Ndërlidhjet

Prishtina dhe Shkupi me synime të përbashkëta


Prishtina dhe Shkupi kanë synime të përbashkëta për integrime euroatlantike, është thënë pas takimeve të autoriteteve kosovare me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Zyrtarët e lartë të Prishtinës si dhe ai i Shkupit thanë se rajoni i Ballkanit, përmes bashkëpunimit reciprok duhet të dëshmojë se është i interesuar edhe për integrime në BE dhe në NATO.

Kosova dhe Maqedonia mund të jenë shembuj të bashkëpunimit rajonal, është thënë sot pas takimeve të ndara që presidenti Fatmir Sedjiu dhe kryeministri Hashim Thaçi zhvilluan me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se Prishtina dhe Shkupi së shpejti do të vendosin bashkëpunim në nivel ambasadash. Presidenti Sejdiu tha se bashkëpunimi mes dyja vendeve kap çështjet e interesave dypalëshe.

Në këtë aspekt, Sejdiu tha se Kosova ka interes të bashkëpunojë me Maqedoninë edhe si fqinjë, por edhe si vend ku ka një popullatë të konsiderueshme shqiptare. Ai tha se nuk pajtohej me disa konstatime se ka vonesa në çështjen e hapjes së ambasadave, duke rikonfirmuar se këto vendime si në Shkup ashtu edhe në Prishtinë do të merren së shpejti.

“Unë s’do ta quaja ngecje, por do ta quaja nevojë të zhvillimeve të proceseve normale që bëhen apo respektimit të procedurave që ka secili vend. Për ne është prioritet e po ashtu edhe në republikën e Maqedonisë është prioritet vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Kjo assesi nuk nënkupton se ne nuk kemi marrëdhënie të mira. Kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dhe mendoj se shumë shpejt ne do të procedojmë me vendime konkrete”, tha Sedjiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova dhe Maqedonia të dyja synojnë integrimet euroatlantike, andaj sipas tij, të dyja vendet janë të interesuara që edhe mes vete të kenë një bashkëpunim cilësor për interesa të dypalëshe.

Në këtë aspekt, Thaçi përmendi edhe idenë e dy presidentëve, atij të Shqipërisë Bamir Topi dhe atij të Kosovës, Fatmir Sejdiu që rajoni të lehtësoj qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, duke marrë shembull lirinë e lëvizjes për vendet e bashkimit Evropian.

“Është një ide e menduar prej dy presidentëve. E ardhmja edhe e Kosovës, e Shqipërisë por edhe e gjithë rajonit është integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pra ajo ide ndërlidhet me integrimet euroatlantike”, theksoi Thaçi.

Ndërkohë, edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se rajoni ka rastin e mirë që të dëshmoj se është i gatshëm për bashkëpunim mes vendeve, çka sipas tij, i hapë perspektivën këtij rajoni drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

“Kosova është vend fqinjë i Maqedonisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe mendoj se këto katër vende kanë shumëçka që mund të punojnë. Ka shumëçka që i afron dhe mendoj se është perspektiva e rajonit, është ardhmëria e rajonit nëse këto vende bashkëpunojnë në energjetikë, në komunikacion, në marrëveshjet e ndryshme për ujërat, e kështu me radhë”, tha Ahmeti.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet politike në Maqedoni dhe idetë që atje shqiptarët të dalin me kandidatin e tyre të vetëm për postin e presidentit të Maqedonisë, Ali Ahmeti tha se nuk është kundër asaj që shqiptarët të kenë poste të larta si ai i presidentit apo i kryeministrit të shtetit, por sipas tij, kjo mund të realizohet vetëm nëse ka ndonjë marrëveshje politike me partitë maqedonase.

“Mendoj që kjo çështje nuk është biseduar në thellësi që ne të kandidojmë me një president dhe ai president të fitoj në zgjedhje. Mendoj që nuk ka terren akoma të përgatitur”, deklaroi Ali Ahmeti.

Kryetari i BDI-së është pritur edhe nga kryeparlamentari kosovar, Jakup Krasniqi. Në takim u tha se është diskutuar dhe për bashkëpunimin mes parlamentave të dyja vendeve.
XS
SM
MD
LG