Ndërlidhjet

Debati në Kuvend për krimet e komunizmit


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka inicuar debatin për dënimin e krimeve të regjimit komunist të ish-Jugosllavisë. Me propozimin e PDK-së, dënimi i krimeve të komunizmit u inicua përmes një Rezolute, teksti i së cilës ka mbetur ende të harmonizohet.


Teksti i Rezolutës është lexuar nga deputeti i PDK-së, Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit për Legjislacion.

Me këtë Rezolutë, ai tha se Kuvendi dënon krimet e regjimit komunist, gjenocidin, politikat e zbrazjes etnike e shkombëtarizimit me motive etnike, duke dashur që të distancohet përgjithmonë nga këto politika dhe duke dëshmuar se mbështet demokracitë e avancuara evropiane.

Me miratimin e kësaj Rezolute, Hyseni tha se Kosova renditet në radhën e vendeve demokratike evropiane.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës nxjerr këtë Rezolutë, për dënimin e krimeve të regjimit totalitar komunist në Kosovë. Kuvendi i Republikës së Kosovës i dënon krimet e ushtruara në mënyrë sistematike e të institucionalizuara nga ana e regjimeve totalitare komunisto-shoveniste ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke i përfshirë vrasjet në masë shfarosjet, burgosjet, izolimet dhe torturat çnjerëzore, diskriminimin, segregacionion, dhunimet, shpronësimet arbitrare, plaçkitjet dhe dhunimin sistematik të bazës ekonomike, sociale dhe ekzistuese”, tha Hyseni.

Rezoluta bën thirrje për vënien para drejtësisë të urdhërdhënësve të këtyre krimeve dhe rehabilitimin e viktimave të torturës dhe komunizmit.

Mirëpo, gjatë debatit, kishte vlerësime të ndryshme lidhur me efektet e kësaj rezolute.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti tha se ky tekst i kësaj Rezolute nuk thotë asgjë.

Sipas tij, Kuvendi duhet ta thotë qartë se çfarë synon me këtë Rezolutë dhe jo që ta miratojë atë vetëm sa për të implementuar një kërkesë si standard që vjen nga Brukseli për vendet e ish-bllokut komunist apo ato që kanë dalë nga ky bllok.

Zonja e zotërinj, edhe në këtë tekst që e keni para, se s'po e lexoni mirë, por po ta lexoni mirë çka shkruan aty ju vetë nuk e votoni. Se ju nuk jeni duke e parë se në tekstin shqip ndërsa pohohet diçka, ajo mohohet. Pra, qoftë për idenë qoftë për tekstin ju s’guxoni ta votoni kështu”, tha Hamiti.

Ndërsa e ka përkrahur miratimin në parim të Rezolutës, edhe deputeti i AAK-së, Ardian Gjini tha se Kuvendi me këtë lloj Rezolute po miraton një nga vendimet më të kota në historinë e deritashme të legjislativit kosovar.

Ai tha se krimet e kryera sidomos ndaj shqiptarëve, nuk kishin të bënin me komunizimin, siç synon t'i paraqesë kjo Rezolutë, por me vetë qenien shqiptare në ish-Jugosllavi.

Mendimi im është që kjo Rezolutë është koti, që kjo rezolutë është ndarëse, i ndanë njerëzit. Ne të gjithë e dimë këtu se krimet që kanë ndodhur kundër popullit të Kosovës më së paku kanë pasur karakterin ideologjik – komunist. Ato kanë pas karakter etnik. Kanë ndodhur edhe para edhe pas komunizmit. Kjo që po bëjmë sot, sipas mendimit tim nuk do të ketë kurrëfarë peshe pozitive në Kosovë, pos që ka me i ndihmu ndarjes në Kosovë”, theksoi Gjini.

Që Rezoluta të mos mbetet vetëm një standard i miratuar në kuadër të kritereve të kërkuara evropiane, deputetët propozuan që ajo të pasohet edhe me një pako ligjore me të cilën do të trajtoheshin viktimat e regjimit komunist, duke iniciuar edhe përkujdesje institucionale për ta.

Rezoluta parasheh edhe hapjen graduale e të planifikuar mirë të dosjeve të krimit në pajtim me rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Për shkak të pakënaqësive të shumta me tekstin, në fund Kuvendi vendosi që ta shtyejë miratimin e kësaj Rezolute deri më 29 janar, në mënyrë që gjatë kësaj kohe, shefat e grupeve parlamentare ta harmonizojnë këtë tekst me shumë vërejtjet e parashtruara gjatë seancës së sotme.


  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG