Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të ekonomisë, thonë se kriza globale ekonomike do të ndikojë në investimet e huaja në Kosovë. Ata vlerësojnë se në mungesë të këtyre investimeve, do të rëndohet më shumë gjendja ekonomiko-sociale.


Autoritetet kosovare theksojnë se kriza ekonomike globale e gjysmës së dytë të vitit të kaluar ka ndikuar në nivelin e investimeve të huaja në Kosovë. Megjithatë, ata thonë se janë të kënaqur me nivelin e investimeve të huaja cila janë bërë në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa, ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderojnë se përveç krizës globale e cila do të ndikojë në investime, në Kosovë duhet të krjohet edhe një ambient i sigurt në mënyrë që të joshen investitorët e ndryshëm botërorë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, vlerëson se në Kosovë po ndodhin investime të huaja direkte. Sipas tij, shënimet e fundit të Bankës Qendrore janë inkurajuese për nivelin e investimeve që kanë qenë vitin e kaluar në Kosovë, edhe përkundër disa zhvillimeve që nuk kanë qenë në favor të këtyre investimeve.

"Kriza globale e gjysmës së dytë të vitit të kaluar, sigurisht që ka ndikuar në nivelin e investimeve. Duke i marrë parasysh të gjitha këto, ne jemi të kënaqur me nivelin e investimeve, që kanë ndodhur në Kosovë", thotë ministri Zharku.

Përveq krizës globale ekonomike, në investimet e huja, sipas ministrit Zharku, ka ndikuar edhe procesi i privatizmit në Kosovë, i cili gjatë vitit të kaluar kishte ngecur për shkak të zgjidhjes së statusit të Kosovës, dhe transferit të kompetencave nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ministri Zharku konsideron se në këtë fatkeqësi ekonomike globale, Kosova ka qenë e ruajtur dhe nuk i ka ndjerë drejtpërsëdrejti pasojat e kësaj krize.

"Zvogëlimi i vendeve të punës, rënia e prodhimit industrial në vendet më të mëdha industriale, vendet të cilat janë të interesuara të investojnë në Kosovë, është krejt normale që ndikimi i krizës mund të ndihet edhe gjatë këtij viti në Kosovë, mirëpo edhe përkundër asaj ne presim vazhdim të nivelit të investimeve", thotë ai.

Ndërsa, eksperti për çështje ekonomike, Isak Mustafa thotë se përveç sigurisë, e cila ndikon në investimet e huaja, tani njëra nga arsyet do të jetë edhe kriza globale ekonomike.

Mustafa thotë se Qeveria e Kosovës është duke u mundur të krijojë kushte për investime të huaja në Kosovë. Sipas tij, edhe përkundër krizës globale, Kosova është një vend i sigurt për investime.

"Kosova do të jetë dhe është një treg atraktiv për investitorët e jashtëm duhet të angazhohemi në krijimin e investimeve të përbashkëta", thotë Mustafa.

Ai thekson se pa investime të huaja në Kosovë nuk do të ketë rritje ekonomike.

Edhe Isa Tahiri, ekspert për çështje të ekonomisë, thekson se humbjet që kompanitë botërore i kanë pasur nga kriza ekonomike globale do të ndikojnë në ndryshimin e vizionit apo mundësive reale për të investuar në Kosovë, qoftë për ndihmë për Kosovën, qoftë për interes personal.

"Gjithsesi, kriza globale ekonomike do të ndikojë në mënyurë direkte dhe indirekte në Kosovë, përkitazi me investimet e huaja", thotë Tahiri, duke shtuar se gjasat për investime reale janë zbehur.

Sipas tij, në mungesë të investimeve të huaja, qytetarëve të Kosovës do t'i rëndohet edhe më tej gjenjda ekonomike dhe sociale.

Ndryshe, sipas ekspertëve shenjat e para të krizës ekonomike u paraqitën në gusht të 2007-ës, por 2008-ta ishte viti i krizës së vërtetë financiare.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG