Ndërlidhjet

FSK (s’)është politizuar


Pjesëtarë të FSK-së
Pjesëtarë të FSK-së

Qeveria e Kosovës angazhohet që në bashkëpunim me NATO-n t'i rishqyrtojë disa lëshime, siç u tha teknike, në testet për rekrutimin e pjesëtarëve të TMK-së në Forcën e Sigurisë. Opozita vlerëson se procesi i seleksionimit të anëtarëve të TMK-së për në FSK është politizuar.

Qeveria e Kosovës vazhdon ta cilësojë të suksesshëm procesin e transformimit dhe shuarjes së TMK-së dhe rekrutimit të pjesëtarëve të saj në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në anën tjetër, opozita konsideron se procesi është politizuar dhe se qeveria ka përzgjedhur politikisht pjesëtarët e TMK-së për ti rekrutuar në FSK, duke mos i respektuar kriteret profesionale që ishin përcaktuar me konkurs.

Mirëpo, ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota tha se përkundër disa lëshimeve teknike, procesi ka rrjedhur suksesshëm, duke sqaruar se gjatë gjithë kohës, përzgjedhja është bërë në prani të NATO-s dhe faktorit ndërkombëtar.
Fehmi Mujota


Ministri Mujota i siguroi të gjithë pjesëtarët e TMK-së që nuk kanë arritur të bëhen pjesë e FSK-së se do të ketë një përkujdesje institucionale për ta.

“Ka qenë e ditur se në FSK nuk mund të përfshihen të gjithë konkuruesit, prandaj është aprovuar ligji për pensionimin e parakohshëm për pjesëtarët e TMK-së. Të gjithë pjesëtarët e përfshirë do të marrin pagë për shërbim deri më 14 qershor të vitit 2010. Ndërsa gjatë kësaj kohe, institucionet e Kosovës do të kujdesen për trajtim të vazhdueshëm. Nato ka ngritur dhe një program të veçantë për risistemimit për pjesëtarët që nuk kalojnënë FSK”, tha Mujota.

Ndërkohë, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini konsideron se përzgjedhja e pjesëtarëve të TMK-së për Forcën e Sigurisë është politizuar.
Ardian Gjini

“I gjithë procesi i transformimit të TMK-së në FSK është menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Ne e kemi parë një neglizhencë totale për tu marrë me këtë çështje tepër serioze për Kosovën dhe ne mendojmë se qeveria ka filluar të merret me këtë problem në momentin e fundit dhe atë vetëm me qasjen se kush do të jetë anëtar i FSK-së e kush jo dhe se a do të jenë ata njerëz të preferuar ët qeverisë apo jo”, deklaroi Gjini.

Ndërsa procesi i testimit, përkatësisht rekrutimit të pjesëtarëve të TMK-së në FSK është përcjellë edhe me protesta e dorëheqje, ministri Fehmi Mujota tha se ato janë lëshime teknike dhe nuk bëhet fjalë për një lëshim sistematik.

Javën e kaluar, institucionet premtuan se do të bëjnë një rishikim total të testeve për pranimin e pjesëtarëve në FSK, sot Muota tha se do të shikohen mundësitë që në bashkëpunim me NATO-n të evitohen disa lëshime teknike.

“Keni parasysh kur shqyrtohen rreth 2.800 kandidatura dhe dinamikën e zhvillimeve, lëshimet e mundshme teknike nuk janë të natyrës aq te ndjeshme sa përmendet. Por, komandanti i KFOR-it dhe NATO kanë mirëkuptim për të dhënë mundësinë ndoshta për të njerëzit që kanë kapacitetin e tyre për tu futur në trajnime dhe në verifikimet e mëtutjeshme derisa të lidhen kontratat e punës me Forcën e Sigurisë”, thekson Mujota.

Ndryshe, nga 2.800 kandidatët që kanë konkurruar nga radhët e TMK-së, pas seleksionimit, në FSK janë pranuar mbi 1.400 pjesëtar. Mirëpo kontrata me këta kandidat do të lidhet vetëm nëse ata me sukses i kalojnë edhe trajnimet shtesë që do të fillojnë nga muaji shkurt.

Ministri Mujota, tha se në FSK janë përfshi edhe 6.5 përqind të pjesëtarëve nga radhët e minoriteteve si dhe nga aspekti gjinor, rreth 3.5 përqind janë femra. Ministri i FSK-së konfirmoi se ka filluar konkurrimi për në FSK edhe nga radhët e qytetarëve tjerë, që nuk kanë qenë pjesë e TMK-së. Forca e Sigurisë ngritet nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe mbi kriteret e Aleancës Veri-atlantike.

Fillimisht kjo Forcë do të ketë 2.500 trupa të rregullta dhe 800 rezervë, si dhe do të pajiset me një armatim të lehtë. Ndërsa aktualisht është nën mbikëqyrjen e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, si forcë që ka nën mandat sigurinë dhe mbrojtjen, FSK shihet nga kosovarët edhe si ushtria e ardhshme e Kosovës.
XS
SM
MD
LG