Ndërlidhjet

Dilema e ligjeve të aplikueshme


Gjyqtarë dhe prokurorë të misionit evropian tashmë po monitorojnë punën e gjykatave kosovare. Cilat ligje do të aplikojnë gjyqtarët e misionit evropian, marrë parasysh faktin se EULEX është deklaruar të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës?



Ende nuk është sqaruar se cilat ligje do t’i aplikojnë gjyqtarët dhe prokurorët e misionit evropian gjatë trajtimit të rasteve, që do t’u besohen atyre.

EULEX-i, i cili ka nën mbikëqyrje sistemin e drejtësisë në Kosovë, është deklaruar të jetë neutral ndaj statusit derisa bazë ligjore insiston ta ketë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi heqë çdo dilemë lidhur më ketë cështje.

“Edhe gjyqtarët vendorë do të zbatojnë një palë ligje, ligjet e Kosovës, ligjet që i zbatojnë prokurorët dhe gjyqtarët vendorë. Nuk ka ligje të ndara në bazë të Rezolutës 12 44, ligje e ç’ligje, sepse ajo rezolutë nuk i përcakton ligjet e aplikueshme. Është një rregullore e UNMIK-ut, që i ka përcaktuar se cilat janë ligjet e zbatueshme në Kosovë e ajo ka qenë rregullorja 1999 / 24, mirëpo me pavarësinë e Kosovës dhe me Kushtetutën e Republikës të Kosovës Parlaamenti i Kosovës ka nxjerrë ligje dhe është kompetent që të nxjerrë ligje me të cilat i rregullon fushat e ndryshme dhe raportet ne shoqërinë kosovare”, thotë Kelmendi.

Ajo thotë se meqë në Kosovë nuk ka pasur vakuum juridik, çështja se cilat ligje do të aplikohen më nuk vihet në diskutim.

“Kështu që vetëm nëse do të ketë vakuum juridik mund të aplikohet ndonjë ligj që është nxjerrë më herët e për ligjet tjera, vetëm në bazë të ligjeve, që i zbatojmë ne, gjyqtarët dhe prokurorët vendorë, nuk do ketë dy kute ligjesh, dy lloje ligjesh që do të zbatohen në Kosovë....”, tha ministrja Kelmendi.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Halit Muharremi thotë se gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it do të marrin për bazë legjilsacionin kosovar.

“Në bazë të marrëveshjes për punën e gjyqtarëve të EULEX-it është e siguruar një qasje krejt tjetër, do me thënë një punë e përbashkët dhe puna e gjyqësorit kosovar do të jetë e mbështetur në legjislacionin pozitiv të Kosovës dhe kësisoj kjo strukturë ligjore do të zbatohet në gjyqësorin kosovar. Prandaj, EULEX-i nuk do veprojë në bazë të ndonjë legjislacioni që nuk është kompatibil me sistemin juridik të Kosovës”, tha Muharremi.

Zyrtarë nga EULEX-i nuk parapëlqejnë që të deklarohen për këtë çështje.

Jesper Stig Andersen, zyrtar për drejtësinë në EULEX shpjegon për punën që do ta bëjnë gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it.

“Gjykatësit do të punojnë në ekipe të përziera, ata do të shqyrtojnë rastet së bashku – këtu do të jetë i përfshirë edhe Programi për Monitorim, Këshillim dhe Udhëzim, ku pra do udhëzohen, këshillohen kolegët kosovarë se si të merren me rastet e veçanta. Për një pjesë të vogël të misionit, fuqitë ekzekutive ende janë atje, por për pjesën më të madhe të misionit është e qarët se në rolin udhëheqës janë prokurorët, gjykatësit lokalë”, tha Andersen.

Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tri korniza ligjore: ligjet e aprovuara në Kuvendin e Kosovës së bashku me Kushtetutën e Kosovës si aktin më të lartë juridik të shtetit, disa ligje të ish-Jugosllavisë, si dhe disa rregullore të UNMIK-ut, të cilat akoma nuk janë zëvendësuar me ligje të Kosovës.

Ekzistimi i këtyre kornizave ligjore duket se ndërlikon edhe më tej operimin e EULEX-it në gjykatat në veri të Kosovës, meqë serbët lokalë atje thonë se nuk do t'u nënshtrohen ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

XS
SM
MD
LG