Ndërlidhjet

Rritje pensionesh!


Pensionistët e Kosovës e kanë vlerësuar si të papranueshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi rritjen e pensioneve, sipas të cilit pensionet e pleqërisë do të kenë rritje prej 5 eurosh, kurse kontribut-dhënësit do të përfitojnë nga 8 euro më shumë. Autoritetet qeverisëse thonë se këto janë mundësitë që ka buxheti i Kosovës.


Rritjen prej 12.5 për qind që Qeveria e Kosovës e ka bërë për pensionistët nuk konsiderohet e pranueshme dhe e drejtë nga ata.

Lidhja e pensionistëve të Kosovës e quan një papërgjegjësi të institucioneve dhe mungesë të menaxhimit ashtu siç duhet të kësaj kategorie të shoqërisë.

Kryesia e Pensionistëve të Kosovës, ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverise së Kosovës, që nënkupton një rritje prej 5 eurosh mbi pensionin bazë prej 40 eurosh.

Anëtari Kryesisë së Pensionistëve Ramë Alihajdaraj, thotë se janë në pritje të një përgjigjeje nga Qeveria.

"Po thuhet se në të gjitha kategoritë ka rritje prej 12, 5 % . Në bazën 40 euro kjo nënkupton 5 euro në muaj. Për pensionistët kontribut -pagues nuk është marr baza prej 75 eurosh, por ajo prej 40 eurosh. Për këtë kemi marrë letër dhe i jemi drejtuar kryeministrit, për të parë mos është ndonjë gabim teknik apo nëse vërtetë është vendosë ashtu. Nëse vendimi është i këtillë, nuk është në rregull", tha Alihajdaraj.

Sipas tij, pensionistët janë jashtëzakonisht të pakënaqur me ketë vendim të qeverisë, të cilin ai e quan konfuz.

"Ne kemi reaguar, Qeveria tani duhet të japë përgjigje”, tha ai.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj thotë se Qeveria e Kosovës, ka bërë atë çfarë ka mundur të bëjë dhe në bazë të vendimit të marrë, pensionistët që marrin pensionin prej 40 eurosh do të kenë rritje për 5 euro, ndërsa për kategorinë e kontribut-dhënësve pensioni i tyre do të rritet për 8 euro.

"Të gjitha pensionet në mënyrë lineare pa përjashtim do të rriten, domethënë të gjithë do të jenë përfitues të rritjes prej 12.5%. Tek ata që marrin 40 euro, rritja do të jetë diku 5 euro, nëse pensioni është 75 euro, rritja do të jetë rreth 8 euro”, tha zoti Dedaj.

Ai është i mendimit se pas një periudhe gjashtë mujore, kur të behet rishikimi i buxhetit, mund të këtë edhe një rritje tjetër.

“Me rishikim të buxhetit që do të behet pas gjashtë muajve sërish ndoshta do të ketë mundësi që të kemi edhe rritje të tjera. Mirëpo, kjo është ajo çka mund t'ju premtojmë edhe çka mund të bëjmë tash për tash për pensionistet. Kjo kategori ka nevoja të shumta, mirëpo ne duhet t'u ofrojmë atë çka mundemi", tha Dedaj.

Nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, të gjithë personat mbi moshën 65 vjeç marrin pensione të pleqërisë, në formë të ndihmave sociale, që kap shumën prej 40 eurosh.

Të gjithë ata pensionistë që kanë kontribuar në fondin e pensioneve, që nga 1 janari i vitit të kaluar, marrin nga 75 euro në muaj.

XS
SM
MD
LG