Ndërlidhjet

logo-print

Obama emëroi emisarët Mitchell dhe Holbrooke

  • RFE /RL

Richard Holbrooke, Barack Obama dhe George Mitchell

Richard Holbrooke, Barack Obama dhe George Mitchell

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama e vazhdoi ritmin e shpejtë të vendim-marrjes, duke emëruar dy emisarë të posaçëm për Lindjen e Mesme dhe rajonin e Afganistanit e Pakistanit.




George Mitchell, ish senator amerikan dhe negociator me përvojë ndërkombëtare, do të jetë i dërguari i Obamës në Lindjen e Mesme, i ngarkuar për bisedimet e ngecura paqësore arabo-izraelite.

Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holbrooke, kryearkitekt i marrëveshjes, e cila i dha fund luftës në Bosnje, u emërua emisar i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin.

Obama u paraqit në Departamentin e Shtetit bashkë me Sekretaren e sapokonfirmuar të Shtetit, Hillary Clinton për ta shpallur emërimin e Holbrooke dhe Mitchell.

Clinton, e cila u përshëndet me duartrokitje frenetike nga të punësuarit në Dapertamentin e Shtetit kur arriti në mëngjes, tha se diplomacia dhe zhvillimi do të jenë komponenta kritike për politikën e jashtme të administratës Obama.
Sekretarja e shtetit, Hillary Clinton


"Sot e fillojmë një punë të vështirë për ta rikthyer pozitën tonë dhe për ta aftësuar vendin tonë që të përballet me sfidat e shekullit 21, por edhe për t'i shfrytëzuar mundësitë që na presin. Presidenti është i përkushtuar që diplomacinë dhe zhvillimin t'i bëjë partnerë në politikën tonë të jashtme bashkë me mbrojtjen", tha Clinton.

Obama e mori zyrën në një kohë sfidash për politikën e jashtme. Ato përfshijnë përpjekjet anti-terror nga Iraku në Afganistan, reduktimin e kërcënimit nga aktivitetet bërthamore të Iranit dhe mbështetjes së terrorizmit, si dhe shuarjen e dhunës ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Obama tashmë urdhëroi rishikimin e plotë të strategjisë amerikane në Afganistan, dhe u tha gjeneralëve të tij që ta ndërmarirn hapin e parë për përmbushjen e zotimit të tij gjatë fushatës për tërheqjen e trupave nga Iraku.

Osama bin Laden dhe militantë tjerë të Al Qaedas besohet se fshihen në rajonet malore ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit.

Holbrooke, 67 vjeçar, ndërmjetësoi Marrëveshjen paqësore të Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje.

Ai ishte pretendues për sekretar shteti në administratën e presidentit Bill Clinton, por puna iu dha diplomates Madeleine Albright, ndërsa Holbrooke u bë ambasador i SHBA-ve në Kombet e Bashkuara.

Duke shpallur emërimin e Holbrookut, Obama e theksoi rëndësinë e diplomacisë dhe zhvillimit në rajonin afgano-pakistanez, dhe tha se përkeqësimi i situatës atje është "kërcënim urgjent" për sigurinë globale.

"Ky është fronti qendror në luftën tonë të qëndrueshme kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Atje, ashtu si në Lindjen e Mesme, duhet të kuptojmë se nuk mund t'i zgjidhim problemet tona me izolim. Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme përderisa nuk i zgjërojmë sferat e mundësive për popujt e Afganistanit dhe Pakistanit", tha Obama.

Në përcaktimin e tij të diplomatit 75 vjeçar George Mitchell si emisar për Lindjen e Mesme, Obama ka zgjedhur diplomatin e kalitur për shkathtësitë e tij diplomatike.

Mitchell njihet më së shumti për ndhmën e tij që t'i jepet fund luftës ndërmjet Katolikëve dhe Protestantëve në Irlandën e Veriut, ndërsa në
Lindjen e Mesme ishte i angazhuar edhe gjatë administratës Clinton.

Në vitin 2001, Mitchell ishte autor i raportit, i cili i bënte thirrje Izraelit të ndalë ndërtimin e vendbanimeve në territoret e kontestuara, ndërsa nga palestinezët kërkonte qëndrim më të ashpër ndaj terrorizmit.


XS
SM
MD
LG