Ndërlidhjet

Përfaqësues kosovarë të Gjykatave në veri të Kosovës thonë se puna e EULEX-it në këto gjykata do të jetë e paefektshme, pa bashkëpunimin me gjykatës dhe prokurorë vendas dhe në mungesë të pranisë së tyre në objektet në veri.


Gjyqtarët dhe prokurorët e misionit EULEX kanë filluar veprimin e tyre në gjykatat në veri të Kosovës, mirëpo pa prezencën e punonjësve kosovarë të gjyqësisë atje.

Përfaqësues kosovarë të Gjykatave në veri të Kosovës thonë se puna e EULEX-it në këto gjykata do të jetë e paefektshme pa bashkëpunimin me gjykatës dhe prokurorë vendas dhe në mungesë të pranisë së tyre në objektet në veri.

Planet e pranisë ndërkombëtare në Kosovë për rifunksionalizimin e plotë të gjykatave në veri duket se nuk kanë mundur të realizohen në tërësi, marrë parasysh mungesën e punonjësve vendorë në këto institucione.

Administrata e Kombeve të Bashkuara, kohë më parë, kishte paraparë kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kosovarë në organet gjyqësore në veri deri kah mesi i muajit janar, gjë që nuk ka ndodhur akoma.

Ndryshimi i bërë në gjykatat në veri ka të bëjë me fillimin e veprimit të gjykatësve dhe prokurorëve të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, të cilët që nga mesi i janarit janë të pranishëm tek këto organe me një staf të përbërë nga 8 punonjës ndërkombëtarë të këtij misioni.

Drejtori i Zyrës për informim në EULEX, Viktor Reuter, sqaron situatën aktuale në institucionet gjyqësore në veri.

"Janë 4 gjykatës, 2 prokurorë dhe 2 këshilltarë ligjorë që aktualisht punojnë në gjykatat në veri. Për momentin, që të gjithë janë ndërkombëtarë, pra nuk është i pranishëm akoma stafi vendor", thotë Reuter.

Reuter njofton se, pavarësisht bartjes së kompetencave nga UNMIK-u në EULEX, në gjykatat në veri të qytetit të Mitrovicës ka akoma raste që shqyrtohen nga punonjës të UNMIK-ut.

Mirëpo, këta punonjës, sipas tij, që nga data 9 dhjetor e vitit të kaluar nuk kanë më kompetenca në fushën e sundimit të ligjit.

"Që nga data 9 dhjetor UNMIK-u ka shuar aktivitetet e veta në fushën e sundimit të ligjit. Janë disa dosje të cilat akoma shqyrtohen nga gjykatës dhe prokurorë të UNMIK-ut por ata nuk kanë më kompetenca në këtë drejtim. EULEX-i është përgjegjës për të gjitha aktivitetet në fushën e sundimit të ligjit në përputhje me mandatin e tij", thekson ai.

Misioni EULEX, si mision teknik ka për obligim të mbikëqyrë, t'i ndihmojë dhe t'i këshillojë institucionet e Qeverisë së Kosovës në polici, dogana dhe drejtësi.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, Kapllan Baruti thotë se ky mision nuk mund të përmbushë mandatin e vet në veri po qe se në gjykata nuk kthehen gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë.

"Unë konsideroj se për tu realizuar qëllimi i misionit të EULEX-it ne duhet të punojmë së bashku në një objekt dhe duhet të kemi kontakte të përditshme dhe bashkëpunim permanent", vlerëson Baruti.

Baruti mohon të ketë marrë ndonjë njoftim nga misioni EULEX për kohën e saktë të rikthimit eventual të punonjësve kosovar të gjyqësorit në pjesën veriore të Mitrovicës.

"Krejt premtimet që i kemi janë të drejtuara në angazhimin e tyre për krijimin e kësaj mundësie", shton ai.

Pas uzurpimit të gjykatave në veri nga protestuesit serbë në fillim të vitit 2008, punonjësit kosovarë të këtyre institucioneve ishin detyruar të zhvendosen në objektin e Gjykatës komunale në Vushtrri duke shqyrtuar vetëm rastet urgjente.

Rikthimi i kosovarëve nëpër gjykatat në veri, nga zyrtarë të institucioneve shtetërore të Kosovës, është vlerësuar të jetë një hap sfidues, por i domosdoshëm për normalizimin e situatës në atë pjesë të vendit.
XS
SM
MD
LG