Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës thotë se po zbaton paralelisht një plan në tri drejtime për Mitrovicën në përpjekje të kthimit të normalitetit në këtë qytet. Mirëpo, opozita konsideron se institucionet janë vonuar shumë dhe nuk kanë fare strategji për veriun e Kosovës. Autoritetet lokale kërkojnë arrestime të atyre që shkaktojnë incidente në veri të qytetit.


Problemi i Mitrovicës kërkon zgjidhje politike dhe jo përmes instrumenteve të dhunës, thonë në qeverinë e Kosovës.

Në këtë aspekt, qeveria ka një kohë që ka prezantuar tri orientime bazë mbi të cilat synohet të fillohet në stabilizimin fillimisht të gjendjes atje, e më pas edhe të zgjidhjes së problemit të krijuar tash e nëntë vite.

Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës, deputetët ndajnë mendime të ndryshme rreth përpjekjeve aktuale të ekzekutivit.

Sidoqoftë, qeveria beson se përmes menaxhimit politik të situatës, bashkëpunimit me strukturat komunale, pranisë ndërkombëtare dhe organeve të rendit si dhe punës së përbashkët me popullatën lokale, do t’i paraprijnë zgjidhjes graduale të këtij problemi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se në çdo rast, Mitrovica trajtohet si problem që kërkon zgjidhje politike.

“Ne mendojmë se zgjidhja duhet të jetë politike dhe jo përmes instrumenteve të rendit. E para ka të bëj me menaxhimin politik të situatës. Menaxhimi i dytë shkon përmes institucioneve të rendit në koordinim të plotë me KFOR-in dhe organet e EULEX-it dhe menaxhimi i tretë i qeverisë shkon përmes popullatës lokale, në kuptimin e asaj që të stimulohet qëndrimi i tyre, stimulimi i të tjerëve që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre dhe stimulimi i një jete të qëndrueshme dhe të përbashkët në Kosovë”, thotë Kuçi.

Ndërsa qeveria thotë se po punon në tri orientimet e saj për Mitrovicën paralelisht, Kuvendi i Kosovës, sipas kryeparlamentarit Jakup Krasniqi do të jetë në koordinim të plotë me ekzekutivin.

Krasniqi thotë se e mbështet qeverinë në angazhimet e përbashkëta, që fillimisht në Mitrovicë të ndërtohet një stabilitet në mënyrë që të vazhdohet tutje me zgjidhjen e problemeve të shumta atje.

Ai thotë se edhe Kuvendi, do ta ketë rolin e vet në këtë proces.

“Roli i Parlamentit sa i përket Mitrovicës do të jetë në koordinim me të gjitha institucionet e Kosovës dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar që e ka një përgjegjësi shtesë dhe ndoshta duhet dhënë edhe një afat shtesë për të vendosur një stabilitet dhe siguri më të mirë në atë pjesë të Kosovës. Do të thotë angazhimi i Parlamentit do të jetë në këtë drejtim”, thotë Krasniqi.

Ndryshe nga qeveria dhe kryetari i Kuvendit, deputeti opozitar nga radhët e AAK-së, Naim Maloku thotë se institucionet janë vonuar shumë në trajtimin e çështjeve të ndjeshme të sigurisë.

Maloku thotë se politikat e sigurisë duhet të ndërtohen nga ana e Këshillit të Sigurisë, i cili ende nuk është formuar. Kjo sipas tij, po ndikon në mungesën e strategjive efikase për t’u ballafaquar me problemet aktuale në fushën e sigurisë.

“Mendoj se institucionet e Kosovës janë vonuar në ndërtimin e kupolës, ombrellës së sigurisë, që është Këshilli i Sigurisë. Aty duhet të hartohet strategjia dhe politikat e sigurisë dhe nga këto politika dhe strategji në Këshillin e Sigurisë, qeveria duhet të nxjerr planet e veprimit, jo vetëm për veriun, por për sigurinë në Kosovë”, thekson Maloku.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi kërkon veprime konkrete dhe arrestime të njerëzve dhe grupeve që shkaktojnë incidente në veri të qytetit.

Ai beson se politika kosovare duhet të vendos rendin dhe ligjin, për të mundësuar që në Mitrovicë të ketë një stabilitet dhe paqe për të gjithë.

“Që të preventohen këto incidente duhet të filloj arrestimi i njerëzve që shkaktojnë dhunë. Ky do të ishte mesazhi se ata nuk janë të paprekshëm dhe vetëm në atë mënyrë do të mund të filloj vendosja e rendit dhe ligjit dhe një ambient më i sigurt për të gjithë”, thotë Rexhepi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG