Ndërlidhjet

Beteja për fitore në GJND


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Kosova, sipas Ministrisë së Jashtme, ka marrë konfirmime pozitive nga disa shtete që e kanë njohur pavarësinë, se do të deponojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përgjigje në favor të Kosovës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.



Beteja për të fituar rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë(GJND) mes Kosovës e Serbisë po zhvillohet ende pa nisur mirë procesi gjyqësor.

Palët kanë kohë të përgatiten deri më 17 prill, kur është afati i fundit, që të deponojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë deklaratat e tyre me shkrim lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.

Ndërkohë, përmes nje letre, këto ditë, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiq, u ka kërkuar 80 vendeve, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta mbështesin Serbinë, e cila inicioi çështjen e vlefshmërisë së pavarësisë në GJND.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Vlora Çitaku shpjegon se edhe Kosova ka ndërmarrë veprime të tilla, por ajo nuk jep detaje.
Deklarata e pavarësisë


"Ne kemi vepruar shumë më herët, ne këmi kontaktuar me shtete shumë më herët, por jo çdo veprim që ndërmarrim në raport me GJND-në, ne e e kemi bërë publik. Për shkak të sensibilitetit të çështjes nuk do mund te flas shumë lidhur me këtë çështje", tha Çitaku.

Letra e Jeremiqit drejtuar 80 vendeve është hapi i fundit I diplomacisë serbe në lobimin kundër pavarësisë së Kosovës.

Ylli Hoxha nga Klubi për Politikë të Jashtme konsideron se Ministria e Punëve të Jashtme duhet t'i kundërpërgjigjet me të njëjtën formë, agresivitetit të diplomacisë serbe, në mënyrë që të korrë rezultat në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Këto tentativa duhet parë më seriozitet dhe fatkeqësisht nuk ka një përgjigje të duhur, adekuate karshi kësaj ofenzive, që ai (Jeremiq)kohë pas kohe e intensifikon me veprime të tilla", tha Hoxha.

Ministria e Punëve të Jashtme, sipas Çitakut, ka marrë disa konfirmime nga shtetet që kanë njohur Kosovën se do të deponojnë përgjigje në favor të Kosovës në Gjykatë.

"Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me shtetet mike, me shtetet, që e kanë njohur Republikën e Kosovës, që të deponojnë përgjigje me shkrim në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Konfirmime tashmë kemi marrë nga shumë shtete, por për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk japim detaje", pohon Vlora Çitaku.

Mosdhënia e infromacioneve lidhur me procesin në GJND për shkak të sensitivitetit nuk has në mirëkuptim të ekspertëve të së drejtës ndërkombëatre.

Iliriana Islami mendon se mostransparenca mund të rrezikojë argumentimin e duhur të ligjshmërisë së pavarësisë.

"Nëse ne nuk dimë se në çfarë faze është, ku është mbledhja e infiormaconeve, ku është mbledhja e shënimeve, ndoshta një qytetar i thjeshtë që do të ofronte shumë dëshmi, p.sh ai nuk e di ku është procesi. Sa do të zgjasë, deri kur do të jetë faza e mbledhjes së informacioneve, si do të përpilohet, ku do të përpilohet. Siç duket MPJ deri më tash asnjë informacion për këtë çështje nuk e ka dhënë. Sa do të jetë e efktshme më tutje mbetet të shihet", pohon Islami.

Ministria e Punëve të Jashtme kërkon mirëkuptim këtë cështje. Sërish Vlora Çitaku.

"Ne do të kërkonim mirëkuptimin edhe të opinionit edhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës për një sasi të vogël informacioni, që do ta japim në këtë fazë. Gjithsesi unë dua t'i sigurojë të gjithë qytetarët e Kosovës se MPJ përmes të përzgjedhurit tonë për përfaqësim në GJND, Sir Michael Wood po i bën të gjitha përgatitjet dhe i ka marrë të gjitha masat që rasti i Kosovës të prezantohet sa më denjësisht", tha Çitaku.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i kanë besuar Michael Wood-it, nga Mbretëria e Bashkuar, drejtimin e ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG