Ndërlidhjet

Tradita e bartjes së armëve


Frika dhe mosbesimi tek institucionet e dikurshme janë vetëm disa nga arsyet pse kosovarët vazhdojnë të mbajnë armë të paligjshme. Sipas sondazheve të bëra përllogaritet që numri i këtyre armëve të jetë mbi 300 mijë.


Tradita e frikës, mosbesimi tek institucionet e dikurshme si dhe tradita bashkëkohore janë disa nga arsyet pse qytetarët e Kosovës mbajnë armë në mënyrë të paligjshme thonë autoritetet kosovare. Ato theksojnë se ulja e numrit të mbajtjes së armëve nga qytetarët është sfidë për Kosovën.

Këshilltari për siguri i kryeministrit të Kosovës, Dukagjini Gorani, potencon se armët e vogla dhe sasia e tyre që ekziston në duar të kosovarëve në pronësi private është shumë e madhe, dhe po ashtu paraqet rrezik potencial për jetën e tyre.

Mirëpo sipas tij, eliminimi i armëve të vogla dhe bindja e qytetarëve për panevojshmërinë e tyre është pjesë e një përpjekjeje shumë më të madhe që duhet të ndërrmirret nga shumë struktura shtetërore, në mënyrë që të ndryshohet koncepti kulturor i cili e ndërlidh individin me armë.

"Meqenëse në Kosovë dhe kudo në vendet demokratike nuk mund të ketë aksione të prera për mbledhjen armëve, atëherë mbetet të ndikohet vazhdimisht në ndryshimin e bazës kulturore, e cila vazhdimisht bind qytetarin e Kosovës që arma duhet të mbahet në pronësi private", thotë zoti Gorani.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se armëve në posedim t'u përcaktohen standardet për mbajtjen e tyre dhe në një mënyrë të legalizohen.

"Një prej mundësive është që ato armë më Ligjin e ri që është draftuar t’u jipet mundësia që ata qytetarë që kanë armë në formë ilegale, por që janë të standardizuara për posedim privat apo personal, t'u mundësohet legalizimi", mendon eksperti i sigurisë, zoti Ibishi.

Sipas tij, kjo do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të atyre që mbajnë armë ilegale dhe në eliminimin e kontrabandës. Megjithatë, zoti Ibishi thekson se tani me krijimin e institucioneve të sigurisë nuk ka nevojë që këto armë të barten nga qytetarët.

Statistikat e përgjithshme flasin se në Kosovë ekziston një numër i madh i armëve të ilegale, që kanë mbetur kryesisht nga periudha e luftës 1998-1999. Madje kjo shifër sipas hulumtimeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare sillet prej 300 mijë deri në 400 mijë.

Këshilltari i sigurisë në Qeverinë e Kosovës, zoti Gorani duke iu referuar këtyre të dhënave, thotë se përllogaritet se çdo e dyta familje në Kosovë në njërën apo tjetrën formë kanë në pronësi private një lloj arme.

"Kjo flet për një koncept kuturor i cili është me gjasë i krijuar gjatë viteve dhe dekadave, i cili shumë ndërlidhet me frikën dhe mosbesimin ndaj insitutucioneve të pushtetit të mëhershëm, por me kohën është shndërruar në një lloj të fetishit kulturor", thekson zoti Gorani.

Zyrtarë të çështjeve të sigurisë dhe përfaqësues të qeverisë, ndër të tjera konsiderojnë se duhet të krijohet një sistem për parandalimin e kontrabandës dhe për evidentimin e atyre personave që posedojnë, apo dëshirojnë të posedojnë revole.

Policia e Kosovës që nga viti 1999 dei më tani ka konfiskuar rreth 15 mijë armë ilegale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, shpjegon se shumica nga këto armë janë konfiskuar gjatë operacioneve të ndryshme policore.

"Kemi pasur gjatë viteve edhe amnisti të organizuar nga KFOR-i, të cilat nuk janë treguar shumë të suksesshme. Sidoqoftë përllogartiet që në Kosovë janë rreth 300 mijë armë në duar të qyteatrëve", thotë Elshani, duke bërë apel tek qytetarët për dorëzimin e armëve pa leje.

XS
SM
MD
LG