profesor Bektashi i rekomandon Qeverisë ndryshimin e strukturës së prodhimit të energjisë elektrike.

"Qeveria e Kosovës duhet të fillojë të ndryshoj strukturën e prodhimit të energjisë elektrike të mos bazohet vetem në thengjil, por të fillojë ë zbatatimin e projketve për prodhimin e energjisë alternative në rradhë të parë të hidroenergjisë ose përmes energjisë së erës", thotë profesor Bektashi.

Ndërsa, ministrja e Energjetikës, përmend disa nga projektet kapitale të cilat janë duke i realizuar dhe të cilat pritet të jenë të sukseshme në zbutjen e kërkesave për furnizim më energji elektrike.

"Jemi duke realizuar projektin më të madh në Kosovë, termocentrali "Kosova e re", i cili së shpejti pritet të finalizohet dhe do të kemi operuesin i cili do të fillojë të investojë në Kosovë. Por, edhe kjo nuk është për një afat të shkurtër", tha Pula- Shiroka

Ministrja konfirmon se ndërtimi i termocentralit "Kosova e re", pritet të bëhet në vitin 2015.

Ndryshe, edhe pse ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re", nga zyrtarët është vlerësuar si i nevojshëm për gjenerim të rrymës që do t'i përmbushte nevojat e Kosovës dhe të rajonit, ekspertë të kësaj fushe kanë kritikuar ndërtimin e tij.

Sa i përket ndërtimin të Termocentralit "Kosova e re", eksperti për çështje ekonomike, zoti Bektashi thotë.

"Për të ndërtuar këtë tremocentral duhen shumë mjete të cilat nuk i kemi. Qeveria duhet të mbështet në prodhimin e energjisë nga burimet tjera pasi që direktivat e Unionit Evropian kërkojnë që si parakusht për t'u anëtarësuar në Unionin Evropian është që 1.4 e energjisë të jetë energji alternative", potencon Bektashi.

Profesor Bektashi, pohon se për stabilitet energjetik dhe për furnizim stabil me energji elektrike do të duhet shfrytëzim racional i energjisë nga kapacitet ekzistuese, rritjen e prodhimtarisë dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG