Ndërlidhjet

Erdogan: Në mbrojtje të nderit të Turqisë


Mijëra përkrahës u tubuan sot herët në mëngjes për ta pritur kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pasi ai në shenjë proteste e braktisi një debat me presidentin izraelit, Shimon Peres, në Forumin Ekonomik në Davos të Zvicrës.

Incidenti në Davos ndodhi gjatë debatit me presidentin izraelit, i cili e mbrojti ofensivën ushtarake 23 ditëshe të Izraelit në Rripin e Gazës.

Më vonë, kryeministri Erdogan tha se ai ishte larguar nga debati, jo për shkak të mospajtimeve me presidentin Peres, por për shkak se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t'iu përgjigjur komenteve të Peresit.

Në një konferencë për gazetarë, pasi arriti në Stamboll, Erdogan tha se ai veproi për "ta mbrojtur nderin e Turqisë".

"Unë vetëm e dij se duhet ta mbroj nderin e Turqisë dhe të popullit turk. Unë nuk jam ndonjë kryetar fisi, por kryeministër i Turqisë. Më duhet ta bëj atë që duhet bërë, dhe po e bëj", tha Erdogan.

Turqia është një nga pak vendet myslimane, që ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin.

Aktualisht, Erdogan ka synuar që të jetë ndërmjetësues për paqe në konfliktin në Lindjen e Mesme. Por, ai ishte edhe kritik i ashpër i aksioneve izraelite në Rripin e Gazës.
XS
SM
MD
LG