Ndërlidhjet

Politika dhe Avokati i Popullit


Për herë të katërt Kuvendi i Kosovës në seancën e parë të muajit të ardhshëm do të provojë të zgjedhë Avokatin e Popullit. Udhëheqja e komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, thotë se janë duke i bërë përgatitjet e fundit për ketë çështje.

Kuvendi i Kosovës pritet, që në seancën e parë të muajit shkurt të bëjë zgjedhjen e Avokatit te Popullit. Kështu ka bërë të ditur kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni pohon se të gjitha përgatitjet e nevojshme ligjore janë duke u bërë në mënyrë që në seancën e parë muajit të ardhshëm Kuvendi ta zgjedh Ombudspersonin.

"Unë, besoj që nuk do të ketë zvarritje. Së shpejti po e përgatisim raportin si komision për legjislacion për Kuvendin e Kosovës, ku pritet edhe të dalin në votim kandidatët e propozuar. Mbi të gjitha unë mendoj se janë plotësuar të gjitha kriteret që ne të rekomandojmë raportin në Kuvend të Kosovës dhe Kuvendi të vendos a do të zgjedh ndonjë kandidat", tha Hyseni.

Edhe ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, Hilmi Jashari që njëherësh është edhe kandidat për këtë post, shpreson që çështja e Ombudspersonit të Kosovës shpejt do të zgjidhet.

"Meqë na ndodhi që konkursi të anulohet, e ky është i katërti me radhë. Unë besoj që Kuvendi i Kosovës veç ka marr sinjale të duhura dhe janë shumë të vetëdijshëm që kjo e dëmton në rend të parë vet institucionin e Kuvendit të Kosovës".

"Mirëpo edhe mekanizmin, si institucioni e Ombudspersonit, prandaj kam shpresë që me siguri do të përmbyllet ky konkurs kësaj radhe ",
tha Jashari.

Tri herë më parë, çështja e zgjedhjes së udhëheqësit të institucionit të Ombudspersonit ka dështuar në mungesë të një konsensusi. Për këtë ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, zoti Jashari thotë se ka ndodhur për shkak të disa ndikimeve politike.

"Me siguri ju keni mundur ta dini se ka pas shumë reagime të organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtat e njeriut dhe shqetësimet kryesore kanë qenë të këto aspekte të ndikimet që kanë mundur të ushtrohen në përzgjedhjen e personit adekuat që kishte mundur t'i përmbushë ato kërkesat e ligjit mbi avokatin e popullit. Këto reagime kanë qenë publike dhe kanë ngrit shqetësime në masën me të madhe sa i përket përzgjedhjes së listave të ngushta që janë prezantuar tek Kuvendi i Kosovës", tha Jashari.

Por me këto deklarata nuk pajtohet Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni. Ai mendon se kjo çështje nuk është e politizuar.

"Nuk ka fare politizim. Asnjë ndikim politik nuk ka qenë as në anëtarët e komisionit, as në vet komisionin që të kemi një propozim për dikë apo ndonjë anëtar tjetër", tha ai.

Sido që të jetë anëtaret e kryesisë se Kuvendit të Kosovës kanë shprehur optimizmin e tyre se procesit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit i ka ardhur fundi dhe se sipas tyre nuk do te këtë vonesa te tjera.

Kjo do të jetë hera e katërt që Kuvendi provon të zgjedhë Avokatin e Popullit.


XS
SM
MD
LG